(AIK-Presheva Jone)

 


Edmond Doko, dirigjenti tregon se suksesi i një kënge, varet nga ndërthurja e krijimtarisë me drejtimin orkestral mjeshtëror.

Mungesa e shumë elementeve cilësorë nga festivali i fundvitit në RTSH ka bërë, që shumë emra të njohur të artit të reagojnë, duke kërkuar që ky festival duhet të sjellë më shumë vlera artistike. Për dirigjentin e njohur Edmond Doko festivali nuk përfaqëson më nivelin e këngës shqiptare. “Festivali i Këngës në RTSH nuk ka më monopolin e përfaqësimit të këngës së lehtë shqiptare dhe kjo duhet pranuar së fundmi dhe nga organizatorët e tij”, tregon Edmond Doko dirigjent njëkohësisht dhe Drejtori Artistik i Festivalit të Festivalit të Orkestrave Frymore. Dirigjenti tregon se kënga e lehtë vuan “largësinë” e saj me poezinë e vërtetë. “Vuan largësinë me poezinë e traditës, problematikën e jetës, dhe rëndom ka tekste që janë të nivelit ordiner”, tregon Edmond Doko. Në vijim të intervistës dhënë për mediat shqiptare, dirigjenti Doko flet dhe për shumë probleme të tjera që i takojnë krijimtarisë artistike në festivalin e RTSH.

Ai ka theksuar se për fat të keq, këto pretendime të publikut, ndër vite dhe në këtë festival nuk janë plotësuar. “Kënga dhe vet festivali është kthyer në një shfaqje “butaforike” të një shou imazhi dhe pastaj në një skenë vlerash dhe ato të diskutueshme muzikore, poetike apo interpretative. Me gjithë përpjekjet, në rastet e suksesshme, arritjet e viteve të fundit, ashtu dhe në këtë festival, mbeten të pa mjaftueshme për të kënaqur nivelin në rritje të kërkesës së publikut për performancë cilësore. Problematika e analizës së festivalit të fundvitit është e gjerë, e madhe, e rëndësishme për “fatet” e këngës dhe që duhet të shqetësojë seriozisht të gjithë, krijues apo interpret, producent, këshilla drejtues, apo drejtori që administrativisht menaxhojnë festivalet”,- ka nënvizuar dirigjenti.

Doko ka evidentuar se Festivali i Këngës në RTSH nuk ka më monopolin e përfaqësimit të këngës së lehtë shqiptare dhe kjo duhet pranuar së fundmi dhe nga organizatorët e tij. Këto vite kënga e lehtë tendencat e saj më të mira i ka pasur jashtë skenës së njohur të festivalit të RTSH-së. “Po mjaftohem me kaq në këtë konstatim se nuk dua të bëhem palë konkurrence, megjithëse besoj se kënga nuk ka keq nga konkurrenca. Meqenëse festivali i RTSH publik ka dhe peshën e historisë, pretendimi ndaj tij natyrshëm është i madh. Duhet pranuar, që kënga shqiptare është akoma në kërkim të identitetit të saj. Po të analizojmë pjesën e krijimtarisë, do të thosha së veç krijimtarisë së ndonjë autori të njohur, pjesa tjetër lë për të dëshiruar. Kënga e lehtë vuan “largësinë” e saj me poezinë e vërtetë, poezinë e traditës, problematikën e jetës, dhe rëndom ka tekste që janë të nivelit ordiner. Kanë një lloj “orientimi” apo “auto-orientimi” në lidhje me tematikën. Kjo dukuri vihet re sidomos në festivalet e RTSH, si dikur para viteve ’90. Kjo ndodh, si për shkak të kritereve përzgjedhëse që mjaftohen vetëm të kërkojnë e zgjedhin të ndryshme nga pikëpamja tematike, dhe jo të veçantën në cilësinë poetike, pavarësisht nga tematika, kriter aspak profesional, ashtu dhe për shkak frymëzimesh të pamjaftueshme autorësh, qofshin këta kompozitorë apo poetë, që shpesh e fillojnë këngën për “dashurinë” dhe e përfundojnë për “demokracinë” e anasjelltas”,- ka përfunduar Doko.

SHPËRNDAJE