Sela shtroi pyetje edhe për zv/kryeministrin Musa Xhaferi i cili nuk ishte prezent në sallën e Kuvendit, duke e pyetur për deklaratën e tij dhënë në emisionin ‘Rruga drejt’ në Alsat, e që kishte të bënte me ndërtimin shkollave të mesme në zonat rurale, gjë që u kundërshtua edhe nga PDSH-ja e Thaçit.

 

Shkup – “Kur ishim bashkë në koalicion, atëherë ishim të mirë, e tani kur ndodh e kundërta jemi vrasës dhe gjakatarë, këto janë konstatime që ju i përdorni për përfitime politike. Por, me këtë politikë asnjëherë nuk do të bëheni pjesë e qeverisë. Kështu iu drejtua kryeministri Nikolla Gruevski deputetit të PDSH-së, Zijadin Sela, i cili e pyeti se a ndjehet i qetë kur gjysma e ministrave të kabinetit të tij i kanë duart e përlyera me gjak.

“Derisa ishit në koalicion me ne, atëherë qeveria ishte e mirë, e mbështetnit, e mbronit. Atëherë kryeministri ishte i mirë, atëherë kryeministri nuk ishte kundër shqiptarëve, as kundër askujt, as ministri i transportit nuk i përlyente duart me gjak, përnjëherë, kur ju u gjendët në opozitë, e ndryshuat qasjen dhe përnjëherë ne u shndërruam në vrasës, të këqinj, njerëz të cilët i mendojnë të keqen ndonjë bashkësie etnike, qoftë ajo shqiptare apo ndonjë tjetër”, deklaroi Gruevski.

“Ti e din fort mirë, i nderuar kryeministër, që ne kemi qenë në qeveri, dhe ti nuk ke mundur asnjë luan, asnjë gozhdë dhe asnjë punë ta nisësh në kohën kur ke qenë në qeveri me ne. Ti e di fort mirë që ne kur ishim në qeveri të merrnim edhe për Bajram të vish të ulësh dhe të falësh Bajramin, tani nuk ndodhë”, u shpreh Sela.

Ky debat u zhvillua në seancën ku shtroheshin pyetjet e deputetëve. Gjatë kësaj seance, ashtu siç edhe pritej, opozita shqiptare pyeti rreth incidenteve, gjegjësisht zbardhjen e tyre.

“Shihet qartë se deputeti është i motivuar nga vetë fakti se atë e mbron foltorja e parlamentit. Foltorja lejon që të paraqesë akuza serioze për vepër penale, diç për të cilën, sikur ta thoshte jashtë foltores së parlamentit, seriozisht do të përgjigjej”, deklaroi Gordana Jankullovska, ministre e Brendshme.

“Bëhu e qetë ministre, mos u nervozo, fol qetë nuk, ka problem. Unë nuk jam as Tahir Hani, as deputet BDI-je që kur erdhe në Strugë u drejtoheshe me gisht dhe i kërcënoheshe. Nuk ecin te unë ato gjëra, rri rehat. Ti je ministre, në një ministri ku asnjë shqiptar nuk është në post udhëheqës dhe shet përralla këtu për bashkëjetesë. Ti je ministre në një ministri ku për natë dalin zëdhënësit tuaj dhe thonë se janë kapur tre me iniciale ku ta di se çfarë të përkatësisë etnike shqiptare dhe pastaj janë kapur me iniciale ku e di se çfarë, por nuk dihet përkatësia etnike”, u shpreh Zijadin Sela.(lajmi)

SHPËRNDAJE