Policia: Demnstruesit e Edi Ramës rrezik për sigurinë kombëtare

Zyrtare, Policia: Nuk e garantojmë demonstratën e dytë të opozitës

Policia e Tiranës me anë të një deklarate ka pohuar se tubimi i Partisë Socialiste i paralajmëruar për të premten më 28 janar, përbën rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.

Në një deklaratë për shtyp drejtoria e policisë së Tiranës theksoi se tubimi i opozitës është një rrezik për sigurinë kombëtare. Policia e Tiranës thekson se nuk mund të garantojë mbarëvajtjen e tubimit duke marrë parasysh edhe ngjarjet në demonstratën e 21 janarit.

“Sot më datë 27 janar 2011, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, bën publike përgjigjen e saj, lidhur me kërkesën për tubim të Subjektit Partia Socialiste, Dega Tiranë për ditën e nesërme, si vijon:

Ne përgjigje të shkresës Tuaj, Nr.4 prot, date 26.01.2011, “Njoftim për tubim”, dërguar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ku njoftoni për organizimin e një tubimi homazh në datë 28 Janar 2011, ora 13.30 deri ne orën 15.30, ku grumbullimi i pjesëmarrësve organizohet në disa vend grumbullime, duke lëvizur në drejtim te Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë,

Pavarësisht nga masat qe po merr dhe do marrë Policia e Shtetit në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe bazuar në nenin 1, pika 2, te Ligjit Nr.8773, datë 23.04.2001 “Për Tubimet” ;

i) Duke patur parasysh se tubimi i datës 21 Janar 2011 degjeneroi ne akte dhune, cënim të rendit kushtetues, sulm ndaj institucioneve kushtetuese, sulme të dhunshme ndaj punonjësve te Policisë së Shtetit gjatë përmbushjes së detyrës së tyre funksionale për garantimin, mbarëvajtjen dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike;

ii) Duke patur parasysh se një numër i madh protestuesish në tubimin e lartpërmendur, dispononin armë zjarri, bomba Molotov, mjete të tjera te forta si gurë, shkopinj, etj,

iii) Si dhe duke u bazuar në informacionet që administrohen nga strukturat e Policisë së Shtetit,

për të cilat (re: pika i) dhe ii) Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë ka bërë referimet e veprave penale në lidhje me aktet e mësipërme,

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka vendosur: Zhvillimi i një tubim-homazh të tillë, përbën rrezik për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Sipas sanksionimit ligjor, te nenit 1, pika 2, të Ligjit Nr.8773, date 23.04.2001 “Për Tubimet” dhe në rrethana të tilla, Policia e Shtetit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, nuk garanton mbarëvajtjen dhe zhvillimin e këtij tubimi”, thuhet në deklaratën e policisë së Tiranës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni