Po mbahet konferenca e shefave të shtatmadhorive të armatave nga vendet ballkanike

 

Në Ohër të Maqedonisë ka filluar Konferenca e pestë e shefave të shtatmadhorive të armatave nga vendet ballkanike. Konferencën e hapi presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili duke folur para pjesëmarrësve në tubim, shfaqi bindje se bashkëpunimi në fushën e sigurisë bazohet në vlerat, interesat dhe prioritetet e ndara dhe se në mënyrë të vazhdueshme dhe me përkushtim sendërtohet përmes obligimeve, detyrave dhe përgjegjësive të përbashkëta.

“Para një dekade edhe në Ballkan lindi fryma e re e bashkëpunimit. Duke përparuar drejt integrimeve, Ballkani ndërpreu të jetë eksportues kronik i destabilitetit dhe në vend të saj, duke e ndërtuar sigurinë e vet, stabilitetin dhe duke e ndërtuar paqen e vet, u transformua në kontribuues aktiv drejt sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë”, tha Ivanov.

Ai shprehu kënaqësi që liderët ballkanik gjatë dhjetë viteve të fundit, të motivuar nga agjenda e përbashkët evropiane, me qëllim që banorëve të vet t’u sigurojnë jetë të lirë, të sigurt dhe cilësore, kthyen faqe të re nga historia e përbashkët.

“Besoj se duke e pranuar idenë për Evropë të bashkuar, ne më së miri luftojmë për vlerat dhe idealet evropiane, për lirinë, demokracinë dhe sundimin e së drejtës. Jam i bindur se vetëm ashtu Evropa Juglindore do ta gjejë vendin e vet të vërtetë në sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive, e vetëm ashtu Evropa do të jetë me të vërtetë stabile”, tha mes tjerash presidenti Ivanov.

Shefi i Shtatmadhorisë së ARM-së, gjeneral-nënkoloneli Mirosllav Stojanovski, nga ana e vet theksoi se forumi në Ohër paraqet reflektim të përpjekjeve të përbashkëta për partneritet të përforcuar sipas konceptit strategjik të NATO-s, por edhe realizim dhe promovim të sigurisë dhe stabilitetit të qëndrueshëm rajonal. Mu për këtë arsye, siç theksoi ai, tubimi në Ohër vlerësohet si mjet i jashtëzakonshëm për integrim rajonal të aftësive dhe kapaciteteve nacionale dhe mbështetje të rritur ndaj sigurisë kooperuese të ndërsjellët.

“Vazhdimësia në bashkëpunim, por edhe zgjerim të së njëjtës në domene të reja, paraqet nevojë thelbësore apo nëse dëshironi insistim bashkëkohor i bashkimit dhe gjithpërfshirjes i cili vetëm do të mund t’u përgjigjet sfidave moderne të sigurisë dhe rreziqeve asimetrike”, tha Stojanovski.

Ai theksoi se koordinimi, sendërtimi i vazhdueshëm, plotësimi i rregullativave të vazhdueshme për Konferencën e shefave të Shtatmadhorive të vendeve ballkanike, avancimi i mundësive komunikative ndërmjet armatave dhe zbatimi i stërvitjeve të përbashkëta, arsimi dhe ushtrimet, pa dyshim do të kontribuojnë për avancimin e sigurisë së rajonit dhe krahut jugor të NATO-s dhe BE-së”, tha ai, duke vlerësuar se përpjekjet e përbashkëta do t’i përmirësojnë shkallën e gatishmërisë mbrojtëse dhe do t’i avancojnë aftësitë dhe kapacitetet për përgjigje ndaj krizave dhe rrethanave të jashtëzakonshme.

Në Konferencën në Ohër marrin pjesë shefat e SHM të forcave të armatosura (FA) të Maqedonisë, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Bullgarisë, si dhe zëvendësit e SHM të Greqisë, Rumanisë, Serbisë, komandanti i Armatës së tretë turke, si dhe SHM i FA të Malit të Zi.

Si mysafirë do të marrin pjesë zëvendës kryesuesi i Komitetit ushtarak të NATO-s, komandanti i Komandës së bashkuar të NATO-s në Napoli, zëvendësi i drejtorit për planifikim të komandës së forcave të SHBA-së në Evropë, zëvendësi i SHM të FA të Sllovenisë dhe zëvendësi i SHM të FA të Kroacisë.

Konferenca ballkanike e shefave të shtatmadhorive, kumtuan nga Ministria e Mbrojtjes, paraqet rezultat të nismave dhe angazhimeve për përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve në rajon, të cilat kanë për qëllim promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Në fokus të konferencës së pestë të SHM të armatave nga vendet ballkanike pritet të përforcohet bashkëpunimi në fushën e stërvitjes dhe ushtrimeve, përforcimi i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, si dhe vazhdimi i proceseve të filluara për përballje të ndërsjellët me sfidat bashkëkohore të sigurisë, të iniciuara në konferencat paraprake.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni