Shkruan: Prof.Qenan HETEMI

         Gjuha shqipe sot flitet në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë, në Mal të Zi dhe në Çamëri. Shqipja, pra flitet në viset perëndimore të Ballkanit, aty ku kryqëzohen rrugët që lidhin Lindjen me Perëndimin, pikërisht në atë rajon që ka qenë djepi i qytetërimit antik evropian.

Është privilegj dhe kënaqësi të merresh me çështjen e hartimit dhe vlerësimit të Planeve, programeve dhe teksteve shkollore. Në këtë hartim do të paraqes disa çështje të hartimit dhe vlerësimit të Planeve, programeve dhe teksteve të Gjuhës dhe letërsisë shqipe për arsimin fillor dhe të mesëm ose parauniversitar.
Unë këtë shkrim kam kënaqësinë ta nis me fjalët e të madhit akademik Rexhep Qoses, të këtij profesori të nderuar dhe me renome, jo vetëm në shkallë kombëtare, po edhe botëror.

“Gjuha është biografi e popujve, sepse me gjuhën, më mirë se në çdo dokument material ruhet historia e tyre intelektuale, sociale dhe morale”

Prof.Qenan HETEMI

Këtij mendimi dhe vlerësimi të akademik Rexhep Qoses i bashkohem plotësisht, duke miratuar zbatimin e gjuhës sonë letrare të njësuar, si gjuhë e përbashkët dhe e vetme për të gjithë shqiptarët të cilën e kanë thënë dhe e thonë pa kurrfarë hezitimi se gjuha e njësuar, në të vërtetë, ka qenë dhe është pasuria më e madhe dhe asaj duhet kushtuar rëndësinë e veçantë dhe themelore për kulturën gjithëkombëtare. Dhe është e ditur se gjuha shqipe, si element themelor identifikimi i kombit dhe kultures gjithëkombëtare, bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, familje kjo ku renditen edhe gjuhët indoiranike, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave, gjuhët gjermane, etj. Shqipja, në këtë familje gjuhësore formon një degë të veçantë dhe nuk ka ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjerën prej këtyre gjuhëve të sotme indoevropiane.

Karakteri indoevropian dhe përkatësia e gjuhës shqipe, se i përket familjes së gjuhëve indoevropiane, u arrit të përcaktohej dhe  të vërtetohej që nga mesi i shekullit XIX, duke u bazuar në studimet e gjuhësisë historike krahasuese. Merita e veçantë i përket sidomos dijetarit të njohur gjerman Franz Bopp, themeluesit kryesor të këtij drejtimi gjuhësor, i cili vërtetoi me metoda shkencore përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen e gjuhëve indoevropiane.

Gjuha shqipe sot flitet në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë, në Mal të Zi dhe në Çamëri. Shqipja, pra flitet në viset perëndimore të Ballkanit, aty ku kryqëzohen rrugët që lidhin Lindjen me Perëndimin, pikërisht në atë rajon që ka qenë djepi i qytetërimit antik evropian.Duke parë ndryshimet e bëra në hartimin ose harmonizimin e planeve dhe programeve me tekstet e lejuara  për përdorim nga ana e Ministrit të Arsimit të Republikës së Sërbisë, në mbështetje të nenit 94 të Ligjit mbi arsimit fillor dhe të mesëm, dua të shprehem se është bërë një punë e mirë për arsimin shqip në Luginë. Ky proces është dashur të vazhdohet dhe të plotësohet, por duket se këtu ka munguar vullneti i organeve dhe punonjësve konpetent komunal që merren me organizimin e procesit edukativo-arsimor.

Në këtë drejtim mendoj se nisma për unifikimin e planeve, programeve dhe teksteve shkollore, në shkallë kombëtare është e qëlluar dhe duhet përkrahur e mbështetur me tërë fuqinë institucionale, individuale dhe intelektuale, sepse problemet me të cilat po përballet Lugina e Preshevës, sot është edhe problemi i teksteve, planeve dhe i programeve mësimore, për të gjitha nivelet e arsimit. Unifikimi apo harmonizimi i tyre në nivel kombëtar është i domosdoshëm, problem ky i cili kërkon qasje serioze dhe zgjidhje të shpejtë dhe shumë konstruktive. 

