EDHE PRESHEVA NË DITËN E VERËS NË TIRANË. STUDENTË, TURISTË DHE PRODUKTE NGA LUGINA  E PRESHEVËS NË RRUGËT PLOTË LULE NË TIRONË E ELBASAN…

ELBASAN, ELBASAN I BUKUR ME PRESHEVËN EDHE MË I BUKUR…

Përvec studentëve dhe tirstëve nga lugina e Preshevës në ditët e verës në Tiranë  sot janë prezent edhe produktet nga Lugina e Presehvës në Tiranë dhe Elbasan…njofton agjencia informative “Presheva Jonë” nga Tirana.

Festa e luleve dhe e pranverës kremtohet sot në të gjithë vendin. Megjithëse qyteti që mban kurorën për festimin tradicional të saj prej shumë vitesh është Elbasani, kjo ditë e veçantë në kalendarin e festave tona të shumta kombëtare prej vitesh është bërë tashmë traditë që të festohet edhe në kryeqytet, me ceremoni të shumta dhe të programuara nga bashkia e këtij qyteti, po edhe në qytete të tjera të vendit.
Elbasani si çdo vit, do të jetë kryeqyteti i Ditës së Verës, meqenëse me rastin e kësaj dite shumë personalitete të politikës shqiptare zgjedhin ta vizitojnë dhe urojnë nga afër në këtë ditë të veçantë, si kryeministri i vendit, Sali Berisha apo lideri i opozitës, Edi Rama. Në Elbasan, atmosfera e kësaj ditë fillon të nxehet qysh një ditë më parë, më përgatitjet tradicionale të ballokumeve, ëmbëlsira e veçantë e që s’ka të dytë e kësaj zone, për të kulmuar pikërisht ditën e sotme, ku nuk mungojnë traditat e riteve të vjetra pagane, por edhe argëtimi e muzika përgjatë rrugëve të qytetit.

 

“Aktivitetet në kryeqytet do të nisin në orën 10.00, në rrugën ‘Murat Toptani’, me çeljen e Panairit të Produkteve Shqiptare, i cili bashkon biznese të të gjitha trevave shqiptare, nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria. Hapja e këtij panairi në rrugën ‘Murat Toptani’ do të shoqërohet edhe me performancën e Ansamblit të Qytetit.
PANAIRI, BASHA: TIRANA MIRËPRET 100 BIZNESE SHQIPTARE
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zgjodhi panairin e organizuar në rrugën pedonale “Murat Toptani” për të falenderuar të gjithë qytetarët që kanë zgjedhur Tiranën për të kremtuar festën pagane të Ditës së Verës.
“Keni bërë zgjedhjen e duhur, sepse sot Tirana ka hapur dyert e shpirtin e saj mikpritës për shqiptarët nga të gjitha trojet, për të festuar ditën e largimit të dimrit.”- deklaroi Basha.
Kryebashkiaku theksoi se Tirana mirëpret sot 100 biznese shqiptare, pjesëmarrëse në panairin e panairin e Ditë së Verës. “Ftoj qytetarët e Tiranës të vizitojnë këtë panair, i cili do t’i japë impuls prodhimeve shqiptare në Europën juglindore dhe në Ballkan.”- u shpreh Basha.

Lulzim Basha ai ka nisur që ditë më parë përgatitjet Ditën e Verës, që simbolizon në një farë mënyre dhe fillimin e pranverës dhe rilindjen e natyrës. Dekori i kryeqytetit është vendosur qysh një ditë më parë me lule të mëdha e shumëngjyrëshe përgjatë gjithë bulevardit të madh të Tiranës.

 

Ditën e djeshme, zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha parashtroi programacionin që do të shoqëronte Ditën e Verës në kryeqytet.
Në Lulishten ‘3 Vëllezërit Frashëri’ do të kompozohet qyteti i artit. Dekorimi i kësaj qyteze do të shoqërohet me muzikën e një bande rock dhe do të rrethohet nga piktorë e piktura të punuara nga nxënës të Liceut Artistik ‘Jordan Misja’.
Festimet do të kulmojnë në sheshin ‘Nënë Tereza’, me Karaoken që do të organizohet me pjesëmarrjen e disa këngëtarëve të mirënjohur. Shfaqja do të transmetohet në ekranin e skenës, nga e cila do të ftohen qindra qytetarë të këndojnë live këngë të njohura. Karaoke do të fillojë në orën 11:00, për të vazhduar deri në orën 14:00”.

Fillesat e ditës se verës janë sigurisht pagane, tepër të lashta dhe lidhen me kohën kur të parët tanë i faleshin perëndive të natyrës, të luleve dhe bimëve. Ajo simbolizon pikërisht rilindjen e natyrës pas dimrit të gjatë dhe njëkohësisht rigjenerimin që pëson edhe vetë jeta.
Tradicionalisht prej kohëve shumë të vjetra, kjo ditë është kremtuar në zonën e Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit ka gjurmë të larmishme të festimit të kësaj feste, si ndezja  e zjarreve, thurja e kurorave me lule apo gatimet tradicionale, sidomos ballokumja  e Elbasanit, që është kthyer edhe në simbol të kësaj dite.

SHPËRNDAJE