Cesare Prandelli, trajneri i Italisë, është i bindur se skuadra e tij do të zhvillojë një ndeshje të madhe ndaj Gjermanisë në gjysmëfinalen e EURO 2012.

“Është nder për ne të përballemi me një ekip të fuqishëm si Gjermania. Do të luajmë me qetësi dhe me bindjen se mund të bëjmë një ndeshje të madhe”, theksoi tekniku i axurrëve në konferencën për shtyp para ndeshjes, ditën e mërkurë.

I pyetur në lidhje me moshën më të re të kundërshtarëve dhe dy ditëve më shumë që gjermanët kanë pasur në krahasim me italianët, Prandelli theksoi: “Cfarë zgjidhjeje tjetër kemi? Të ikim në shtëpi sepse ata kanë pasur dy ditë më shumë pushim? Ky ishte kalendari dhe duhet ta pranojmë.”

Trajneri nuk tregoi asgjë në lidhje me formacionin: “Mund të them vetëm që të gjithë janë gati dhe psikologjikisht jemi shumë mirë. Nuk do të ketë ndryshim të skemës për Gjermaninë sepse nuk mund të hedhim tutje dy vite punë.”

Në fund, Prandelli nënvizoi: “Jemi pak të lodhur, por duhet të mendojmë në mënyrë pozitive. Kur të flemë gjumë sot (dje) duhet të ëndërrojmë për një natë të mrekullueshme.”

SHPËRNDAJE