Përplasje në Kuvendin e Maqedonisë

Marrëveshja policore mes Maqedonisë dhe Serbisë është një hap drejt krijimit të një aleancë antishqiptare mes këtyre dy vendeve. Këto vlerësime nga foltorja e Kuvendit të Maqedonisë i bëri deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Orhan Ibrahimi, i cili ka akuzuar Nikolla Gruevskin se është kryeministri më antishqiptar deri tani më në Maqedoni.

“Në vitin 1990 është mbajtur një referendum në Maqedoni. Pyetja ishte “A jeni për pavarësinë e Republikës së Maqedonisë me të drejtë lidhje me shtetet tjera të Jugosllavisë?”. Pyetja konkrete është a jeni duke realizuar tani pjesën e dytë të kësaj pyetje të referendumit për të vënë në lidhje Maqedoninë në aleancë me Serbinë”, u shpreh deputeti Ibrahimi.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski i hodhi poshtë këto akuza të deputetit Ibrahimi, duke thënë se ato nuk janë të bazuara në fakte.

“Marrëveshje të tilla kemi nënshkruar me Gjermaninë, Austrinë dhe disa vende të tjera. Bëmë marrëveshje me Serbinë dhe nuk bëhet fjalë për polici të uniformuar, por bëhet fjalë për oficerë të cilët do të shoqërojnë grupe njerëzish si p.sh. tifozë, me të cilët do të kuptohen më mirë”, deklaroi kryeministri Gruevski.

Lidhur me akuzat e bëra për marrëveshjen për bashkëpunim policor mes Maqedonisë dhe Serbisë, dhe anashkalimin e Kosovës dhe Shqipërisë nga kjo marrëveshje, ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska. Si shembull se nuk bëhet fjalë për ndonjë tendencë antishqiptare, ajo ka përmendur bashkëpunimin e ngushtë me Kosovën.

Ajo u shpreh se, “menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht nga momenti i njohjes nga ana e Maqedonisë, Ministria e Brendshme ishte institucioni i parë që propozoi marrëveshjen për bashkëpunim policor i cili u ratifikua nga ky Kuvend në bazë të të cilit ne thellojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat”.

Marrëveshja për bashkëpunim policor mes Maqedonisë dhe Serbisë ishte temë kryesore në debatin e zhvilluar në Kuvend në kuadër të mbledhjes ku u parashtruan pyetje të deputetëve. Deputetët e opozitës maqedonase në këtë mbledhje kanë ironizuar vonesat e zakonshme të kryeministrit Nikolla Gruevski, duke i dhuruar atij një orë me zile.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni