Nga: Namik Selmani

(Miqëve të mi preshevarë…)

1.
Unë isha në Preshevë
Me duar të dridhura mblodha lule trëndafili ndër pragje.
U përqafa me vëllezër
Si të takoja dy male, dy botë, dy ëndrra.
Ma vranë timpanin e veshit
Piskama sulltanësh  të ardhur nga shtigjet e largët.
Në Sofrën e Fjalës
Më erdhën si mikesha të reja  brenga, krenaria dhe kënga
2.
Unë isha në Preshevë …
Dhe  preka mendueshëm lavdinë e lirisë në buste, lapidarë,
Një degë ulliri Çamërie
ua dhashë  fëmijëve, nënave  dhe bacalokëve tek dora.
Hej sa, çudi!
S’më ngeci aspak fjala e malluar në fytin e care.
E pëllëmba  e rrudhosur
m’u bë lulishtore ku rreshtoja nëpër klasa abetaret e reja më shkronja.
3.
Veç të ishit me mua
E zemra do t’iu bëhej dhe juve bash si një gacë e ndezur zjarri.
E një kordele Vardari
Me ca valë Moravice për të gjitha vajzat do të merrnit.
Atje në Luginën  e Luleve
Danubi mund ta prekja vetem me një aravan kali.
E detin emërzi
Mund ta përkdhelja si një  lodër gjersa  të vinte terri.
4.
Unë isha aty
E nuk isha lypës që kërkon duarzgjatur kafshatën.
Hisen e diellit
E kisha mes vëllezërish  në sy, në këmbë, në fletë.
E shpellat
Më zgjonin këngën e re që dëbon theqafshëm  Mandatën
I ulur këmbëkryq
Ndaja gëzimin e hapit kur  mulliri  blojën e pret.
5.
E nuk isha druvari
Me sëpatën e  mprehtë që ahun dhe lisin me eho në tokë rrëzon.
Kisha sjellë
Një farë të e borziloku të mbjellë në një vazo zemre.
Aty e gjeta damarin e burimit
Se buza më ishte tharë nga dimrat e gjatë me llohë.
E currilët e kaltër
I mblodha  për t’i dërguar në oda, ndë  male dhe dete.
6.
Tamtame daullesh
Më sillnin gjëmime lufte që vinin nga shtigjet, nga malet
Në prehër Karadaku
Doja të ndalja Anijen e Fjalës në atë agim bjeshkator maji
Diku, në shkëmbinj
Si vëllam i ri, Zanat nuk më shituan as edhe një tingull fjale
E fjalëshqipen
E pashë në çdo buzë, në çdo konak  si duar flamurtari.
7.
Unë isha në Preshevë
E të gjitha udhëkryqet me semaforë zemrash i kalova.
E pikëlat e djersës
Me pikëlat e gjakut i brazdova në udhët hyjnore
Vogëlush u bëra
Kur më mjaltosnin me uratat e hareshme motra e Lokja
E Presheva
Më përkundëte si një foshnjë me këngën arbërore
8.
Aty numërova ngatërrueshëm
këngët e kurbetit, këngëdasmat e këngët  e vajit.
Povajator
për besë, nuk u bëra para Arkëmortit që trupin zezon.
Aty, në Preshevë,
Me stërgjyshin lahutar e nisa një këngë majekrahu
E gurin e fundit
Për oxhakun e kullës së re mes Lugine e shtrëngova fort.
9.
Aty,
Vura në kokën e thinjur një kapuç të shpuar luftëtari.
E nuk munda dot
Që t’ua numuroj një nga një plagët e kuqëluara me cifla predhe.
Në rrathët e djepit
Rizgjova përkëkdheljen që të jep një ninullë zëbehari.
E asnjë zog qiellor
Nuk e pashë ndër kafazë të hekurt, mes Presheve.
10..
Unë  isha në Preshevë…
(Krijuar dhe recituar nga autori, Namik Selmani, në Preshevë , më 27 maj 2011 dhe botuar në librin “Rrahin zemrat arbërore”, faqe 118-121)

SHPËRNDAJE