E kaluara historike e zhvillimit të arsimit shqip në nivelin kombëtar përfshinë plotësisht tërësinë e veprimtarive dhe të arritjeve në lëminë arsimore dhe edukative të popullit shqiptar. Shumë breza, në periudha të ndryshme kohore, kanë dhënë kontribut të çmuar dhe ndikimi i tyre ka qenë jashtëzakonisht i madh në rrjedhat e qytetërimit shqiptar, synimeve tona kombëtare, misionit të diturisë drejt një nivelizimi historik, sendërtimin e të cilave me plot përkushtim e zell po e vazhdojnë edhe brezat e sotëm.

Varësisht prej rrethanave politike, shoqërore dhe kulturore, rrjedhat e zhvillimit të arsimit shqip në Luginë, po edhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë, janë penguar ose ndaluar plotësisht nga faktorë të ndryshëm. Svidat e paraqitura si pengesa serioze, jo vetëm të përparimit të arsimit, por edhe të integrimeve në planin gjithëkombëtar është dashur të përballohen, prandaj edhe problemi i hartimit apo unifikimit të teksteve dhe planprogrameve mësimore duhet ta përballojë këtë svidë.

Mirëpo, duke u nisur nga fakti se arsimi është kategori kombëtare dhe karakteri i tij është universal, edhe problematika arsimore dhe studimi i saj ka rëndësi të madhe për avansimin e arsimit dhe ardhmërinë e kombit, që është një synim kryesor për një  nivelizim të ri historik. Dhe kush janë ata që më së shumti ndihmuan dhe po ndihmojnë të ndriçohet errësira e mendjes dhe shpirtit të njeriut e veçanërisht e brezave të rinj? Ata janë prindërit, vëllezërit, motrat, të njohur e të panjohur, mësuesë, edukatorë, të gjithë ata njerëz “të mençëm si hyjnitë, plot hirë si engjuj

Arsimi i brezave të ri të popullit edhe këtu ndër ne, në Luginë, po zhvillohet gjithnjë e më shumë, duke u nisur nga entet parashkollore, foshnjoret, shkollat fillore e deri te shkollimi i mesë me tendecë deri në mësim Univerzitetar, ku janë përfshirë shumë fëmijë, nxënës e tani edhe studentë. Por, cili është veprimi ynë i mëtutjeshëm? Natyrysht ky është synimi ynë kryesor, zgjerimi edhe më tepër i rrjetit të institucioneve arsimore, hartimi i teksteve, planeve dhe programeve mësimore si dhe përsosmëria e procesit edukativ dhe mësimor.


Hartimi i Planeve dhe Programeve

Problemet me të cilat po përballet Lugina e Preshevës sot është edhe problemi i teksteve, i planeve dhe programeve mësimore, për të gjitha nivelet e arsimit dhe unifikimi apo harmonizimi i tyre në nivel kombëtar është i domosdoshëm, problem ky i cili kërkon një qasje të veçantë, shumë serioze, zgjidhje të shpejtë dhe shkallë të lartë  konstruktiviteti.
Se hartimi i planeve, programeve mësimore është një punë kopmlekse dhe shumë delikate e kanë të njohur ose duhet ta kenë të njohur  të gjithë faktorët qe merren me këtë çështje, duke u nisur nga mësimdhënësit e deri te organet konpetente, nga niveli komunal e deri te ato në nivel shtetesh.

Shkollat shqipe ose arsimi shqip në Luginë deri në qershor të vitit 2005 ishte në një gjendje shumë të rëndë. Planet dhe programet bashkë me tekstet shkollore ishin shumë të vjetra, nga vitet tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Mësimdhënësit dhe nxënësit shqiptarë e kishin shumë të vështirë realizimin e qëllimeve dhe objektivave mësimore. Planet dhe programet ishin nga ato të të ashtëquajturave Bërthamat e përbashkëta programore të vitit 1979, ku përfshirja e programit të gjuhës shqipe mezi arrinte 50 përqind të tërësisë programore të gjuhës amtare.

