Që nga zgjedhjet e 24 prillit, të vitit të shkuar, qeverisja komunale e Preshevës, nuk e ka gjetur dot rehatinë. Ajo vazhdon të përballet me sfida të ndryshme, të cilat parlamentit lokal, i kanë shkaktuar jo rrallë ngërçe politike, duke e sjellë atë, në një krizë, që nuk çon tjetër veç në zgjedhje të parakohshme.

 

Nuk kanë kaluar më shumë se një vit e disa muaj, kur pushteti lokal u godit me disa lëkundje politike, të cilat prishën koalicionin qeverisës, në favor të një formacion tjetër, por pa ndonjë ndryshim ne ecurinë e punës së legjislativit.

Turbulencat politike, shantazhet, inatet e dukurit e tjera negative e kanë shoqëruar Kuvendin Komunal të Preshevës, që nga orët e para të konstituimit, pa ndonjë përparim në tejkalimin e këtyre barrierave shumë të dëmshme për qytetarët e kësaj komune, nga më të prapambeturat në rajon.

Të lodhur dhe të rraskapitur nga mosfunksionimi i organit më të lartë të pushtetit vendor, shumica e subjekteve politike në Preshevës, si duket janë pajtuar të shkojnë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Zgjedhjet e parakohshme, nuk janë të jashtëzakonshme për preshevarët, ngase ato janë mësuar me procese të tilla edhe pse shpesh u kanë kushtuar me mungesë të investimeve, projekteve dhe donacioneve qeveritare e ndërkombëtare.

Niveli i përgjegjësive

Kuvendi komunal, duhet të jetë stabil, efikas dhe përgjegjës.

Foltorja e kuvendit, nuk duhet të keqpërdoret për qëllime të caktuara politike, grupore e klanore. Mjerisht, foltorja e Kuvendit Komunal në Preshevë, jo vetëm që është keqpërdorur, por edhe është abuzuar deri në ekstremitet.

Kuvendarët janë të zgjedhurit e popullit dhe ata duhet të jenë në nivelin e përgjegjësisë, për të mbrojtur, avancuar dhe promovuar të drejtat e qytetarëve. E si të mbrohen interesat e qytetarëve nga kuvendarët e një Kuvendi, kur ata nuk mblidhen me muaj të tërë, por edhe sikur të jenë bashkë në seancë, ata grinden mes vete, duke bllokuar punimet e kuvendit.

Zvarritjet e seancave kuvendore deri në pafundësi, natyrisht se prodhojnë krizë, mosdurim, përçarje, ngërç politik dhe kolaps ekonomik. Të gjitha këto anomali në qeverisjen lokale, ngrisin shqetësimin e qytetarëve për pamundësinë e realizimit të projekteve jetike për Preshevën.

Masat e përkohshme

Po qe se nuk gjendet ndonjë zgjidhje urgjente, për tejkalimin e mosmarrëveshjeve  politike brenda koalicionit aktual qeverisës, nuk është çudi, që nesër të shpërbëhen organet legjislative dhe ekzekutive të pushtetit në Preshevë.

Shpartallimi i parlamentit lokal, sjell masat e përkohshme, që dikur quheshin të dhunshme, të cilat do të zgjasin deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. Thënë të drejtën, masat e dhunshme nuk janë të mira as në “komshi” e lëre më në shtëpi! Ato asnjëherë nuk kanë sjellë zgjidhje të qëndrueshme, por përkundrazi I kanë ngatërruar fijet e lëmshit politik.

Në zhargonin e popullit për këto masa të përkohshme, apo më mirë të dhunshme, thuhej dikur : “Hajde dreq e na ndreq!”

E mira është të gjendet ndonjë zgjidhje, ngase nga zgjedhjet e parakohshme, nuk pritet se do t’i jepet fund mospajtimeve politike në Preshevën e taksirateve. Po sikur të ndodhin zgjedhjet e parakohshme, përsëri do të ketë koalicione qeverisëse, sërish do të ketë pozitë dhe opozitarë dhe ngjashëm do t’na përsëriten skenat jo të favorshme, që jem i mësuar t’i shohim në Preshevë, që nga viti 2002 e këndej.

Preshevën, nga kjo gjendje ku është futur, nuk e shpëtojnë masat e përkohshme e as zgjedhjet e jashtëzakonshme, por lirimi nga mentaliteti i partiakëve provincialë për të qenë të parë, të cilët, mjerisht, vuajnë nga bajraktarizmi, liderizmi, nepotizmi, familjarizmi e “izma” të tjerë, të cilët i kanë përcjellë, gjatë gjithë mandateve të pushteteve lokale. Dhe në vend, që këta liderë të shumtë partiak ta gjejnë shpëtimin te uniteti, koncensuesi, ata e kërkojnë ngushëllimin te zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Prapë fushatë…

Presheva e ndarë dhe e përçarë në shumë parti e shoqata joqeveritare, si është duke shkuar për çdo vjet do të ketë zgjedhje lokale e jo sipas zakonit një herë në çdo katër vjet.

Skenës institucionale preshevarçe i është bërë stil të jetës politike zgjedhjet e reja. Ndoshta pse kjo komunë me mbi 90 për qind shqiptarë, në Luginë të Preshevës, të administruar nga Serbia, më herët se Komuna e Bujanocit, ka pasur pushtet dhe asnjë nga partitë e saja politike nuk e durojnë opozitarizmin, me një fjalë, ia kanë shijuar lezetin të qenit pushtetar.

Askush nuk e do opozitën, qoftë edhe në ëndërr. Pushteti shumëkujt i ka sjell privilegje, famë e karrierë, por jo edhe qytetarëve të saj, të cilët nëpër çdo palë zgjedhje votuan për ndryshime,  e pothuajse, asnjëherë nuk i panë ato.

Në realitet ata i panë gjatë fushatës elektorale, duke brohoritur si gjithherë: “Për gjuhë dhe flamur!’, “Bashkim me Kosovën!”, “Shqipëri o nëna jonë!”, “Stop dhunës dhe diskriminimit!”, “Votoni më të mirët!, “Vota është çelës i ndryshimit!”, “Rroftë Referendumi!” e slogane të tjera të kësaj natyre.

Kështu e ka Presheva jonë, me probleme si gjithmonë!

SHPËRNDAJE