Kryetari socialist, Edi Rama i ka lënë dje rrugën e hapur paraardhësit të tij, ish kreut të PS-së, Fatos Nano për tu bërë president. Në një intervistë për TV Klan, Rama është shprehur dje se: “Fatos Nano nuk është kandidat i Partisë Socialiste, ai është një figurë politike që ka shfaqur ambicien për të qenë një kandidat mbi palët. Ka kohë që është distancuar nga PS, që nuk e përfaqëson atë, pasi është në kërkim të një profili që ka zgjedhur dhe tentuar ta mishërojë, se sa e ka mishëruar kjo është çështje gjykimi nga palët, por që sot nuk është dita e gjykimit”, – është shprehur Rama në këtë intervistë.

I pyetur nëse do ta jepte dorëheqjen në rast se PS humbet zgjedhjet e vitit 2013, Rama nuk ka kthyer një përgjigje direkte, por tha se: “Jam i bindur që qeveria dhe kryeministri e kanë të pamundur që të marrin një mandat të tretë për një mijë e një arsye që lidhen me gjendjen e vendit, me atë ç’ka jetojnë familjet shqiptare dhe për shqiptarët ka kohë që ka ardhur koha për ndryshim”.

Ai shtoi se: “Koha për ndryshim ka ardhur si një këmbanë e fortë që do të zgjojë dhe shumë kënd nga ata që deri dje kanë menduar se mund të qëndrojë jashtë këtij procesi”. Rama ka shpjeguar dje edhe qëndrimin që mbajti grupi parlamentar i PS-së për Gjykatën Administrative, e cila është duke u diskutuar këto ditë në Kuvend. Sipas tij, qëndrimi i PS-së pro miratimit të këtij ligji nuk ka lidhje me vizitën që ai nis sot në Uashington. “Është pjesë e një procesi të dakordësuar më parë me partnerët europianë”, – u shpreh Rama.

SHPËRNDAJE