Duke u nisur nga fakti se arsimi është kategori kombëtare dhe përfaqëson fushëveprimtarinë prijëse të zhvillimive shoqërore, poltike dhe ekoomike, prandaj krijimi i një shkolle moderne sipas normave dhe standardeve të përparuara ndërkombëtare është një vizion i cili filloi në vitet e para të këtij shekulli ose menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe konflikteve të armatosura në Luginë të Preshevës. Ky vizion duhet të realizohet në të gjitha fushat e veprimit duke ndërmarrë hapa konkret dhe të gjithanshëm.
Për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare, me rëndësi historike në këtë nismë është të ndryshohen pikëpamjete e krijimit, ndërtimit të individit me vizion të qartë për të ardhmen e tij dhe të shoqërisë ku jeton ai. Kështu ka mundësi të krijohen kushtet e nevojshme për integrimin e individit dhe të shoqërisë shqiptare në të gjitha fushat e jetës, si:në lëvizjet politike, intelektuale, shkencore, teknologjike, në zhvillimet ekonomike dhe në zhvillimet kulturore e sociale në nivel të vendeve të përparuara botërore dhe evropiane.

Duke u mbështetur mbi baza të mirëfillta shkencore, qoftë në aspektin e formës, qasjes metodologjike, organizimit dhe ndërtimit të përmbajtjes të lëndës së zhvillimit të Planit dhe programit mësimor lëndor, ashtu edhe në aspektin e parashtrimit të rezultateve të nxënies, mjetet mësimore, metodat, teknikat e realizimit dhe mjetet e vlerësimit synohet të krijohet një shkollë moderne e standardeve të përparuara europiane dhe botërore.

         Duke u nisur nga kjo porositen grupet punuese profesionale, të cilat punojnë në zhvillimin e planeve dhe programeve, se duhet të jenë në vazhdimësi në hap me zhvillimet e reja që paraqiten në fushën e arsimit dhe në konsultim të vazhdueshëm me ekspertë, qofshin ata vendor apo ndërkomëtarë. Në këtë proces të zhvillimit dhe hartimit të planeve dhe programeve në shkallë kombëtare, duhet kërkuar ndimë edhe nga ministritë përkatëse arsimore të shteteve amë, institutet dhe qeveritë e disa shteteve fqinje, ku jetojnë shiptarët. Gjatë hartimit të planeve dhe programeve, grupet punuese duhet t`i kushtojnë një vëmendje të veçantë kultivimit të një qëndrimi pozitiv ndaj të mësuarit, të inkurajohen nxënësit për një angazhim të arsyeshëm në plotësimin e kërkesave shkollore, zhvillim të shkathtësive në jetën e përditshme, gjithnjë duke pasur kujdes të veçantë zhvillimin fizik dhe psikik të nxënësve në mosha të ndryshme.

         Qëllimi i planeve dhe programeve, realizimi i tij kryesisht varet nga puna dhe përkushtimi i punonjësve arsimor, për të cilët edhe hartohen këto plane dhe programe. Për të pasur lehtësi në realizimin e planeve dhe programeve Ministritë përkatëse të shteteve dhe institucionet komunale me drejtoritë e tyre arsimore duhet të organizojnë cikle seminarësh apo ligjëratash të cilat të jenë të udhëhequra nga njerëz ekspertë lamishë përkatëse duke i bashkëngjitur edhe udhëzime plotësuese këtyre planeve dhe programeve.

          Struktura e planeve dhe programeve lëndore mbështet ose përmban disa parime, si:

Ø qëllimet;
Ø objektivat,
Ø vlerësimin;
Ø udhëzimet metodologjike;
Ø burimet dhe mjetet mësimore;
Ø plani mësimor i lëndës; dhe
Ø literatura.

 Plani dhe programi i gjuhës shqipe

Në këtë shkrim,  unë do të përpiqem të trajtoj  çështjen e Planit dhe programit të Gjuhës shqipe për nivelin e shkollimit fillor, meqenëse edhe kam punuar dhe e kam të njohur pak këtë problematikë. Bashkë me disa kolegë, duke u nisur nga qershori i vitit 2005, kemi marrë përsipër harmonizimin e Planit dhe programit të Gjuhës shqipe, për nivelin e shkollimit fillor dhe të mesëm me tekstet e lejuara nga ana e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë. Duke u nisur nga e dhëna se gjuha është njëra nga veçoritë themelore dhe përbën elementin kryesor të identitetit, qoftë individual apo kolektiv të një kombi dhe në këtë drejtim mësimi i gjuhës është procesi i cili nuk përfundon asnjëherë. Kjo punë kërkon një përkushtim dhe angazhim të madh, sepse ky proces ka peshë të veçantë, sidomos në shkollë. Mësimi i gjuhës amtare ka funksion të dyfishtë: si lëndë kryesore mësimore dhe si gjuhë për lëndët e tjera shkollore.

