Partia Demokratike Shqiptare sonte do të vendos për kthimin e saj në Kuvend me qëllimin e vetëm që të jetë pjesëmarrëse në shpërbërjen e institucionit ligjvënës të cilin PDSH-ja e konsideron jo-legjitim. Thaçi tha se PDSH-ja që moti e ka parashikuar epilogun e këtillë ndërsa vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për kapërcimin e krizës së thellë në të cilën ndodhet Maqedonia. Sa i përket zgjedhjeve, Thaçi është shprehur i gatshëm që të merr pjesë në to pa marrë parasysh kohën e mbajtjes së tyre.

“Bisedojmë sot në mbledhjen e kryesisë për mundësinë e kthimit në parlament edhe pse tashmë janë përmbush të gjitha kushtet dhe parashikimet e PDSH-se se ky parlament është jofunksional dhe jo-legjitim dhe këto dalin të sakta. Ne jemi për zgjedhje të parakohshme dhe jemi të gatshëm, dhe mendoj se kjo është mënyra më demokratike për të dalë prej krize shteti. S’ka problem kur të jenë menjëherë tash, jo që i konvenon PDSH-së por kriza në disa dimensione është duke ec përpara dhe dëmet mundë të jenë shumë të mëdha”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Ndryshe ditë më parë lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski, prezantoi projekt planin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ai tani ka zbutur qëndrimin ndaj kërkesës për zhbllokimin e llogarive bankarë të televizionit A1 dhe gazetave ‘Vreme’, ‘Shpic’ dhe ‘Koha e Re’, duke kërkuar që deri në mbajtjen e zgjedhjeve të mos ndërmerren veprime tjera ndaj këtyre mediumeve. Cërvenkovski si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme ka propozuar 26 qershorin. Rreth planit të Cërvenkovskit ende nuk është prononcuar kryeministri Nikolla Gruevski ndërsa në reagimin e parë të VMRO-DPMNE-së, projekti i Cërvenkovskit është cilësuar si jo-parimor.

SHPËRNDAJE