Përderisa politikanët lokalë shqiptarë në Luginën e Preshevës po merren me biznese të mëdha, bashkëkombësit e tyre i kapluar skpmja dhe varfëria.

Në rrugën “Mareshali Tito”, në qendër të Preshevës, pranë një shtëpie të papërfunduar, pa fasadë e me dy antena satelitore, është ngritur një ndërtesë e bardhë, balonat e së cilës janë të “uniformuara” me aranzhmane të luleve. Po të ishte ky kontrasti i vetëm në këtë qytet, afër kufirit me Maqedoninë, banorët e tij (më shumë se 90 për qind e tyre shqiptarë) do të ishin shumë më të lumtur.

Megjithatë, jetojnë në komunën me fuqinë më të re punëtore në Serbi (mesatarja 28 vjet), e njëkohësisht në një prej komunave më të pazhvilluara në republikë – me zyrtarisht 75 përqind të papunë.

Bujqësia është shkretuar, ekonomia ka ngecur, nuk ka spital, as ujë të pijes, ekziston vetëm mbrojtja primare shëndetësore.

Mjaft arsye që, siç thotë Abdullah Mehmeti, zëvendëskryetar i komunës, çdo të shtune nga Presheva të largohen të paktën nga tre autobusë, udhëtarët e të cilëve largohen nga qyteti në kërkim të një jetë më të dinjitetshme.

Autobusët kanë qarkulluar edhe viteve të kaluara, andaj rreth 15,000 banorë të Preshevës sot punojnë në botën e jashtme. Ata duhet t’i shtohen numrit prej 30,000 banorëve, vetëm disa dhjetëra prej të cilëve janë serbë.

Dhe, përderisa politikanët lokalë shqiptarë, që e kanë pushtetin lokal, të ulur në karrige në ndërtesën të sapolyer të komunës, merren me tema të mëdha, bashkëkombësit e tyre dhe serbët pakicë, në rrugë i bashkon varfëria.

Gjatë takimit të kryesuesve komunalë me 35 gazetarë serbë e të huaj, që u organizua nga Media Centar dhe Fondi për Shoqëri të Hapur, Orhan Rexhepi, zëvendëskryetar i vetëqeverisjes lokale, përsëriti angazhimin për shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Serbia – dhe atë në gjuhën angleze – duke theksuar se nuk e dinte se aty do të ishin të pranishëm edhe gazetarët serbë, të cilët ishin shumicë në sallë.

I pyetur nëse është hipokrizi që të angazhohej në copëtimin e shtetit nga i cili paguhet, Rexhepi theksoi se këto qëndrime, për të cilat tha se ka vuajtur edhe dënim me burg, i ka shprehur edhe para se të merrte mandatin e qytetarëve.

Bashkëkombësit e Rexhepit në rrugë në shumicën e rasteve janë të preokupuar me brenga të mbijetesës.

“Ne e themi një gjë, ata në emër tonin publikojnë diç tjetër. Këtë pastaj e lexojnë fqinjët dhe të afërmit tanë, dhe pastaj krijohen probleme për ne, sepse gazetarët kanë gënjyer”, shpjegon një kalimtar shqiptar, i cili deshi të mbetej anonim.

Sipas tij, rinisë i është vështirësuar studimi, ngase nuk mund të ndiqen mësimet në gjuhën amtare. Alternativë për ta janë studimet në Kosovë, por Serbia nuk njeh diplomat e universiteteve të atjeshme.

Edhe po të kishin përgatitje të lartë shkollore nuk do të ishin të lumtur, ngase ndërmarrjet e mëdha në komunë në të shumtën e rasteve nuk janë të privatizuara ose nuk punojnë.

Ndërmarrësit e vegjël, kryesisht tregtarë, duke ndjekur logjikën e pronarëve privatë, mbyllin dyert e firmave të tyre për punëtorë sapo të përmbushin numrin e mjaftueshëm të tyre. Shembulli që e përmend një serbe e re nga Presheva, dëshmon se kjo komunë është shndërruar në një zorrë qorre të Serbisë.

“Para ca kohësh është shpallur konkursi për pranimin e punëtorëve në doganë. U paraqitën shumë njerëz. Me rezultatet ishin të dëshpëruar si kandidatët shqiptarë, ashtu edhe ata serbë: të parët, ngase u punësuan vetëm serbë, të dytët ngase nuk janë punësuar serbë vendas, por bashkëkombës tanë nga Nishi dhe qytetet tjera jashtë rrethit tonë, të cilët me gjasë kanë shfrytëzuar lidhje partiake”, tregon vajza.

Shoqja e sak punon në degën lokale të Lidhjes Auto-Moto, për një pagë mujore prej 8,000 dinarësh.

Pra, a po lulëzon në këto rrethana biznesi ilegal, kryesisht për shkak të kushteve të favorshme natyrore – afërsia me Kosovën dhe Maqedoninë – për kontrabandë?

“Edhe nëse ka kontrabandë, nga ajo jetojnë mirë vetëm disa shefa, të cilët mbajnë tapitë për aktivitetet e tilla”, thotë një shqiptar.

As statistikat e policisë shumetnike nuk shkojnë në favor të tezave për rrugët e drogës dhe të kontrabandimit të qenieve njerëzore në këtë pjesë të Serbisë.

Avdi Bajrami, komandant i stacionit policor në Preshevë, thotë se vepra e fundit e rëndë që është regjistruar është një vrasje, që ndodhi para pak kohësh në fshatin Miratovc, kur i dyshuari u kap pas 48 orësh.

Ka rënë edhe numri i incidenteve të armatosura, ngase policia e përzier (60 përqind shqiptarë, 28 përqind serbë dhe dy përqind të tjerë) nuk shënoi asnjë konflikt ndëretnik në vitin 2010.

Pamja e fundit gjatë largimit të gazetarëve nga Presheva është komunikacioni në rrugët qendrore të qytetit, në trotuaret e të cilave ecnin kryesisht njerëz të rinj. Disa nga ta qysh të shtunën e ardhshme do të qëndrojnë në peronin e stacionit të autobusëve – me biletë njëdrejtimëshe.(expressi)

SHPËRNDAJE