Preshevë, 18 dhjetor (AIK-Presheva Jone)

 

Nga Ardita BEHLULI

 

Mbledhja e organit më të lartë të PDSH-së është mbledhur për herë të dytë për këtë vit kalendarik duke pasur parasysh se ky subjekt në kontinuitet përcjell rrjedhat politike që po reflektohet nga ngjarjet në regjion me theks të veçantë nga Republika e Kosovës në prag të bisedimeve Prishtinë Beograd ka deklaruar sot kryetari PDSH, Ragmi Mustafa.

 

Këshilli qendrorë i Partisë Demokratike Shqiptarë në mbledhjen sotme ka miratuar dokumentin politik Promemorie e cila i është dërguar Ambasadave të Bashkësisë Evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd. Për herë të parë në Luginë të Preshevës zyrtarisht kërkohet përmes këtij dokumenti politik që të respektohet vullneti i popullit të shprehur në Referendumin e një dhe dy marsit të vitit 1992, varësisht prej rrjedhave të bisedimeve që ky vendim me rëndësi të veçantë të jetësohet.

 

Mbledhja e organit më të lartë të PDSH-së është mbledhur për herë të dytë për këtë vit kalendarik duke pasur parasysh se ky subjekt në kontinuitet përcjell rrjedhat politike që po reflektohet nga ngjarjet në regjion me theks të veçantë nga Republika e Kosovës në prag të bisedimeve Prishtinë Beograd ka deklaruar sot kryetari PDSH, Ragmi Mustafa. Përmes Promemories si dokument zyrtarë kërkohet që edhe Lugina e Preshevës të jetë pjesë e bisedimeve Prishtinë- Beograd. Në këtë dokument sipas anëtarit të këshillit qendrorë, Reshat Neziri janë përfshirë momente të rëndësishme dhe fazat që kanë kaluar shqiptarët e Luginës së Preshevës duke paraqitur fakte konkrete.

 

Në vazhdim përmbajtja në tërësi e Promemories së Partisë Demokratike Shqiptare e cila i është dërguar Ambasadave të Bashkësisë Evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd.

Duke çmuar – lartë mundësitë dhe angazhimet tuaja të deritanishme dhe duke pasur parasysh gjendjen e popullatës shqiptare në Luginë të Preshevës (komunat: Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë), të cilat gjenden në Serbinë jugore, në kufi me Kosovën dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Duke pritur – në ankth dhe me shpresë bisedimet në mes të Republikës së  Kosovës dhe  Serbisë, shpresojmë se kësaj radhe nuk do të mungojnë veprimet konkrete që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet drejt dhe në mënyrë adekuate.

Duke ju – ftuar që gjendjen në Luginë të Preshevës dhe çështjen e saj ta kuptoni si pjesë të negociatave “në tërësinë e saj”, konform çështjes së veriut të Kosovës me komunat të banuara me shumic të popullatës Serbe.

Duke ju – ftuar që negociatat (bisedimet), ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të zhvillohen në drejtim të pajtimit historik të dy kombeve, e drejtë dhe reale është që edhe Lugina e Preshevës si pjesë e kombit shqiptarë të merrë pjesë me përfaqësuesit e saj legjitim në këto bisedime.

Duke ju ftuar –  që për së afërmi të informoheni për gjendjen e shqiptarëve në Komunat: Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë, na lejoni që përmes kësaj:

 

 


P  R  O  M  E  M  O  R  I  E


T’ju përkujtojmë disa fakte historike dhe juridike të cilat janë të rëndësishme për këto tri Komuna.


