Policia kundër Plisave: Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon dorëheqjen e Bajram Rexhepit!

Nga konferenca për media e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbajtur sot më 23 prill, ku folën Liburn Aliu, Rexhep Selimi dhe Albert Kastrati nga grupi i tifozëve “Plisat”

Qytetarët e Kosovës para dy netësh kanë qenë dëshmitarë të një ngjarjeje të rëndë dhe brutale. Njësia speciale e Policisë së Kosovës nga Mitrovica ushtroi dhunë të papranueshme ndaj Plisave menjëherë pas ndeshjes basketbollistike mes Prishtinës e Bambit në palestrën e sporteve në kryeqytet. Nga sjellja e egër e njësisë speciale u pa qartë se këta policë, gjysma e të cilëve serbë, kishin ardhë nga Mitrovica vetëm më një qëllim të qartë: që të rrihnin sa më shumë të rinj shqiptarë.

Nga ngjarja që ndodhi kuptohet se tifozët u sulmuan pa ndonjë arsye të qëndrueshme dhe vetëm pse ishin shqiptarë. Ndryshe, po të kishin qenë serbë e dimë mirë se një gjë e tillë as që do të ndodhte. Këtë konkludim mund ta mbështesim nga përvoja. Serbët e strukturave paralele sa herë bllokojnë rrugët në Leposaviq apo Anamoravë, njësitë special të policisë vihen në mbrojtje të tyre. E, nëse u vihen përballë, atëherë detyrohen që me qetësi të pranojnë lëndimet që ua shkaktojnë serbët kur i gjuajnë. Duhet përmendur lëndimi i 19 policëve të Policisë së Kosovës nga veteranët serbë në pikën kufitare në Mutivodë në shkurt 2008 dhe lëndimi i 21 policëve në bllokimin e rrugës Gjilan – Dardanë, afër fshatit Ranillug, me ç’rast protestuesit serbë sulmuan policinë. Në të dyja rastet nuk pati urdhër per ndërhyrje ndaj protestuesve edhe pse policët ishin të sulmuar. Ata u rrahën dhe nuk patën urdhër as të mbroheshin. Kurse po qe se rastis të jeshë shqiptar dhe klubi yt fiton në ndeshje sportive, atëherë ka shumë gjasë të të zhdëpin dajak. Aty ku ka arsye për ndërhyrje, policia ul kokën. Aty ku nuk duhet, policia krekoset me brutalitet. Kjo na i kujton kohërat kur pësonim vetëm e vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare. Shumë pak ka ndryshime në Kosovë në këtë aspekt nga kohërat e dikurshme.

Policisë së Kosovës duhet t’ia mësojmë se policia është për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarit e jo për rrahjen dhe frikësimin e tij. Policia duhet ta sigurojë jetën e rrezikuar të shqiptarëve të kërcënuar në veri të Kosovës, e jo ndjekjen dhe goditjen e rinisë studentore shqiptare në Prishtinë.

Dhuna e ushtruar po tregon se Policia e Kosovës në vend që të zhvillohet drejt një institucioni të pavarur në funksion të ligjit e sigurisë, po përfundon herë në trajning dhune e herë në njësite zagarësh të urdhëruar politikisht. Kurse Kosova po bëhet një shtet në të cilin, politikanët mbrohen me xhipa të blinduar e alarme nëpër vilat e tyre milionëshe, pjesëtarët e EULEX-it me imunitet nga ligji, kurse qytetarët e pambrojtur i nënshtrohen dhunës policore.

Pas negociatave të Qeverisë me Serbinë dhe kompromiseve të radhës, pas qëndrimeve proserbe të EULEX-it për moskthimin e gjykatësve në pjesën veriore, veç edhe dhuna policore po na mungoka.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, menjëherë i fajësoi Plisat duke deklaruar që tifozët kanë qenë të dhunshëm me ç’rast ka shtuar se do të hetohet nëse Policia i ka tejkaluar kompetencat e saj kur ka vepruar. Ai dhunën policore e quan veçse ‘veprim’ kurse Plisat praktikisht i shpall fajtor para çfarëdo hetimi. Ministri Rexhepi duhet të japë dorëheqje për shkak të kësaj ngjarjeje dhe për shkak të këtyre deklaratave të papërgjegjshme. Ose, së paku, nëse ai s’ka ditur se çka do të ndodhë e çka po ndodhë në Palestrën e Pallatit të Rinisë, atëherë ai do të duhej t’iu kërkojë falje Plisave dhe t’i tregojë fajtorët në zinxhirin komandues të këtij aksioni makabër të policisë duke i nxjerrur me emra e mbiemra eprorët që e urdhëruan dhe zbatuan këtë dhunë policore pa dijeninë e tij. Sepse, nuk është problemi te përkatësia etnike e policëve por te ata që e urdhëruan, lejuan, mundësuan dhe ekzekutuan këtë ekspeditë të policisë zyrtare.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni