Përralla e Çelsit zë ende faqet e para të shtypit europian, pasi blutë e Londrës arritën të fitonin për herë të parë në historinë e tyre Ligën e Kampioneve. Presidenti i nderit Brus Bak, ka mbetur i befasuar nga Didier Drogba, që në momentin e fitimit të trofeut ka nisur të flasë me Kupën. “Përse na u shmange për kaq kohë, duke flirtuar me ne në 2009 në Barcelonë dhe në 2008 në Moskë?”, kanë qenë fjalët e Drogba në dhomat e zhveshjes, në praninë e Roman Abramoviç, që dukej hipnotizuar nga e gjithë skena. Por, kjo ishte vetëm njëra pjesë e prapaskenave të finales.

Përpara saj, trajneri Roberto Di Mateo ka thirrur skuadrën në hotel, për t’i treguar një DVD. Të gjithë kanë menduar se ishte një skemë taktike, por në të vërtetë ishte një urim autentik i yjeve të së shkuarës të Çelsit dhe i familjarëve të lojtarëve londinezë. Nuk kanë munguar as imazhe të futbollistëve ndër vite, në periudha të ndryshme kohe. “Ajo e Drogba dukej si një eksperiencë fetare”, tha presidenti Brus Bak. “Dukej sikur po lutej”, shtoi ai. Megjithatë, e ardhmja e Didier Drogba duket gjithnjë e më shumë drejt Kinës, ku klubi i Shangai Shenhua i ka ofruar pagën stratosferike 250 mijë stërlina neto në javë.

“Didier është një kampion, por duhet të mendojmë se çfarë është më e drejtë për të dhe për Çelsin”, u shpreh më tej presidenti Bak. Njësoj sikur të thoshte: “Faleminderit që shënove golin vendimtar, por tani duhet të ikësh.

Di Mateo

Megjithatë, çështja më delikate në kampin e Çelsit mbetet ajo e trajnerit Roberto Di Mateo. Futbollistët, mediat dhe trajnerët e shumtë në Angli përsërisin se tekniku duhet të rikonfirmohet pas fitimit të trofeut më të rëndësishëm europian për klube. Edhe gjatë festimeve, lojtarët i kanë kërkuar Roman Abramoviç që të konfirmojë teknikun. “Ishte një nga rastet e rralla kur futbollistët ndjenin se mund të dilnin mbi Abramoviç, – ka treguar një burim anonim për Mirror. – Roman gjithsesi e mori me të qeshur”, shtoi ai. Brus Bak ndërkohë ka pranuar se Di Mateo është një nga kandidatët kryesorë, por sipas tij, drejtuesit do të diskutojnë se çfarë është më e drejtë për klubin. “Roberto ka bërë shumë gjëra të mëdha, sidomos që u riktheu besimin lojtarëve, por neve na duhet të marrim mendime”, u shpreh presidenti i nderit. E ndërkohë, vetë Di Mateo nuk ka pranuar të bëjë shumë komente, duke thënë se mezi po pret të nisë pushimet. Në fakt, tekniku i bluve duket më i qetë pas fitores së Champions, pasi ofertat tashmë nuk i mungojnë, duke nisur nga Lacio dhe Aston Vila. Po ashtu, nuk është çudi që Abramoviç ëndërron ende të bindë Pep Guardiolën të ulet në stolin e Çelsit, duke monitoruar edhe Kapelon, Loran Blank, Didier Deshamp dhe Gus Hidink.

Revolucion?

Fitorja e Champions League ka krijuar dilema të shumta te Roman Abramoviç, nëse ai duhet të ndryshojë skuadër apo t’i besojë ende “gardës së vjetër”. Në fakt, ndryshimi i teknikut mendohet për të ndërtuar një cikël të ri, bazuar në blerje të reja, që do të ndryshonin thelbin e skuadrës së krijuar në vitet 2004-2005 nga Murinjo. “Nuk mendoj se do të ketë një revolucion, – u shpreh presidenti Brus Bak. – Gjithsesi, po ju them se do të ikin disa futbollistë dhe do të vijnë disa të tjerë”. Në listë hyjnë që tani Falkao i Atletiko Madrid, Hulk i Portos, Lukas Moura i San Paolos, Andre Shyrle i Bajer Leverkusen dhe Eden Hazard i Lilës, për të cilin flitet se ka një ofertë orej 32 milionë stërlinash. Po ashtu, nuk mungon në listë Luka Modriç, një dëshirë e vjetër e Abramoviç. E ndërkohë, drejt largimit duket edhe Fernando Torres, që vazhdon të ngrohë stolin. Spanjolli ka kërkuar një takim urgjent me drejtuesit e klubit për këtë çështje.

SHPËRNDAJE