Xhudistja pejane, Majlinda Kelmendi, që garon në kategorinë 52 kilogram, tash e disa ditë me intensitet të lartë ka zhvilluar përgatitjet në Austri për Kupën e Botës Kategoria A, e cila mbahet me 11 qershor në Lisbonë të Portugalisë. Pas garës që u mbajt në Moskë me 29 maj, ku zuri vendin e nëntë në “Grad Slam’, krenaria e sportit të Kosovës udhëton me bindje të fortë për rezultat të mirë në Lisbonë. Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, ka thënë se është i vetëdijshëm se i pret garë mjaft e vështirë në Lisbonë, pasi konkurrenca do të jetë e fortë, por ka besim të plotë te Majlinda. “Gara do të mbahet të shtunën (me 11 qershor), e cila do të jetë shumë e fortë. Synimi ynë është që të hyjmë në tetë vendet e para, por gjasat janë reale edhe për të fituar medalje. Majlinda është e përgatitur mjaft mirë për këtë sfidë dhe besoj se do dëshmojë vlerat e saja”, ka thënë Kuka. Majlinda është e vetmja sportiste e Kosovës që është konkurruese për të siguruar vizën në Lojërat Olimpike 2012 që do të zhvillohen në Londër të Anglisë. Kampionia e Botës dhe e Evropës për juniore synim ka që të fitojë pikën të reja olimpike”, ka thënë Kuka. Duhet theksuar se Majlinda ka fituar 36 pikët e para të ciklit të dytë olimpik në garën në turneun “Grand Slam” të Moskës. Ajo tashmë synon sa më shumë pikë olimpike dhe të jetë sa më afër kualifikimit për në Lojërat Olimpike, që do të ishte një sukses historik për tërë sportin e Kosovës. Edhe Majlinda është optimiste para udhëtimit në Lisbonë se do të bëjë më të mirën dhe me synim që të arrijë rezultate sa më të mira.-bs

SHPËRNDAJE