“Asgjë s’do e pengojë verdiktin e qytetarëve për një Shqipëri pa imunitet”

“Asnjë kërcënim i zotit Rama dhe miliarderëve të Partisë Socialiste nuk do të mund të pengojë verdiktin e qytetarëve për një Shqipëri pa imunitet dhe pa zyrtarë që e përdorin atë si mburojë për pasurim të paligjshëm si dhe për të fshehur origjinën e këtyre pasurive nga trafiqet kriminale, fshehja e taksave, kontrabanda, lejet e paligjshme të ndërtimit dhe grabitja e trojeve dhe tokave publike”. Ky ishte qëndrimi më i fundit i ardhur nga selia blu, lidhur me organizimin e referendumit popullor për kufizimin e imunitetit. Përmes zëdhënëses së saj, Silvi Bardhi, Partia Demokratike argumentoi se paniku i cili ka mbërthyer Partinë Socialiste, ka në bazë pikërisht fshehjen e pasurive të miliarderëve të saj. “Në një kaos të plotë, një ditë ata kërkojnë dhe zotohen se do të vendosin Kushtetutën e sundimit të pakicës, një ditë tjetër z.Rama kërcënon qytetarët dhe mazhorancën se ai në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit e cila nuk lejon kurrë referendume për çështje territoriale se ai do të kërkojë referendum për kufirin detar të vendit.
Me këtë dekleratë, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe klubi i miliarderëve në kryesinë e Partisë Socialiste, provojnë se për të kundërshtuar heqjen e imunitetit janë gati të dhunojnë Kushtetutën e vendit dhe të shkelmojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Bardhi. Partia Demokratike vlerësoi se në deklaratën e saj se “ky qëndrim kërcënues ndaj mbajtjes së referendumit popullor për heqjen e imunitetit arriti kulmin pasi në përputhje me ligjin Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive publikoi pasuritë e deputetëve nga ku rezulton se vetëm njëri nga antarët e kupolës së miliardierëve të Partisë Socialiste, deputeti Abazi ka deklaruar një pasuri me mbi 50 milion dollarë”.

SHPËRNDAJE