Magdalena Alla

Kur gjithë të tjerët kishin maninë të vinin emra dhe simbolika të huazuara nga Perëndimi, i munguar dhe ëndërruar, ai do të bënte diçka krejt ndryshe. Do të çelte në Tiranën e vitit 2000, në zemër të ish-Bllokut, një bar-kafe vërtet me emrin në anglisht ‘Coffe & Coffe’, por përbrenda me një koncept tërësisht larg huazimeve. Ishin koshët fill pas luftës së Kosovës dhe gjurmët e dyndjes së kosovarëve ishin ende të freskëta edhe në Tiranë, Dhe meqë ai bëri miq për kokë nga Kosova, do të frymëzohej vetiu edhe prej tyre për të qenë bash si ata, thuhet në fillim të këtij reportazhi të “Shekullit.

 

“Ishim të gjithë si grup miqsh, por edhe stafi i përhershëm këtu, të gjithë e kemi pasur tradicionalisht në gjak atdhetarinë. Na bënin fillimisht si kosovarë, por ne kishim vetëm miq kosovarë, vetë jemi lindur, rritur në Tiranë”, tregon njëri nga administratorët e bar-it, 34-vjeçari Gentian Xhengo. Dhe gjetja e tij, ortakëve dhe miqve do të ishte zbukurimi i mureve të bar-it me foto historike shqiptare. Duke filluar nga ato të vitit 1900, të cilat janë më të hershmet që gjetën dhe kanë edhe sot, e deri afër shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Filloi me dhjetë foto të para nga Tirana muzeale, të cilat gjithmonë e më shumë do të shtoheshin, duke zënë hapësirat e katit të parë e më pas të katit të dytë. Dhe do të pasonin të vareshin imazhe dokumentuese dhe kureshtare për kohën të të tjera qyteteve brenda kufijve shqiptarë si Korça, Elbasani, Pogradeci, Saranda, Gjirokastra, Butrinti në vitet 1913-1927. Dhe Prizreni, Gjakova, Janina, Presheva nga trojet shqiptare jashtë kufijve. Me ndërtime që kanë mbetur ende si pjesë e së tashmes, por edhe të tilla që me keqardhje nuk i gjen më. Përveç fiksimit të qyteteve, edhe fiksime momentesh me rëndësi historike unikale për kombin si deklarata e pavarësisë, shpallja e pavarësisë në Vlorë në 1912, edhe puthja legjendare e flamurit shqiptar nga Isa Boletini apo nga Karnavalet e Shkodrës në 1900-ën, koncerti i grupit ‘Liria’ të Korçës në 1909, ‘Zonja e Shkodrës’ e Marubit etj. ‘I kemi gjetur duke kërkuar nëpër albume, miq, duke i marrë si filma apo zmadhuar me fotoshop dhe printuar. Koleksionisti Artan Lame na ka falur nga arkivi i tij mbi njëzet copë fotografi”, tregon Xhengo. Me CD ka marrë edhe Deklaratën e Pavarësisë etj. Dhe pas dhjetë vjetësh aty numërohen gjithsej 67 foto të çmuara historike. Dhe përballë fotove në katin e parë edhe një murale ku ravijëzohet qendra e Tiranës sot; monumenti i Skënderbeut, Sahati i Tiranës, xhamia e Et’hem Beut, Hotel Tirana International.

‘Në fillim njerëzit bënë çudi me këtë arredim historik që i bëmë bar-it, i cili është edhe mjaft modern. U ndeshëm me dy rryma opinionesh; ata që na vlerësonin shumë për këtë veçori dhe ata që na bënin dhe për budallenj”, shpjegon Xhengo, që megjithatë u mbështet me vetëdije të plotë tek të parët.

Për sa i përket klientëve të tyre, tre në njëqind mund të vërejnë se çfarë kanë muret përsipër dhe të pyesin apo të bujtin ta pijnë kafen edhe për këtë karaktëristikë dalluese. Të tjerët vijnë thjesht nga kafeja e mirë apo se iu pëlqen vendndodhja. Por shtohen në mbi 150 vetë kur ka ndeshje Kombtarja e futbollit, sidomos. E veç fotove në korniza tek ‘Coffe & Coffe” janë varur edhe kostumet e kombëtares shqiptare të futbollit. Në kësi rastesh apo në festat kombëtare në ballkonin e katit të dytë, si të ishte ballkoni i Shtëpisë së Flamurit në Vlorë dhe në ambientet e brendshme vihen rreth dhjetë flamuj. Ndërsa një flamur qëndron përherë i varur, ashtu sikurse është rregullore për institucionet e larta shtetërore. ‘Për 28 Nëntorin marrim edhe këngëtarë që këndojnë live këngë shqiptare, por koncerti hapet gjithmonë me Himnin Kombëtar”…

SHPËRNDAJE