Pas bisedës disa minutëshe dhe të pasuksesshme të udhëheqësve të lëvizjes Vetëvendosje me përfaqësues të policisë së Kosovës, të cilëve u është kërkuar heqja e rrethojave, protestuesit kanë larguar ato dhe kanë thyer kordonin e policisë.

Ata, tashmë, ndodhen, para hyrjes së objektit të qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, Policia e Kosovës në një njoftim të shkurtër për media shkruan e quan të paligjshme protestën e organizuar nga Vetëvendosje.

Sipas Policisë së Kosovës, në këtë protestë deri në këto moment po marrin pjesë rreth 600 persona.

Paraprakisht Policia e Kosovës ka përgatitur planet operative policore për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe sipas tyre, deri në këto momente gjithçka është nën kontroll dhe nuk ka intervenuar në ndonjë rast.

E plotësuar- Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymeri, para pak çastesh, i ka dhënë 15 minuta ultimatum policisë së Kosovës, që t’i heq barrikadat, para hyrjes së qeverisë së Kosovës, në mënyrë që ata të mund të zhvillojnë protestën, sipas agjendës së tyre – bllokimit të punës së qeverisë.

E plotësuar- Lëvizja Vetëvendosje, ashtu siç ka paralajmëruar, ka nisur protestën e saj në kundërshtim të marrëveshjes së fundit që Prishtina ka arritur me Beogradi, e sipas së cilës, Kosova në forumet rajonale, do të mund të përfaqësohet vetëm duke u shoqëruar me fusnotën në të cilën është përfshirë rezoluta 1244 e KS të OKB-së.

Qindra protestues, me pankarta të shumta dhe thirrje të vazhdueshme, “Poshtë fusnota”, “Poshtë qeveria”, “Hashim Thaçi shiti Kosovën” po vazhdojnë të protestojnë përderisa, përreth objektit të qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, janë forca të shtuara të policisë së Kosovës, midis të cilëve edhe pjesëtarë të policisë speciale.

Para protestuesve është parë, lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Visar Ymeri, Shpend Ahmeti dhe drejtues të tjerë të lartë të kësaj lëvizjeje, njofton KosovaPress.

Disa orë më parë, përfaqësues të Vetëvendosjes kanë kërkuar nga Policia e Kosovës që të mos i bllokojë rrugët dhe trotuaret dhe të mos i provokojë demonstruesit. Për t’u kujdesur që demonstrata të shkojë mirë, të njëjti kanë bërë të ditur se Vetëvendosje ka organizuar mbi 500 aktivistë – kujdestarë. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE