(AIK-Presheva Jone)

 

Pretendimet e PDSH-së për gjoja ndërprerjen e ndihmave sociale për familjet shqiptare janë hedhur poshtë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Ne reagim thuhet se ndihmat janë anuluar vetëm për ata shfrytëzues të cilët kanë filluar të kenë të hyra tjera materiale, të cilëve me Ligjin për mbrojtje sociale, nuk u takon e drejta për ndihmë sociale.

Në komunikatë theksohen edhe përfitimet tjera nga ndryshimet në Ligjin për mbrojtje sociale, si shfrytëzimi i subvencionimit të energjisë elektrike, mbulimi i harxhimeve për familjet me raste sociale që kanë fëmijë në arsim të mesëm si dhe mundësia për shfrytëzimin e masave tjera që dalin nga Plani Operativ për Punësim. Ndërkohë akuzat për statusin e ish- UÇK-së, përmes një komunikate i ka hedhur poshtë Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Për dallim nga PDSH-ja e cila Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe vlerat e saj, ka ditur dhe dinë vetëm t’i njollos dhe e cila jo që nuk ka ofruar zgjidhje, por, madje kanë pranuar moratoriumin për mos hapjen e çështjeve, siç është edhe ajo e zgjidhjes e statusit të ish luftëtarëve të UÇK-së, BDI-ja që nga dita e parë në qeveri ka hapur këtë çështje dhe në mënyrë institucionale është munduar dhe ka arritur të integrojë një numër të konsiderueshëm të ish pjesëtarëve të UÇK-së, respektivisht të invalidëve të luftës dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre. Por kjo nuk do të thotë se çështja është e mbyllur, ne kemi thënë dhe mbesim në qëndrimin se ne do të vazhdojmë të angazhohemi në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështje”, thuhet në reagimin e BDI-së.

SHPËRNDAJE