"PORTOKALLI" SËRISH NË TOP CHANNEL

Portokalli” nga kjo e dielë rikthehet në ekran. Spektakli i humorit, si gjithmonë do të sjellë aktualitetin vendas nëpërmjet notave gazmore, por me risitë e radhës, duke nisur nga prezantuesit: Eneda Tarifa e Salsano Rrapi.

Aktorë të rinj e të tjerë të njohur të skenës shqiptare i janë bashkuar stafit. Personazhe të reja, por edhe të tjera me të cilat publiku është afeksionuar tashmë.

Në shënjestër për të bërë humor janë thuajse të gjithë: njerëz të thjeshtë nga qyteti e fshati, gazetarë dhe politikanë.

“Vinë një numër i ri aktorësh pas një eksperience jashtë “Portokalli”, si edhe aktorë fare të rinj. Do ketë aktorë si Genc Fuga, mjaft i njohur, si dhe rikthime të personazheve të bukura mbi të cilët bie një energji e re. Gjithashtu, risi është edhe prezantimi nga Eneda dhe Salsano, që kanë punuar shumë”, tregon Altin Basha, regjisor i “Portokalli”.

“Prezantimi ynë do të jetë shumë i vecantë, ndryshe nga sa kemi parë më parë. Unë do të jem veshur ndryshe, jo me kostum por si këngëtari”, tregon prezantuesi Salsano Rrapi.

“Ne do të kemi ndërthurje të personazheve. Ata janë aktivë, janë me ritëm. Ndërsa unë nuk do të jem vetëm këngëtare, por do kem edhe disa role”, shprehet pas tij Eneda Tarifa.

“Portokalli” mund të ndiqet live pranë ish-ekspozitës të premten në orën 19.00, të shtunën në 18.00 dhe nëpërmjet ekranit të Top Channel cdo të diel në 20:45.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni