Dr. Shefqet KRASNIQI

 

Problemi i Sirisë dhe Mianmarit (krahinës Arakan) nuk janë probleme që shqetësojnë vetëm për faktin pse kundër njerëzimit po kryhen masakra, por edhe për shkak të politizimit të këtyre dy çështjejeve. Për të intervenuar në Irak e në Libi nuk u deshtë kaq shumë kohë dhe kaq shumë takime e konferenca, ndërsa, përkundër faktit se gjendja vetëm sa përkeqësohet nga dita në ditë në Siri dhe e këtillë vazhdon edhe në Burma, ende nuk ka asgjë konkrete.

 

Qëndrimi i zymtë i palës ndërkombëtare lë shumë pikëpyetje:

 

Përse nuk intervenohet në Siri?

 

Athua bilanci i viktimave nuk është mbushur ende për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare për veprim?!

 

Përse nuk intervenohet në Burma kur lufta është në baza fetare?

 

A nuk duhen mbrojtur pakicat fetare?!

 

A nuk kanë të drejtë ata që të ushtrojnë fenë e tyre lirshëm, ashtu siç garantohet në të drejtën ndërkombëtare?!

 

Për keqardhje është dhe fakti se as mediet nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje, sidomos Burmës. Edhe pse çdo ditë kryhen masakra dhe vriten me dhjetëra njerëz, në mediet tona, me përjashtim të disa portaleve islamistike, nuk mund të gjesh pothuajse asgjë që trajton këtë krim kundër njerëzimit.

 

Deri më tani, përveç Turqisë, e cila ditëve të fundit ka filluar që ta thyejë këtë heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe problemin ta ngrit erdhe në instancat më të larta shtetërore, nuk kemi parë veprim tjetër konkret që ka të bëjë me muslimanët e Mianmarit. Qeveria budiste ushtron terror të paparë ndaj tyre ndërsa vazhdon të largon me dhunë nga shtëpitë e tyre me pretekstin se kinse nuk janë banorë të Mianmarit porse janë emigrantë. Pra, bëhet fjalë për pastrim etnik dhe fetar. Dhe krejt kjo mund të thuhet, në një farë forme, me bekimin e Kinës, e cila vazhdon ta mbështesë qeverinë e këtij shteti.

 

Çështja, sinqerisht, është edhe më shqetësuese, kur merr vesh se Bangladeshi, vend me shumicë myslimane dhe ne kufi me të cilin janë këta muslimanë, luan një rol jashtëzakonisht destruktiv, pasi që nuk shpreh as mbështetjen më të vogël për ta ndërsa vazhdon të keqtrajtojë refugjatët në llogore, duke i privuar nga e drejta e punës, etj.

 

Për hire të së vërtetës dhe sensibilizimit të opinionit, që të paktën të mos i harrojmë në lutjet tona, sidomos tash kur jemi në prag të muajit të madhërishëm të Ramazanit, do të doja tua sjell një historik të shkurtër të muslimanëve në Mianmar.

 

Muslimanët e Mianmarit jetojnë në Burmain perëndimor, në shtetin e Arakanës, i cili kufizohet me Bangladeshin. Prejardhja e tyre lidhjet me arabët, maurët, persianët, turqit dhe bengalët. Ata besojnë të jenë pasardhës të popullit autokton, vendas, të cilët në Islam kishin kaluar para disa shekujsh. Megjithatë, qeveria e Mijanmarit këtë asnjëherë nuk ka dashur që ta pranojë, andaj dhe nuk i ka njohur ata si një grup etnik të veçantë, porse për to ka shfrytëzuar shprehje të tjera, duke i quajtur si “muslimanë bengalë.”

 

Përhapja e islamit në Arakan (dhe në krahinat jugore bregdetare të Bangladeshit) ka ndodhur përmes detarëve sufi dhe tregtarëve, në shekullin e IX-të. Në përgjithësi janë popull i devotshëm, dhe tek ta është normale që meshkujt të kenë mjekra kurse gratë të mbajnë hixhabin.

 

Gjenocidin më të madh e kanë përjetuar në vitin 1942, kur regjimi i atëhershëm burman vrau mbi 100.000 njerëz. Vetëm në vitin 1997 ushtria ka shkatërruar më shumë se 40 xhami. Gjithashtu ushtria shkatërron gjithçka të shenjtë tek rohingjenasit dhe këtë e bën për të shembur të gjithë trashëgiminë kulturore të këtij populli musliman.

 

Muslimanët janë të njohur si popullata më e madhe pa nënshtetësi, ndërsa gati se 30 % nga numri i përgjithshëm i popullatës së Arakanës janë bengalët dhe numri i tyre është në rritje.

 

Në Mianmar jetojnë diku rreth 1.5 milionë muslimanë të Rohingjenit, ndërsa 1.5 milionë të tjerë jetojnë në vende si Bangladeshi, Emiratet dhe në Arabinë Saudite, pikërisht për shkak të shtypjes dhe persekutimit. Muslimanët kryesisht merren me bujqësi. Pra, janë të privuar nga funksionet shtetërore.

 

Konsideroj se fati ynë është i ngjashëm me këta njerëz, edhe neve na u mohuan të drejtat siç iu mohuan atyre,e dhe ne u detyruam ta lëshojmë vendin siç detyrohen ata, andaj, të mos themi se çfarë kanë bërë të tjerët, por çka po bëjmë ne për ta. Ajo që kemi mundësi tash për ta është lutja e sinqertë ndërsa kjo nuk është pak.

 

Allahu i çliroftë myslimanët e Burmës siç na çliroi neve ju ndihmoftë popullit sirian për realizimin e aspiratave ashtu siç na ndihmoj neve, amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.

SHPËRNDAJE