Garës së vitit 2012 për në Shtëpinë e Bardhë mund t’i shtohen dy kandidatë nga Partia Republikane.

Ish-guvernatori i Massachusetsit Mitt Romney dhe ish-senatori i Pensilvanisë Rick Santorum bënë të njohur kohët e fundit se janë duke formuar komisionet përkatëse presidenciale, një hap i parë tradicional që i paraprin fushatës për në Shtëpinë e Bardhë.

Mitt Romney doli i dyti, pas John Mekeinit në garën brenda Partisë Republikane për kandidatin presidencial në zgjedhjet e 2008-ës, megjithë faktin se ai arriti të sigurojë më tepër fonde se sa zoti Mekein.

Romni e bëri të njohur hapin e tij të pare drejt kandidimit përmes një videoje të publikuar nga organizatorët e fushatës së tij, ku mes të tjerash tha: “Unë kam besim tek Amerika. Besoj tek liria, tek mundësitë për të gjithë dhe tek parimet e Kushtetutës sonë, të cilat na kanë udhëhequr për t’u bërë vendi më i madh në historinë botërore. Kjo është përpjekja ime për t’iu përkushtuar çështjes amerikane, një çështje madhore që ka të bëjë me lirinë”.

Rick Santorum është më pak i njohur brenda vendit se sa Mitt Romni. Por ai gëzon emër për pikëpamjet konservatore për çështje sociale, përfshi kundërshtimin ndaj abortit dhe martesës mes homoseksualëve.

Duke krijuar komisionet që eksplorojnë mundësinë e kandidimit, kandidatët e mundshëm mund të fillojnë grumbullimin e fondeve për fushatën dhe të testojnë se sa e vështirë, apo e lehtë do të jetë për ta të grumbullojnë dhjetra miliona dollarët e nevojshme për garën për në Shtëpinë e Bardhë.

Mitt Romni ka qenë në krye, ose shumë pranë saj në anketimet më të fundit të publikut dhe disa analistë e konsiderojnë atë në këtë faze të garës presidenciale si kandidatin më të mundshëm presidencial të Partisë Republikane. Larry Sabato është drejtor i Qendrës për Politika në Universitetin e Virginias.

“Sipas traditës republikane, Mitt Romney kryeson garën brenda partisë, për faktin e thjeshtë se ai ka kandiduar më pare dhe ka qenë shumë pranë sigurimit të emërimit të partisë së tij. Por sigurisht, që ai nuk është një kandidat i fortë presidencial. Në garën e vitit 2008 ai nuk la ndonjë përshtypje të mire dhe ne akoma nuk jemi të sigurt se cili kandidat republikan do të marrë pjesë në garën presidenciale”, thotë studjuesi.

Analistë të tjerë thonë se në garën presidenciale të Partisë Republikane të 2012-ës do të marrin pjesë një numër i madh kandidatësh.

Tashmë hapat e pare për të marrë pjesë në garë i kanë hedhur ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Njut Gingriç, ish-guvernatori i Minesotës Tim Paoulenti dhe ish-guvernatori i Luizianës Badi Romer.

Të tjerë kandidatë pritet të paraqiten në garë, përfshi ligjvenësin e Minesotës Mishel Baçman dhe guvernatorin e Misisipit Hajli Barbur.

Por disa republikanë të njohur, nuk kanë lënë të kuptohet deri tani në se do të marrin pjesë në garë apo jo, përfshi ish-guvernatorin e Arkansasit Majk Hakëbi dhe ish-guvernatoren e Alaskës, Sara Palin.

Palin ishte kandidatja për nënpresidente në fushatën e zotit Mekein në zgjedhjet e 2008-ës dhe ajo është bërë më e njohur si komentatore konservatore televizioni.

Një surprizë e javëve të fundit ka qenë rritja e mbështetjes së anketime për biznesmenin e fuqishëm në fushën e pasurive të patundshme nga Nju Jorku dhe njëkohësisht figurë e njohur e televizionit, Donald Trump.

Trump ka vënë në pikëpyetje çertifikatën e lindjes të Presidentit Obama, edhe pse zyrtarët në Hawai kanë konfirmuar vërtetësinë e saj, kur Obama ishte kandidat për president.

Sipas Kushtetutës amerikane, vetëm persona që kanë lindur në Shtetet e Bashkuara mund të bëhen president dhe disa grupe të caktuara, kundërshtarë të Obamas, vazhdojnë të thonë se ai ka lindur në Kenia.

Në kushtet kur emra të tillë si Romni, Trump, Hakëbi dhe Gingriç janë të krye të anketimeve, ekspertët thonë se figurat më të njohura kanë avantazh në fazat e para të garës republikane të vitit 2012.

John Frontier punon për Qendrën e Politikave Dypartiake në Washington. Ja si u shpreh ai në një intervistë për Zërin e Amerikës:

“Kemi një numër të madh kandidatësh që mund të marrin pjesë në garën presidenciale të Partisë Republikane. Ata që kryesojnë anketimet tani për tani janë personat më të njohur në publik. Ka edhe disa të tjerë, të cilët mund të arrijnë deri në fazat më të avancuara të garës, por ky është një proces i gjatë seleksionimi në radhët e Partisë Republikane”.

Pritet që shumica e këtyre republikanëve që janë me të vërtetë të interesuar që të kandidojnë në garën presidenciale vitin e ardhshëm, ta bëjnë të njohur synimin e tyre për të marrë pjesë në garë gjatë muajve të ardhshëm.

Debatet mes kandidatëve është në plan të fillojnë muajin e ardhshëm në Karolinën e Jugut. Prova e parë për kandidatët republikanë është në plan të zhvillohet shkurtin e vitit të ardhshëm, në konferencat e partisë në shtetin e Ajovas.

SHPËRNDAJE