Kryetari i PDK-së, njëherësh kryeministër në largim i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga nënkryetari i PDK-së, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, dhe bashkëpunëtorë tjerë, ka marrë pjesë në takimet parazgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë dhe Vushtrri. Thaçi ftoi qytetarët e Mitrovicës dhe të Vushtrrisë të votojnë, siç tha ai, partinë shtet-formuese, partinë e integrimit euro-atlantik të Kosovës – PDK-në.

Duke folur para mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve entuziastë të PDK-së në sallën e sporteve në Mitrovicë, Thaçi është shprehur plotësisht i bindur në fitoren e fuqishme të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

“Jemi qeveria e parë, që ka filluar investimet e fuqishme në pjesën veriore të Kosovës, në rajonin e Mitrovicës dhe më gjerë. Kemi bërë shumë investime, kemi ndërtuar shumë rrugë, ujësjellës, kanalizime, ambulanta, shkolla dhe do të vazhdojmë të investojmë edhe në të ardhme, sepse do të investojmë për t’i kthyer njerëzit në shtëpitë dhe pronat e tyre, do të investojmë për të kthyer normalitetin, do të investojmë në çdo cep të territorit të komunës së Mitrovicës, në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës” , u shpreh Thaçi.

“Kështu siç jemi sot të bashkuar ne do t’i fitojmë të gjitha betejat. Ne e kemi fituar edhe lirinë, edhe pavarësinë. Tani e kërkoj besimin tuaj, mbështetjen tuaj, kështu siç jeni sot të bashkuar, e kërkoj besimin tuaj për mandatin e ardhshëm katër vjeçar, për mandatin e integrimit euro-atlantik të Kosovës, për Kosovën evropianë, për Kosovën, anëtare të BE-së dhe të NATO-s, për Kosovën anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE