(AIK-Presheva Jone)

Partia Demokratike Shqiptare ka reaguar ndaj aktit të dëmtimit të flamurit kombëtar dhe fyerjeve në adresë të shqiptarëve nga tifozët maqedonas në ndeshjen e basketbollit Rabotniçki-Liria. Ky akt sipas PDSH-së edhe njëherë vërteton siç shprehet “nacionalizmin dhe barbarizmin e skajshëm të maqedonasve kundrejt shqiptarëve”. PDSH-ja kritikon edhe qëndrimin e BDI-së ndaj dëmtimit të flamurit shqiptar dhe paaftësisë së saj për të parandaluar aktet antishqiptare.

“Për ne si parti, fare nuk është i pranueshëm inferioriteti i Ministrisë për Punë të Brendshme si dhe deklarata e tyre se nuk ka ndodhur asgjë e tillë në atë ndeshje. PDSH-ja posedon incizimin ku shihet qartë dëmtimi i flamurit shqiptar nga persona të caktuar të përcjellura me brohoritjet “Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”, “dhoma gazi për shqiptarët”. Këtë incizim ia dhurojmë MPB-së për Vitin e Ri. Ne si parti kërkojmë hetim të menjëhershëm nga MPB-ja dhe prokuroria, zbardhjen e rastit dhe dënimin e kryerësve të kësaj vepre. Në të kundërtën, do të ngremë aktpadi kundër MPB-së për fshehje të qëllimshme të fakteve dhe moszbatimin e ligjit”, deklaroi Luan Tresi, zëdhënës i PDSH-së.

SHPËRNDAJE