Partia Demokratike ka hapur sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kongreseve PD-ja ka zyrtarizuar kandidimin e ministrit të brendshëm Lulzim Basha për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Disa mijëra të rinj të Forumit të Partisë Demokratike (PD) në prani dhe të Kryeministrit Sali Berisha u mblodhën të martën në Pallatin e Kongreseve në Tiranë për të festuar 22 marsin e vitit 1992, e konsideruar si dita e parë e demokracisë në Shqipëri, kur qytetarët me fuqinë e votës së lirë rrëzuan sistemin komunist që kishte izoluar vendin për gati 50 vite.

Në këtë ditë, Partia Demokratike (PD) hapi zyrtarisht edhe fushatën elektorale të 8 majit. Kandidati i PD-së për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, përshëndeti pjesëmarrësit, duke theksuar se fitorja e 22 marsit ishte një fitore jo vetëm për PD-në, por dhe gjithë shqiptarët.

Sot, vijoi Basha, “Shqipëria e ka zëvendësuar izolimin me lëvizjen e lirë të qytetarëve”.

Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherësh Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u zotua se do të bëhet gjithçka për të shpërblyer me mirënjohje punën, përkushtimin, ndershmërinë dhe entuziazmin e tyre. “Programi ynë jeni ju, programi ynë janë ëndrrat tuaja, besimi juaj, bindjet tuaja. Ndaj dhe ju ftoj të mbjellim këtë pranverë në rrugët e sheshet e Shqipërisë, në luginat, fshatrat, malet e qytetet e saj, lulet e shpresës, lulet e fitores së thellë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

“Së bashku me ju, me mbarë të rinjtë shqiptarë, me nënat dhe baballarët tuaj, vëllezërit dhe motrat, sot ne festojmë 22 marsin, ditën e bardhë, ditën e bekuar, ditën e parë të demokracisë shqiptare. Le të shprehim ne së bashku mirënjohjen tonë më të thellë ndaj atyre qindra dhe mijëra të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, por edhe miliona shqiptarëve që me votën e tyre të lirë më 22 mars të vitit 1992 hodhën themelet e demokracisë shqiptare.

Le të shprehim ne mirënjohjen më të thellë ndaj qindra e mijëra shqiptarëve në diasporë, të cilën mbajtën të gjallë flakën e lirisë së kombit shqiptar dhe dhanë ndihmesën e tyre historike në fitoren e Partisë Demokratike të 22 marsit të vitit ’92.

Një mirënjohje të thellë le tu shprehim ne miqve tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjemani, Francë, Itali, Britani, Austri, të cilët 20 vjet më parë me mbështetjen e fuqishme që i dhanë Partisë Demokratike bën të mundur fitoren tonë.

22 marsi i vitit ’92 është dita që ndan historinë, dita e gëzimit të madh, dita e festës së madhe. Por më 22 mars djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, që përmbysën me votën e tyre diktaturën, erdhën për të nisur rrugën e lirisë në një kohë kur atë nuk e njihnin, nuk e dinin. Sërish në këtë rrugë dhe dritë e kësaj rruge ishte vizioni juaj, vizioni i të rinjve shqiptarë.

Më 22 mars shqiptarët në të katër anët kërkonin një Shqipëri tjetër, jo Shqipërinë e mjerimit, por Shqipërinë e prosperitetit; jo Shqipërinë e izolimit, por Shqipërinë evropiane; jo Shqipërinë e prapambetjes, por Shqipërinë e zhvillimit; jo Shqipërinë e dhunës dhe shtypjes, por Shqipërinë e lirive dhe të drejtave njerëzore.

Më 22 mars ata që me votën e shqiptarëve erdhën në pushtet nuk kishin projekte në letër për të zbatuar, por kishin projektet më mahnitëse, më të bukura, më të gjalla, kishin ëndrrat dhe aspiratat tuaja. Janë këto ëndrra dhe këto aspirata që Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit e bënë anëtare të NATO-s. Janë këto ëndrra dhe këto aspirata që Shqipërinë, vendin më të izoluar e bënë Shqipërinë e lëvizjes së lirë. Janë këto ëndrra dhe këto aspirata që Shqipërinë e skllavërisë, hiperkolektiviste totale, e shndërruan në Shqipërinë e tregut të lirë. Janë këto ëndrra dhe këto aspirata që Shqipërinë e shtypjes më të egër e shndërruan në Shqipërinë e lirive dhe të drejtave njerëzore. Janë këto ëndrra dhe këto aspirata, të cilat bëjnë që Shqiptarët të ecin në rrugën e lirisë më shpejtë se çdo komb tjetër në histori.

22 marsi do të mbetet në memorien kombëtare pranvera më e bukur e të gjithë historisë sonë. Por 22 marsi, para së gjithash dhe mbi të gjitha, është fitorja e dinjitetit njerëzor të shqiptarëve. Sot unë prita një grup të rejash e të rinjsh që patën fatin të lindin më 22 mars të vitit 1992. Ishte takim prekës dhe emocionues. Ata patën fatin e bardhë të mos jetojnë asnjë ditë të vetme në diktaturë. Vojsava ju falënderoi ju, por ne duhet të falënderojmë Vojsavën, të falënderojmë çdo të ri e të çdo të re shqiptare, të cilët qëndrojnë në udhëheqje të lirisë së shqiptarëve.

Kombi ka njohur vështirësi të mëdha, por ka pasur fatin më të madh tek ju. Në Shqipëri ju sollët 22 marsin, në Kosovë ju çliruat Kosovën, në çdo drejtim ju ishin liria e vërtetë e këtij kombi.

Sot ne ecim drejt 8 majit, ecim drejt zgjedhjeve. Çiljeta dhe Elvana i ranë pikës me kandidatin që shpallën. Kjo është një ditë, sërish për tu zotuar para jush se do të bëjmë gjithçka për të shpërblyer me mirënjohje punën tuaj, përkushtimin tuaj, ndershmërinë tuaj, entuziazmin tuaj. Programi ynë jeni ju, programi ynë janë ëndrrat tuaja, programi ynë janë besimi juaj, programi ynë janë bindjet tuaja. Ndaj dhe ju ftoj të mbjellim këtë pranverë në rrugët e sheshet e Shqipërisë, në luginat, fshatrat, malet e qytetet e saj, lulet e shpresës, lulet e fitores, lulet e fitores së thellë.

Zgjedhje të lira, zgjedhje të ndershme, zgjedhje për ju, për nënat, për baballarët, për motrat e vëllezërit tuaj. Zgjedhje për vlerat qytetare që ne ndajmë dhe besojmë. Zgjedhje për idealet evropiane që po ndërtojmë dhe duhet t’i ndërtojmë.

Le të shndërrojmë së bashku 8 majin në festën e madhe të votës së lirë, të respektit, të dashurisë e përkushtimit ndaj njëri – tjetrit, ndaj familjes, ndaj Shqipërisë. Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaj, ëndrrat tuaja fisnike!”, tha kreu i PD-së dhe njëherësh kryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha.

SHPËRNDAJE