PDSH: Ndalimi i shqipes në Manastir, provokim !

Partia Demokratike e Shqiptarëve të Maqedonisë, e cilësoi një tjetër skandal, vendimin e autoriteteve të Shkupit për të mos lejuar përdorimin e gjuhës shqipe në muzeun e alfabetit në qytetin e Manastirit.

Zyrtarë të PDSH akuzuan si bashkëfajtorë në këtë vendim Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit që është anëtare e koalicionit qeverisës në vend.

Sipas kësaj partie ky është vetëm një shembull për degradimin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Lidhur me këtë skandal të transmetuar nga Top Channel javën e kaluar deri më tani nuk ka reaguar asnjë parti tjetër shqiptare në Shkup.

“Ali Ahmetit dhe grupit të tij të BDI-së nuk i bën përshtypje se me ndalëse administrative ndalohet përdorimi i gjuhës shqipe në Muzeun e Alfabetit në Manastir. Ky vendim është absurd dhe ofendues për mbarë shqiptarët”, deklaroi zëdhënësja e PDSH-së, Rudina Shaqiri.

Gjuha shqipe u bë zyrtare me ligjin e përdorimit të gjuhëve në vitin 2008 por shumica e institucioneve nuk e zbatojnë këtë ligj. Sipas PDSH-së qeveria aktuale përmes projekteve monoetnike dhe nacionaliste ka rikthyer Maqedoninë në vitet ’90 kur shqiptarët trajtohshin si pakicë që nuk gëzonin asnjë të drejtë.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni