Policia italiane ka shkatërruar një organizatë kriminale italo-shqiptare, e cila merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Mediat italiane bëjnë me dije se pjesë e kësaj organizate ishin 18 persona, 9 prej të cilëve shqiptarë që operonin në zona të caktuara të Italisë, njofton NOA.

 

Akuila, 5 shtator 2012

Në mënyrë të veçantë, katër prej pjesëtarëve shqiptarë kishin krijuar organizatë fillestare në Avezzano, e cila më pas është përhapur në Tagliacozzo, ku trafikonin heroinë dhe kokainë që vinte nga Shqipëria, raporton noa.al.

Pothuajse të gjithë personat e përfshirë në këtë rrjet trafikimi, përdornin të njëjtën gjuhë, duke u përpjekur të mbanin të fshehtë identitetin e atyre që bisedonin si dhe qëllimin kryesor të kësaj bisede.

Për këtë arsye ata përdornin kode dhe zhargone të ndryshme për të mos u bërë pjesë e dyshimeve policore.

Shpërndarësit e lëndës narkotike, pjesa më e madhe e të cilëve ishin shqiptarë, operonin pothuajse në të njëjtin terren duke mbajtur në mënyrë sistematike të njëjtët klientë dhe duke shpërndarë të njëjtën cilësi dhe sasi të drogës dhe heroinës në qendrat e Tagliacozzo dhe Avezzano.

Ky aktivitet ishte tepër fitimprurës dhe shpërndarësit arrinin të fitonin në ditë mijëra euro, ndërsa policia ka përdorur metoda të sofistikuara për hetimin e këtyre personave, kallëzimi penal ndaj të cilëve është rezultat i një punë më shumë se 1 vjeçare.

Policia italiane ende nuk ka bërë të ditur emrat e personave, të kësaj organizate kriminale, ndërkohë që vijojnë hetimet dhe janë marrë në pyetje me qindra klientë.

SHPËRNDAJE