Dr. Shefqet KRASNIQI

Sa i mirë është ky Islam, gjithherë dhe çdo herë i nxitë muslimanët që të bëjnë punë të mira dhe atë sa të munden. Muslimani i mirë në Ramazan dhe i mirë jashtë tij, i mirë për veten, i mirë për shoqërinë, i mirë për njerëzit, e i mirë edhe për kafshët.

Jemi ende në Ramazan, apo thënë më mirë, në dhjetëditëshin e fundit të tij. Jemi në këtë pjesë, në të cilën angazhimi i besimtarëve në adhurim bëhet në mënyrë më intensive. Kësisoj, një natë të errët dhe me vranësira derisa po shkoja në Xhaminë e Madhe për ta falur namazin e natës, pra bëhet fjalë për kohën pas mesnatës, rastisa në diç të bukur dhe të këndshme. Pashë se, jo vetëm Xhamia, porse edhe oborri i saj ishte mbushur plot me djem dhe vajza të reja, bile disa kishin dalë edhe në rrugë…

 

Kjo gjë më bëri të mendoj: a thua vallë pse kanë ardhur gjithë këta të rinj?! Pse nuk janë duke fjetur e pushuar, apo duke pirë kafe me shoqëri, si shumë të tjerë, por kanë ardhur në xhami në këtë kohë?! Çka donë këta njerëz, apo çfarë i motivon ata të vinë në këtë kohë?!

Sigurisht, nuk kanë motive tjera veçse ato të adhurimit. Këta, sikur shumë bashkëmoshatarë të tyre anembanë botës, e dinë se janë në muajin e Ramazanit dhe se shenjtëria e madhe e këtij muaji bënë që këta njerëz, jo vetëm ta kalojnë ditën me agjërim e përkushtim ndaj të madhit Zot, porse edhe natën ta kalojnë duke e madhëruar Krijuesin, duke e lutur Atë, duke medituar, duke kërkuar falje, plotësim dëshirash, etj. Këta njerëz kanë kuptuar se mëshira e Zotit është më e madhe në muajin ramazan, se janë më afër faljes së Tij, më afër plotësimit të dëshirave dhe pranimit të lutjeve. Në veçanti kur e kanë parasysh fjalën e të Dërguarit [alejhiselam]: “Veproni mirë gjatë tërë jetës (tërë kohës), dhe mundohuni të paraqiteni para mëshirës së Zotit të juaj. Ngase Zoti juaj ka momente kur mëshiron e falë më shumë. Lutne Zotin tua mbuloj marret dhe t’ju forcoj në momente të pa volitshme.”

Po, të nderuar, myslimani vepron mirë gjatë gjithë jetës së tij dhe çdo herë ka parasysh Lartmadhërinë e Zotit të tij, gjithmonë duke u përpjekur e synuar kënaqësinë e Tij. Mirëpo në disa kohë dhe disa vende  më shumë. Sepse jo gjithherë mëshira e Allahut është e njëjta ndaj robërve të Tij, dhe njeriu, siç thotë populli, ‘nuk e di ku e fiton dhe ku e humb atë.’ Nuk e di a e fiton mëshirën e Tij natën apo ditën, kur je vetëm apo kur je në publik, në ramazan apo jashtë tij, në iftar apo në syfyr. Mirëpo, megjithatë, ai mundohet t’i zgjedh vendet dhe kohën që të jetë sa më afër pranimit të tij në qiell lartë. Këta të rinj kanë ardhur në këtë natë për të kërkuar kënaqësinë e Zotit të tyre. E si mos ta shfrytëzojnë këtë muaj dhe këto net të fundit të këtij muaji kur në njërën prej këtyre netëve pritet të jetë nata e Kadrit, e quajtur në popull “nata e madhe”, e cila është më e vlefshme sesa një mijë muaj siç është cekur në Kur’an. Si mos të mblidhen në xhamia për tu lutur, kur Allahu ka thënë: “Ju shpejtoni kah punët e mbara” (el-Bekare: 148). E nëse në Ramazan nuk shpejtojmë dhe nuk garojmë në punë të mira atëherë vallë kur do ta bëjmë atë?

Sa i mirë është ky Islam, gjithherë dhe çdo herë i nxitë muslimanët që të bëjnë punë të mira dhe atë sa të munden. Muslimani i mirë në Ramazan dhe i mirë jashtë tij, i mirë për veten, i mirë për shoqërinë, i mirë për njerëzit, e i mirë edhe për kafshët.

Më thoni ku ka kështu si në këtë fe madhështore?! Ku mund të gjeni më të mëshirshëm sesa muslimanët, ku ka më solidar se sa muslimanët, për çdo ditë duke shtruar iftare, duke u dhënë njerëzve me ngrënë e me pi, duke ju dhënë lëmoshë fukarave, duke i ndihmuar njëri tjetrit. Lum për ne që kemi këtë Islam, lum për ne për këtë Ramazan, për madhështinë e kësaj feje!!!

Allahu na e ruajt këtë fe dhe na e pranoftë këtë ramazan dhe çdo punë tjetër të hairit që e bëjmë!

SHPËRNDAJE