Për rastin Bllaca, vazhdojnë arrestimet…EULEX kap edhe katër tjerë

Burimet tona bëjnë të ditur se në mesin e katër të arrestuarve janë Shpresim Uka, Shaban Syla, Driton Hajdari dhe Sadik Abazi.

Sot në orët e hershme të mëngjesit policia ekzekutive e EULEX-it ka arrestuar edhe katër persona në lidhje me rastin “Bllaca”, njofton “Bota Sot”. Megjithëse policia e EUELX-it nuk ka bërë të ditur emrat e të arrestuarve , burimet tona bëjnë të ditur se në mesin e katër të arrestuarve janë Shpresim Uka, Shaban Syla, Driton Hajdari dhe Sadik Abazi, persona te cilët janë përmendur nga Nazim Bllaca në dëshminë e tij të parë para EULEX-it si dhe në dëshminë e tij të inçezuar në CD-në e bërë publike nga deputetët Gani Geci e Adem Salihaj. Personat e arrestuar sipas zëdhënësit Nicholas Hawton janë të dyshuar për një rast të vrasjes. “Individë u arrestuan në Prishtinë dhe në rrethinë. Hetimet kanë të bëjnë me pohime për vrasje të rëndë dhe tentim vrasje të rëndë të kryera në vitin 1999 dhe 2000. Arrestimet u kryen pa ndonjë incident. Pritet që sot më vonë të katër individët të paraqiten para një gjyqtari të procedurës paraprake”, ka thënë Hawton. Operacioni sipas tij është duke vazhduar dhe se rasti është duke u drejtuar nga një prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës ndërsa janë autorizuar nga një gjykatës I procedurës paraprake të EULEX-it.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni