Bllokimi i situatës politike në Shqipëri u cilësua nga Komisioni i BE-së si shkaku i mossplotësimit të kushteve për statusin e kandidatit.

Me keqardhje komisioneri i BE-se per zgjerimin Füle shpalli sot se nuk do të bëjë rekomandimin për dhënien e statusit të kandidatit për anëtarësim Shqipërisë. Si arsye për këtë ai përmendi bllokadën politike, mungesën e dialogut dhe mospërparimin në lëmin e reformave. Sidoqoftë, ai shprehu shpresën për fillimin e dialogut, mbështetur në disa shenja të para, sic tha. Në këtë rast Komisioni do të ishte i gatshëm të bënte të mundur një përfshirje më të shpejtë të Shqipërisë pa pritur për kalimin e një viti të plotë.

Komisioni është i gatshëm të nisë një dialog të strukturuar me Kosovën në fushën e sundimit të ligjit si dhe procedurën e zbatuar më parë për vendjet e tjera të Ballkanit për liberalizimin e vizave. Është e qenësishme që Kosova të nisë një agjendë gjithëpërfshirëse për veriun e saj. Agjenda për liberalizimin e vizave do të paraqitet deri në fund të këtij viti.

Serbia duhet të përmirësojë raportet me Kosovën

Komisioni i BE-së rekomandoi këtë të mërkurë (12.10.) që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Megjithatë Komisioni tha se nuk do të caktohet datë për fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim derisa Serbia dhe Kosova të mos kenë normalizuar marrëdhëniet. Ky hap i Komisionit të BE-së pritej që prej arrestimit këtë vit të të akuzuarit për krime lufte, Ratko Mladiç dhe ekstradimit të tij në gjykatën ndërkombëtare për krime lufte.

Përpara fillimit të trazirave me Kosovën për pikat doganore në mes të verës, dukej madje se Serbia do të merrte edhe një datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin. Por në raportin e progresit të publikuar këtë të mërkurë (12.10.) Komisioni i BE-së deklaron se Serbia “duhet të arrijë përparime të qenësishme në përmirësimin e raporteve me Kosovën”, përpara se të fillojnë negociatat e anëtarësimit.

Komisioni rekomandoi që BE-ja të nisë bisedimet për anëtarësim me Malin e Zi. Ndryshe nga Serbia, kandidatura e Malit të Zi me vetëm 625.000 banorë, shihet si relativisht e thjeshtë. Por edhe ai duhet të presë gati një vit, para se BE-ja të vendosë që kushtet e tij janë përmbushur dhe të mund të fillojnë bisedimet. Këto kushte përfshijnë masa më të rrepta kundër korrupsionit dhe reforma në sistemin e drejtësisë.

Maqedonia vendnumëro për shkak të zënkës për emrin

Sa i takon Bosnjes, Komisioni i BE-së tha se progresi në atë vend ka qenë “shumë i kufizuar”. BE-ja nuk rekomandoi asnjë iniciativë të re për kombin e ndarë etnikisht, i cili ka mbetur pa qeveri që prej zgjedhjeve një vit më parë.

Maqedonia, e cila e ka marrë statusin e vendit kandidat rreth gjashtë vjet më parë, ka mbetur në vend për shkak të zënkës për emrin me Greqinë.

Këshilli i Ministrave, instanca vendimmarrëse e BE-së pritet të mbështesë rekomandimet e Komisionit në takimin në dhjetor. Vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë anëtarësimin në BE, duke shpresuar të forcojnë kështu transformimet e tyre demokratike dhe rritjen e aftësisë konkurruese ekonomike. Motivi qendror i BE-së për integrimin e rajonit, historikisht fuçi baroti në Evropë dhe burim i luftërave të ndryshme, është arritja e paqëtimit të tij dhe integrimi i rreth 22 milionë banorëve në hapësirën e tij ekonomike.

SHPËRNDAJE