Programi i gjuhës amtare është pjesë e programit të shkollës fillore dhe të niveleve tjera të arsimit, e tash së voni mësimi i Gjuhës shqipe ka nisur të ngritet në nivelin e lëndës obligative edhe në fakultete.

Kërkesë themelore e gjuhës në nivel të shkollimit fillor dhe të mesëm është aftësimi i nxënësëve për zhvillimin e dijeve dhe shkathtësive të komunikimit si dhe përdorimi i drejtë i gjuhës në situata përkatëse. Gjithashtu në këto nivele të shkollimit synohet formimi i personalitetit, duke përfshirë këtu edhe kulturën e sjelljes dhe të komunikimit. Vëmendje e veçantë duhet kushtuar rritjes së shkathtësive të përdorimit të gjuhës amtare si dhe nivelit të përgjithshëm të formimit kulturor të nxënësit. Në këto nivele të shkollimit nxënësit duhet  të mësojnë të zhvillojnë kulturën e të dëgjuarit dhe të folurit, kulturën e të lexuarit dhe kulturën e të shkruarit, duhet të mësojnë të bëjnë analiza dhe përgjithësime të teksteve të ndryshme letrare dhe jo letrare dhe të fitojnë njohuri gjuhësore të mjatueshme për moshën e tyre.

Qëllimi i Planit dhe programit të lëndës së gjuhës amtare është  që nxënësit nëpërmes tij të  pasurojnë fjalorin,  fitojnë njohuri dhe shprehi në përdorimin e drejtë të gjuhës, mësojnë si të hartojnë ose krijojnë tregime, të bëjnë përshkrime, shpjegime, të argumentojnë, të zhvillojnë imagjinatën dhe shprehin kreativitetin e tyre si dhe të kultivojnë aftësitë e për të gjykuar e vlerësuar. Nëpërmes gjuhës amtare nxënësit gjithashtu do të aftësohen të shprehin mendimet qëndrimet, kërkesat dhe përvojat e tyre.

Me anë të Planit dhe programit të Gjuhës shqipe nxënësit do të zhvillojnë, zotërojnë dhe zbatojnë shkathtësitë e komunikimit. Plani dhe programi i Gjuhës duhet t`i kushtojë vëmendje të veçantë përdorimit të saktë të gjuhës, formimit kulturor dhe përvetësimit të shkathtësive të komunikimit. Nxënësit nëpërmes të Planit dhe programit të Gjuës shqipe i praktikojnë njohuritë e përvetësuara nga letërsia, kultura, gjuha, nëpërpërmes formave të ndryshme të krijimtarisë individuale dhe grupore: nëpërmes eseve, projekteve, punimeve të ndryshme, të cilat u mundësojnë nxënësve strukturimin e mendimeve, gjykimeve dhe zhvillimin e imagjinatës.

Plani dhe programi i gjuhës amtare për shkollimin fillor duhet të jetë i organizuar përmes këtyre shkathtësive të komunikimit: të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit, brenda të cilave janë vendosur tërësitë tematike e në kuadër të tyre përmbajtjet programore dhe rezultatet e pritshme. Nëpërmjet programit të kësaj lënde, nxënësit duhet të aftësohen të pasurojnë fjalorin, mësojnë përdorimin e kategorive gramatikore nëpërmjet shkathtësive gjuhësore, rregullat kryesore të saj dhe drejtshkrimin, mësojnë si të vlerësojnë, të ndërtojnë dhe kultivojnë aftësitë e tyre për të gjykuar.
Lënda e gjuhës amtare i vë nxënësit në kontakt me veprat madhore të letërsisë kombëtare dhe botërore që janë në pajtueshmëri
me dëshirën, kërkesën dhe moshën e tyre. Nxënësit, duke lexuar, fitojnë njohuri dhe përfytyrim fillestar për krijimtarinë letrare dhe periudhën kohore të caktuar në të cilën është krijuar ajo.

Hartimi i teksteve

Dihet se instrumenti më efektiv dhe më i përhapur në procesin mësimor dhe edukativ është padyshim teksti, libri, edhe pse në epokën e tanishme kemi një shpërthim të vërtetë të mjeteve moderne, si ato: kompjuterike, audiovizuele etj., por libri është mjeti i cili vështirë zëvendësohet, prandaj hartimit të tyre duhet kushtuar një kujdes i veçantë. Në këtë kohë, kur kemi një shpërthim të jashtëzakonshëm të mjeteve moderne mësimore, si: kompjuteri, interneti, etj. Teksti, e sidomos libri shkollor, mbetet mjeti më i përhapur dhe ndoshta më efektiv për realizimin e procesit mësimor.  Teksti mësimor, për nga forma, praktikisht nuk ka ndryshuar fare, por vendi dhe roli i tij në procesin edukativo – arsimor ka pësuar një ndryshim relativisht të ndjeshëm. Teksti është përdorur kryesisht për përcjelljen e njohurive, përmbledhjen e detyrave dhe ushtrimeve. Teksti, libri shkollor, shërben edhe në plotësimin ose përhapjen e vlerave sociale, edukative dhe kulturore.
Këto vlera dhe funksione mbeten kryesore edhe në ditët tona të sotme, por këto duhet t`u përgjigjen edhe disa kërkesave, kritereve të reja për hartimin e tyre, si: zhvillimin e njohurive dhe shprehive te nxënësit për punë të pavarur, të sjellin metoda të reja të të mësuarit, t`i bashkërendititn ose integrojnë njohuritë e fituara në jetën e përditshme dhe të sjellin kërkesa të reja.

Duke u nisur nga këto kërkesa, mendoj se është e domosdoshme që t`u sugjerojmë të gjithë atyre, që për arsye të ndryshme ndeshen me problemin e hartimit të teksteve shkollore apo analizën e tyre, si mjete të përdorin disa kritere të cilat mund të çojnë drejt hartimit cilësor të teksteve shkollore. Në hartimin i teksteve shkollore dallojmë pjesëmarrësit në procesin e përpunimit të teksit shkollor, etapat e përpunimit të tekstit shkollor, objektet e studimit dhe aspektet e veprimtarive për to, etapat metodike të studimit, të paraqitura në tekst, funksionet e tekstit shkollor, vlerësimi i tekstit etj.

Teksti shkollor duhet të ketë këto karakteristika:

Ø të realizojë funksionet që kanë të bëjnë me procesin;
Ø të paraqesë objekte të ndryshme të mësimit dhe studimit;
Ø të paraqesë aspekte të ndryshme të veprimtarisë në procesin mësimor.Hartimi i tekstit shkollor është një proces i             ndërlikuar, në të cilin proces marri pjesë mjaft persona. Ata realizojnë disa funksione në hartimin e tekstit shkollor, si:
Ø përpunimi i përmbajtjes së tekstit shkollor;
Ø konceptimi ose hartimi i dorëshkrimit të tekstit shkollor;
Ø vlerësimi i tekstit shkollor, i cili garanton cilësinë e tekstit;
Ø përdorimi i tekstit shkollor, ku edhe përfundon procesi i hartimit të tekstit shkollor.

Natyrysht se në qendër të këtij procesi është botimi tekstit shkollor, sipas normave dhe rregullave të parapara me ligj, i cili proces siguron lidhjen ndërmjet përpunimit, konceptimit, përdorimit dhe vlerësimit të takstit shkollor. Këtu duhet parashikuar, jo vetëm prodhimin ose botimin e tekstit shkollor, por duhet paraparë edhe çështjen e finansimit dhe shpërndarjes së tij.

         Hartimi i tekstit shkollor është një proces i gjatë, sepse hartimi i dorëshkrimit, redaktimi, botimi dhe shpërndarja kërkojnë një peridhë mjaftë të gjatë kohore deri në përfundimin e këtij procesi. Procesi i hartimit të tekstit kalon nëpër shumë faza të cilat në vetvete përfshijnë procesin e përpunimit të tekstit shkollor.