E para –  Këto tri Komuna përbëjnë këtë përqindje të popullatës Shqiptare: Presheva 95%, Bujanovci 65% dhe Medvegja 35%, me gjithsej afër 100.000 banorë, sipas regjistrimit të popullsisë vitin 1981, me një sipërfaqe prej 1249 km², të cilat gjatë sundimit turk kanë qenë pjesë integrale e Vilajetit të Kosovës. Pas Kongresit të  Berlinit (1878), dhe Konferencave që pasuan si ajo e Londrës (1912-1913), e Versajës  (1918-1920) trojet Shqiptare të mbetura jashtë trungut të saj (Shqipërisë) u bën mjet kusuritje për shtetet fqinje. Pas luftës së dytë botërore, popullata Shqiptare e këtyre Komunave pa të drejtë u nda nga popullata Shqiptare e Kosovës.

E dyta – Shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës asnjëherë në historinë e tyre të hidhur nuk u pyetën se në përbërjen e cilit shtet apo njësi administrative duan të jetojnë.

E treta – Nga mospërfillja dhe diskriminimi i vazhdueshëm i tyre, Shqiptarët e Luginës së Preshevës, në mënyrë legale dhe legjitime organizuan “Referendumin e 1 dhe 2 mars 1992”, me 97% PRO u deklaruan për AUTONOMI POLITIKE TERRITORIALE ME TË DREJTË BASHKIMI ME KOSOVËN, që në fakt  paraqesin përcaktimet e veta politike në trojet e tyre.

E katërta – Shqiptarët e Luginës së Preshevës edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të diskriminuar  nga Republika e Serbisë, ky diskriminim vërehet në fushën legjislative, gjyqësia, policia, shëndetësia,qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave në rajon, përdorimi i gjuhës dhe i shkrimit Shqip, përdorimi i simboleve dhe festave kombëtare, diskriminimi në punësim, mungesa e nivelit të lartë arsimor në gjuhën amtare, mosnjohja e diplomave për studentët Shqiptarë që studiojnë  në Kosovë etj.

E pesta – Me shpërbërjen e ish Jugosllavisë, popullata Shqiptare në territoret ku përbën shumicën e popullsisë “parimisht dhe realisht paraqet subjekt në vetvete ”, që në rrethana të tjera të vendosin për fatin e vetë “sipas principit të Vetëvendosjes”.

E gjashta – Pushteti Serb asnjëherë Shqiptarët e këtyre trojeve nuk i ka trajtuar të barabartë, por përkundrazi çdo përpjekje të tyre të avancimit të pozitës politike dhe kombëtare edhe përskaj konfliktit të armatosur të UÇPMB-së të vitit 2000 dhe 2001 e ka shuar me represion dhe dhunë (çka edhe dëshmojnë vrasjet, keqtrajtimet, burgosjet arbitrare, zhdukjet e njerëzve) edhe pse ata në fakt kërkonin të drejtat e tyre.

E shtata – Kjo gjendje e pasigurisë dhe pa drejtësisë duhet të ndryshohet nga fakti se këto tri Komuna pa drejtësisht ju kanë bashkangjitur Serbisë- me ndërrimin me Komunat Serbe në Veri të Kosovës. Andaj vullneti i shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 për autonomi politike e territoriale, me të drejtë të bashkangjitjes me Kosovën është e drejtë legale dhe kombëtare e mbështetur në parimin e Vetëvendosjes, e theksuar edhe në të drejtën Ndërkombëtare, si faktor më përcaktues për fatet dhe të ardhmen e popujve të rrezikuar.

Duke respektuar vullnetin e popullit të shprehur në Referendumin e përmendur, varësisht prej rrjedhave të bisedimeve, kërkojmë që të ndodhë jetësimi i tij.

Duke besuar se nuk do të mungojë angazhimi i Juaj dhe akterëve tjerë relevant ndërkombëtarë, kërkojmë që si hap i parë dhe i menjëhershëm të bëhet demilitarizimi i Luginës së Preshevës, me qëllim të krijimit të një mjedisi të qetë dhe normal për të gjithë qytetarët e këtyre komunave. Mbesim me shpresë se më në fund edhe përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të jenë pjesë e këtyre bisedimeve dhe se çështja e Luginës së Preshevës do të zgjidhet konform çështjes së komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

SHPËRNDAJE