AGIM GASHI: NË FËMIJËRI MË MERRNIN ME KALË PËR TË KËNDUAR
 
1.Ju jeni ndër figurat e njohura të artit në Kosovë dhe jo vetëm, do të donim të na flisnit pak për fëmijërinë tuaj?

Jam i lindur në fshatin Akllap afër Janjevës, komuna e Lipjanit më 1954. Fëmijëria ime si e shumë bashkëmoshatarëve të mi ishte e vështirë por tejet e këndshme, çka akoma m’i ngjall kujtimet e asaj kohe. Qysh si nxënës i klasës së parë të fillores ia kam nisë këndimit. Mbaj mend se nga zëri dhe kënga ime qanin burrat në odat e mbushur plot. Kisha një zë të thekshëm dhe të pranuar për të gjithë dhe mbaj mend se më bartnin me gomar e me kali në fshatrat e rrethinës për të kënduar në dasmat dhe ahengjet e asaj kohe. Këngët e mia ngjallnin dashuri ndaj atdheut dhe urrejtje ndaj shtypësit. Kur këndoja këngën “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” mbaj mend se të gjithë qanin, qanin madje edhe me gulq, sepse marrja peng e Skëndernbeut nga turqit bashkë me vëllezërit ishte e dhimbshme. Por gjatë këngës bëheshin edhe kthesa, sepse në momentin që Skënderbeu del në mejdan me tre trima nga Irani dhe i mund në dyluftim që të tre, me që fuqia e Skënerbeut ishte edhe fuqia e Shqipërise, duartrokitjet nuk kishin të ndalur.
                              Intervistoi:Helena Halilaj
Pas mbarimit të kater klasëve në fshatin tim, mësimet i vazhdova në Sllovi deri në klasen e shtatë për të vazhduar pastaj në Janjevë. Edhe këtu më lidhin kujtime të ëmbëla e të hidhura. Të ëmbëlat ishin ato kur pas mësmit merrnin nga një të katerten e bukës në furren e fshatit dhe tek ëmbëltorja ia qitnim një katror hallvë në mesin e bukës të cilen e hanim me shumë shije, pastaj koncertet e shkollës, shetitë e shkollës në livadhet e fshatit dhe organizimi i atyre shetitjeve me muzikë, lodra e deri te lojrat e futbollit dhe lojra tjera kombëtare.

Një çast të hidhur më duhet ta ceku se kur isha në moshen 11 vjeçare më ndodhi një fatkeqësi e rëndë që patjeter mbarova në spitalin e Prishtinës por që fati më shpëtoi. Babai im me axhen prenin një dru shelnje në bregun e lumit tonë. Unë nuk isha i kujdesshëm dhe me rrëzuarjen e saj në tokë ai dru rrotullohet dhe mua më rroku në kokë. Disa ditë kisha humbë vetëdijen por fatmirësisht edhe kjo kaloi. Kam shumë për të folur për fëmijërinë time sepse ajo lidhet edhe me muzikën, instrumentet si dhe recitimet e mia nga thesari i Lahutës së Malsisë nga At Gjergj Fishta me të cilën liber fleja por që e kisha edhe si detyrë ta mëshef në vende të sigurta se po të gjendej ai liber në shtëpi mashkujt merrnin edhe nga njëzet vite burg nga pushteti serb i atëhershëm.

2. Kënga si ka zbritur në jetën tuaj, cila ka qenë kënga juaj e parë?

Nuk mundem ta di se cila ishte kënga ime e parë në kohen e fëmijërisë sepse ato ishin të shumta, por kënga ime e parë zyrtare e kënduar dhe e regjistruar në RTP ishte “Mora rrugën për në deti”, një këngë e shkruar nga unë dhe e komponuar gjithashtu nga unë, me aranzhman të Isak Muçollit dhe e përcjelluar nga orkestra e RTP-së nën udhëheqjen poashtu të Isak Muçollit. Kjo këngë mban në vete një ngjarje shumë tragjike. Në vitin 1970 isha këngëtari i parë shqiptar që me një çifteli në dorë këndoja në plazhin e vogël të Ulqinit. Aq isha i kërkuar saqë restauranti ku këndoja dhe përrreth tij ishte plot e përplot njerz. Por një ditë ndodhi një tragjedi. Dy të rinj të ardhur për ta festuar fejesen e tyre duke notuar në detin e hapur, djaloshit i shtangen muskujt dhe më nuk mund të notonte. Edhe pse e fejuara e tij u mundua me tërë forcen ta shpëtonte, nuk arriti. Ekipet shpëtimtare e sollen djaloshin në bregun e detit por të vdekur. E fejuara e tij ishte ulur në bregun e detit dhe derdhte lotët në ujin e njelmtë. U preka shumë dhe atë dhimbje e ndjeva edhe unë në shpirtin tim. Nuk munda të bëj gjë tjeter përpos se ta shkruaj tekstin e këngës ku thuhet:

“Mora rrugën për në deti
Deti po gufon,
Deti po gufon
Bjeshka po ushton
Zemër e një vajze
Me lot po loton. 

Qan me lot e po vajton
Për nji djal të ri
Për nji djal të ri
Që vdiq në rini
E ka lanë të mjeren
Si nji nanë pa fëmi! Etj.
 

Ndersa kënga që më flente shumë ta këndoj në koncerte të ndryshme ishte kënga e Ibrahim Tukiqit “Si t´ja bëj hallit i ngrati” ndersa ajo duetale ishte “Ma ke gishtin për unazë” që për heren e parë e këndova në një koncert të shkolles normale në vitin 1970 sëbashku me Sabrije Rukiqin e që u prit shkëlqyeshëm e me shumë ovacione nga publiku. Ndersa më vonë këtë këngë e kam interpretuar edhe me këngëtaren e njohur Liri Rashen për çka e falenderoj dhe e përshëndes shumë.

E tani si zbriti kënga në jetën time?…do tu thoja se në familjen time kishim mjaft adhurues të muzikës. Këndonte edhe babai im i ndjerë, këndonim sëbashku shpeshherë, axha im Sabiti bënte instrumente muzikore si qiftelia të ndryshme dhe më kujtohet se si e kishte gdhendur një zog nga druri, e kishte lidhur me doren e djathë që i binte çiftelisë, ndersa me levizjen e dorës lëvizte edhe zogu thua se është i gjallë dhe po kërcen me muzikën e bukur shqipe. Nga ajo moshë e re unë u rrita me muzikën dhe rrethin tim familjar që kishin prirje muzikore që më vonë nga shkolla normale unë fitoj pavarsinë për këngën dhe muzikën. 

3. Gjithmonë kemi dashur të flasim për Kosovën por do të donim të dinim cili ka qenë vendi që ka zëne muzika dhe poezia për Kosovën në krijimtarinë tuaj?

Vendi i këngëve dhe poezive të mia në Kosovë ka hyrë që në kohen e rinisë së hershme. Poezinë e parë e kam botuar qysh në klasen e shtatë të fillores në gazeten “Pionieri”, ndërsa nuk kishte festë shkollore, madje edhe në shkollat tjera që mos të merrja pjesë. Që nga viti 1973 u pranova si këngëtar i RTP-së dhe fillova incizimet me zhanrin e këngëve popullore. Por krahas këngës popullore unë këndoja edhe folklorin dhe se shumicën e këngëve që i këndoja ishin tekste të miat. Bile më vonë gjithmonë kam kënduar vetëm tekste të mia këngësh sepse priteshin mirë nga publiku dhe se kërkesat ishin të mëdha. E di që këngët e mia, posaçërisht folklorike janë këngë të rënda, këngë malli e vaji, këngë trimërie e ngjarjesh nga aktualiteti i historisë sonë, por që koha e momenti i kërkonin sepse edhe rrethanat e gjendjes okupuese të Kosovës më shtynin që të jem aty ku duhej të isha. Dhe në shumë raste edhe isha. Isha në në festivalet e muzikës folklorike, isha në shumë shoqëri kulturo-artistike, isha në Akordet e Kosovës, në shumë mbrëmje letrare, por edhe isha në demostratat e vitit 1968, 1981, 1989, isha në pajtimet e gjaqeve, isha në Lubjanë, Zagreb, Sarajevë, por isha edhe në Berlin, Vien, Bern, Bruksel e shumë metropole të Evropës për t’iu treguar edhe të tjerëve përmes këngës sime se ne jemi një popull që nuk kërkojmë as më shumë e as më pak se sa lirinë.

Jam i vetmi këngëtar e poet që nuk përfitova sa duhet nga mundi im, nga kënga ime e cila i është dedikuar kryesisht ngjarjeve, viktimave, luftëtarëve, dëshmorëve, varfërisë, kurbetit dhe thënë me një fjalë i është dedikuar atdheut tim Kosvës. Shqipërisë dhe mbarë shqiptarëve ku frymojnë ata. Kënga dhe poezia ime jo që nuk më ka sjell përfitime, por në shumë raste isha edhe në rrezik ta humbi koken. “Shpërblimet” që më janë dhënë nga atdheu im janë varfëria e skajshme, jetë pa kulm mbi kokë, i përndjekur nga qarqe të errta si në kohen e UDB-së për likuidim sepse nga karagjozët e atdheut që fatkeqësisht pas çlirimit u bënë shumë, më kishin futur edhe në listat e likuidimit. Edhe pse ndjehesha dhe ndjehem akoma i persekutuar e pa asnjë të drejtë unë as në kohen e okupimit sllav e as sot nuk ndalem pa më ndal Zoti, krejt pëtr të mirë e atdheut dhe popullit tim. Derisa në kohen e okupimit isha i ndjekur i plagosur me armë zjarri, i rrahur e i burgosur, i masakruar deri në masen sa policët serb më shtinë të ha audio-kasten time, pas çlirimit isha gjithashtu i ndjekur nga dikushët në atë masë sa nuk e lente pas as metoden sllave e udbeske. Janë raste të shumta ku mund ti përshkruaj maltretimet dhe kërcnimet për këngën dhe poezinë time, por kam turp të rrëfehem për pjestarët e popullit tim se si e luanin rrolin e policisë serbe. Për këtë arsye sot jam pa kulm mbi kokë, jetoj me një vajzë me ndihma sociale të cunguara në Gjermani dhe që të dy me sëmundje të rënda. Shpesh bëj pyetje:Sa do të humbasin dy shtetet shqiptare për sigurimin e një kasolle në Tiranë apo Prishtinë? Dhe do u thoja të dy shteteve të mia: Po t’i kisha vetëm kushtet minimale për punë në atdheun tim, unë shteteve të mia në çdo gjashtë muaj do ua dhuroja nga një libër dhe album me vlerë kombëtare. Duhet ta ceku edhe një rast: Edhe sa isha i burgosur politik në kazamatet serbe hëngra dajak për këngën time. Thjesht këngës ia thoja edhe në qeli! 

4. A është vështirë të luftosh me poezinë dhe këngën nëpër vite apo mision që duhet të kryhet nga çdo artist?

Lufta ime për këngën dhe poezinë ishte një luftë edhe për jetën time. Unë nuk mundja pa këngën e as pa poezinë por që dikujt nuk i pëlqenin. Sëpari nuk i pëlqente armikut serb i cili për asnjë çast nuk u ndalen për të ma thyer vullnetin tim që me këngën dhe poezinë time të jem në shërbim të atdheut. Por nuk arriten. Nuk arriten as dje e as sot sepse vullneti dhe dashuria ndaj atdheut ishin më të fuqishme se shkopinjët e gomës, se qelitë e burgjeve, se rrahjet e maltretimet, se burgosjet e se edhe denigrimet në masë e në mjete informimi.

Luftë ishte edhe aksioni i pajtimeve të gjaqeve ku në ato fusha pajtimi ushtonte kënga ime e ku pas çdo mbarimdite duhej të pregaditesha për rrahjen e radhës. Luftë për këngën dhe poezinë ishte edhe ikja ime nga Kosova. Pas ikjes sëpari këngës ia thash në Maqedoni, pastaj në Slloveni, Kroaci për ta përmbyllur në Sarajevë. Pas kthimit tim ilegal nga Sarajeva, më zunë forcat policore serbe, më rrahen, më mbajten në burg e një të premte më liruan për tu paraqit të dielen. Ishte ky një shenjë e cila më tregonte qart se unë duhet ta lë atdheun tim patjeter, sepse po të u shkoja të dielen e vitit 1992 më sdo të dilja i gjallë nga kthetrat e policit Stoshiq. Naten ika. Përmes kufirit shqiptaro-shqiptar në Han të Elezit kalova në Iliridë e nga atje në Evropë ku gjendem edhe sot, ku akoma shkruaj e këndoj edhe pse i molisur nga sëmundja. Për gadi njëzet vite bredha rrugëve e metropoleve të Evropës herë i vetmuar e herë me miqët e mi si Ali Podrimja, Azem Shkreli, Faruk Tasholli, Agim Çavdërbasha e shumë emra të artit e kulturës shqiptare krejt për senzibilizimin e qështjes kombëtare. Janë të paharrueshme paraqitjet e mia në shtëpinë e Nobelistit gjerman Hajnrich Böll në Langrebroich, në shumë manifestime tjera internacionale, në shumë koncerte humanitere e në shumë klube kulturore an

SHPËRNDAJE