Nga ky aspekt mund të përmendim tri faza kryesore nëpër të cilat kalon procesi i hartimit të tekstit shkollor:

Ø    faza e përcaktimit të projektit, e cila fillon me analizën paraprake dhe mbaron me hartimin/shkrimin e kapitullit të parë, i cli kapitull duhet t`i nështrohet kontrollimit/recensimit fillestar eksperimental;
Ø    faza e hartimit/të shkruarit, ku i tërë dorëshkrimi, teksti dhe ilustrimi duhet të paraqitet i propozuar në formën konkrete që e sjell në kontrollim/recensim të ri eksperimentues dhenë miratim/aprovim të dorëshkrimit;
Ø    faza e tretë i takon pjesës së prodhimit  e cila është kryesisht teknike dhe që përfundon me përgatitjen e librit/tekstit në formën finale në të cilën edhe do të botohet. Kjo fazë mbyllet me kontrollim në nivel të plotë dhe krejtësisht real.

Nga ky aspekt shihet se vlerësimi i tekstit nuk është pjesa përfundimtare e procesit të hartimit të tekstit shkollor, por përkundrazi ai përballet me një sërë etapash, të cilat duke u nisur nga analiza e nevojave, kërkesave, kontrrollimi eksperimental, recensimet e herëpashershme e deri te kontrollimet finale bëjnë që procesi i hartimit të teksteve shkollore të jetë një proces mjaftë kompleks dhe i ndërlikuar që kërkon një kujdes të veçantë, qasje serioze dhe bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet individëve/hartuesve dhe institucioneve arsimore.

Hartimi i teksteve të Gjuhës dhe Letërsisë shqipe

Teksti i Gjuhës shqipe duhet t`iu ofrojë nxënësve dhe mësimdhënësve një mënyrë të re konceptimi si në formë, ashtu edhe në përmbajtje. Tekstet e Gjuhës shqipe, për nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm, duhet të synojnë realizimin e standardeve të përmbajtjes, duke u bazuar dhe ndërtuar mbi këto fusha programore, si:
Ø të shprehurit (me gojë dhe me shkrim) dhe krijimtaria;
Ø kultura e informimit (medies),
Ø letërsi; dhe
Ø lektyrë.

Duke u nisur dhe bazuar nga këto fusha programore, tekstet e Gjuhës shqipe, për nivelet e arsimit fillor dhe të mesëm, duhet të konceptohen në dy pjesë ose ndarje të mëdha: Njohuri letrare dhe Njohuri gjuhësore, ku në secilën pjesë duhet të dalin në plan të parë objektivat për leximin letrar (dhe jo letrar) si dhe gramatikën. Në pjesën e parë të tekstit shkollor për Gjuhën shqipe duhet të zënë vend dhe të jetë realizuar një integrim i plotë ndërmjet temave të rubrikave/kategorive:të lexuarit, të folurit dhe të shkruarit, kurse pjesa e dytë e tekstit të shërbejë për ilustrimin/demonstrimin e njohurive gjuhësore që mund të bëhet nëpërmjet teksteve të zgjedhura nga pjesa e parë. Nga kjo kuptohet se pasi nxënësi ka studiuar tekstin nga aspekti kuptimor e stilistik në pjesën e dytë e analizon edhe ng aspekti gjuhësor.Mendoj se duhet patur kujdes në përzgjedhjen e teksteve për lexim. Duhet t`i shmangemi kriterit antologjik duke i dhënë përparësi kriterit shkencor e didaktik.

Pjesët e zgjedhura duhet të tregojnë tipe të ndryshme shkrimi, si: përralla, legjenda, tregime artistike, histroike, shkencore të letrarizuara, reportazhe, drama, filma, shkrime gazetareske,etj. Në tekst duhet të përfshihen elemente të ndryshme letrare të cilat duhet të mësohen dhe përsëriten, si: tema, ideja, personazhi, rrëfimi, figura të ndryshme letrare, si: epiteti, krahasimi, hiperbola, etj. Teksti, poashtu duhet të përfshijë edhe rubrika mësimore të cilat e ndihmojnë mësuesin që të realizojë një mësim aktiv si dhe të zhvillojë te nxënësit aftësimin e tyre në të folur, në të shkruar dhe në të lexuar, qoftë në grup, qoftë në formë individuale.

Duke u mbështetur bi bazën e kriterve bashkëkohore hartuesit e teksteve duhet t`i shmangen aspekteve historike dhe ideologjike të letërsisë duke e nxjerrë në plan të parë letërsinë si të tillë. Nga ana tjetër struktura e tekstit duhet të jetë e përbërë nga një aparat metodik mësimor me rubrika të pasura dhe shumë të larmishme e të pasura për realizimin e plotë të kërkesav
e të Planit dhe programit. Rubrikat si: kuptojmë tekstin, vlerësojmë dhe interpretojmë tekstin,  studiojmë gjuhën e tekstit(kjo rubrikë është e lidhur me gramtikën, ku mësuesi ka mundësi të bëjë integrimin e njohurive të fituara nga nxënësit gjatë mësimit të gramatikës me njohuritë letrare) dhe diskutim mësmor rreth tekstit ndihmojnë nxënësin për zbërthimin e plotë të kuptimit të tekstit letrar, e ndihmon nxënësin në zbulimin e plotë të nëntekstit me të gjitha shtresat dhe llojet kuptimore të tij, nxistë tek ai mendimin e pavarur dhe krijues dhe  pasuron kulturën e tij me mendim kritik më të mirë në nivelin e kritikës letrare botëror.

Duke u nisur nga ajo që thamë më lartë se teksti i Gjuës shqipe duhet të jetë i ndërtuar mbi katër fushat programore të përmendura më lartë, atëherë ai duhet të përmbajë këto tematika, si:

Ø Tematika e ditës dhe proza artistike;
Ø Lloje të ndryshme të poezisë;
Ø Përralla, legjenda, mite, tregime historike;
Ø Shkrimi fantastiko-shkencor;
Ø Shkrimi gazetaresk, filmi, drama, teatri, etj.

         Duke u mbështetur në këto fusha hartuesit e teksteve shkollore të Gjuhës shqipe duhet të kenë kujdes që tekstet të përmbajnë këto katër rubrika, të cilave duhet shtuar edhe rubrikën e detyrave me shkrim ose Të shkruarit me anë të së cilës nxënësi aftësohet të shkruajë lloje të ndryshme të tekstit të shkruar letrar ose jo letrar, si:ritegimi, përmbajtja, përmbledhja, portreti, përshkrimi, kronika, letra, ditari, lajmi, etj.        

Pjesa dytë e tekstit ose teksti i veçantë duhet të përmbajë pjesë nga këto fusha, si:leksikologjia, morfologjia, sintaksa dhe kulturë e gjuhës.

Kjo përmbajtje e tekstit ose ky tekst ndihmon që nxënësi të dallojë fjalët, llojet dhe strukturën e saj, të dallojë veçoritë të cilat i ka fjala si e ligjëratës, të dallojë klasat e fjalëve, të bëjë analizën e fjalës sipas klasave, të mund të dallojë tiparet e pjesëve të ndryshueshme dhe të pandryshueshme të ligjëratës e në këtë plan të studiojë rolin/funksionin e fjalës në fjali.
Mësimi i sintaksës të parashihet të mësohet pas morfologjisë që nxënësi të rimësojë dhe të rimarrë njohuri edhe nga morfologjia, e cila ndihmon nxënësin në përforcimin e njohurive për çdo pjesë të ligjëratës dhe funksionin që e kryejnë ato në fjali. Rubrika Kulturë e gjuhës duhet të përfshihet në tekst me qëllimqë të ndihmojë nxënësin në arritjen e njohurive në fushën e ligjërimit, sileve të gjuhës dhe të kaluarës historike të gjuhës shqipe.

Teksti duhet të jetë i koncepruar/menduar me orë mësimore në përputhje me kërkesat e planit dhe programit.
Përfundimi

Gjuha është njëra nga veçoritë themelore dhe përbën elementin kryesor të identitetit, qoftë individual apo kolektiv të një kombi dhe mësimi i gjuhës është procesi i cili nuk përfundon asnjëherë. Kjo kërkon një përkushtim të madh, sepse ky proces ka peshë të veçantë, sidomos në shkollë. Mësimi i gjuhës amtare ka funksion të dyfishtë: si lëndë kryesore mësimore dhe si gjuhë për lëndët e tjera shkollore.

Programi i gjuhës amtare është pjesë e programit të shkollës fillore. Kërkesë themelore e gjuhës në këtë nivel shkollimi është aftësimi i nxënësëve për zhvillimin e dijeve dhe shkathtësive të komunikimit si dhe përdorimi i drejtë i gjuhës në situata përkatëse. Gjithashtu në këtë nivel shkollimi synohet formimi i personalitetit, duke përfshirë këtu edhe kulturën e sjelljes dhe të komunikimit. Vëmendje e veçantë duhet kushtuar rritjes së shkathtësive të përdorimit të gjuhës amtare si dhe nivelit të përgjithshëm të formimit kulturor të nxënësit. Në këtë nivel shkollimi nxënësi duhet  të mësojë të zhvillojë kulturën e të dëgjuarit dhe të folurit, kulturën e të lexuarit dhe kulturën e të shkruarit, duhet të mësojë të bëjë analiza dhe përgjithësime të teksteve të ndryshme letrare dhe jo letrare dhe do të fitojë njohuri gjuhësore të mjatueshme për moshën e tyre.

Nxënësit nëpërmes programit të lëndës së gjuhës amtare pasurojnë fjalorin, fitojnë njohuri dhe shprehi në përdorimin e drejtë të gjuhës, mësojnë si të hartojnë ose krijojnë tregime, të bëjnë përshkrime, shpjegime, të argumentojnë, të zhvillojnë imagjinatën dhe shprehin kreativitetin e tyre si dhe të kultivojnë aftësitë e për të gjykuar e vlerësua. Nëpërmes të gjuhës amtare nxënësit gjithashtu do të aftësohen të shprehin mendimet qëndrimet, kërkesat dhe përvojat e tyre.
Programi i gjuhës amtare për shkollimin fillor duhet të jetë i organizuar përmes këtyre shkathtësive të komunikimit: të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit, brenda të cilave janë vendosur tërësitë tematike e në kuadër të tyre përmbajtjet programore dhe rezultatet e pritshme.

Nëpërmjet programit të kësaj lënde, nxënësit duhet të aftësohen të pasurojnë fjalorin, mësojnë përdorimin e kategorive gramatikore nëpërmjet shkathtësive gjuhësore, rregullat kryesore të saj dhe drejtshkrimin, mësojnë si të vlerësojnë, të ndërtojnë dhe kultivojnë aftësitë e tyre për të gjykuar. Lënda e gjuhës amtare i vë nxënësit në kontakt me veprat madhore të letërsisë kombëtare dhe botërore që janë në pajtueshmëri me dëshirën, kërkesën dhe moshën e tyre. Nxënësit, duke lexuar,   fitojnë njohuri dhe përfytyrim fillestar për krijimtarinë letrare dhe periudhën kohore të caktuar në të cilën është krijuar ajo.

Literatura

1.      Grup autorësh, “Letërsia Botërore për klasën e dytë të shkollave të mesme”, Libri shkollor, Prishtinë,1999;
2.      Instituti i studimeve pedagogjike, “Kurrikuli dhe Shkolla”, Tiranë, 2002;
3.      Isak Shema,  Çështje të arsimit kombëtar shqiptar,  Libri shkollor,  Prishtinë, 2000;
4.      Isak Shema, “Letërsia shqiptare e shek XX”, Rozafa, Prishtinë, 2003;
5.      Isak Shema, “Procedime letrare”, Rilindja, prishtinë, 1999;
6.      Isak Shema, “Studime letrare”, Universiteti AAB, Prishtinë, 2008;
7.      Ministria e Arsimit dhe Shkencës “Strategjia Kombëtare e zhvillimit të arsimit parauniversitar 2004-2015”, Tiranë, 2004;
8.      Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, “Plani dhe program mësimor 1-12”, Prishtinë, 1999-2005;
9.      R. Qosja, Nocione të reja albanologjike, Prishtinë, 1983;
10.  Rita Petro dhe Xhevat Syla, “Leximi 6”, Albas, Prishtinë, 2005;

SHPËRNDAJE