Nga Bajrush MORINA

Ia kanë mësyrë Parlamentit të Kosovës të rreshtuar në mënyrën më besnike në listat e partive politike. Kanë dhënë betimin se do t’i shërbejnë partisë me gjithë devotshmërinë e dhe qenien e tyre njerëzore. Në xhepat e “uniformës” së tyre civile i mbajnë me krenari librezat e tyre partiake. Disa prej tyre i kanë edhe disa libreza të tyre që dëshmojnë për aktivitetin e tyre para, gjatë ose pas lufte. Por mbi të gjitha i ruajnë si ‘sytë e ballit’ kartelat e tyre të deputetëve. Madje disa prej tyre i mbajnë të varura në qafë, të lidhura me një shirit dekorativ. Disa mbajnë syze, disa kanë mjekra, shumica prej tyre kujdesën për veshjen e tyre elegante e pothuaj të gjithë mbajnë kravata në seancat parlamentare.

Këta janë dhe kështu duken deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës!

Por kush janë në të vërtetë këta përfaqësues të popullit? A janë ata njerëzit e vullnetit të lirë të popullit apo të zgjedhurit dhe të preferuarit e partisë, alias të liderit të partisë?

Duke e pasur parasysh listën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës atëherë nuk është vështirë të gjesh përgjigjen e pyetjes se a janë këta deputetë të legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës deputetë të zgjedhur me vullnetin e popullit apo më imponimin e partisë, a janë deputetë të “nënës parti” apo deputetë të Kosovës “nënë”?!

Në legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës kanë depërtuar shumë emra të rinj nga radhët e të gjitha partive politike “të vjetra”. Madje të gjitha partitë politike i kanë freskuar radhët e veta me më shumë se 50% të deputetëve të vet. Liderët e partive politike janë krenuarë me këtë fakt duke thënë se ata kështu kanë freskuar partinë duke u dhënë rastin edhe njerëzve të rinj në parti nëpërmjet votës së lirë të popullit.

Ky arsyetim i liderëve politikë ka qenë dhe vazhdon të mbetet vetëm një deklarim i mërzitshëm politik sa për të arsyetuar avancimin e të preferuarve të tyre partiakë ose në rastin më të keq të servilëve të tyre në parti.

Duke e pasur parasysh “biografinë” e disa prej deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës nga radhët e secilës parti atëherë lirisht mund të themi se ata deputetët ose ato deputete kanë arritur të fitojnë votat e elektoratit të tyre falë “lobimit” të brendshëm partiak që në të shumtën e rasteve është bërë nga vetë lideri i partisë apo edhe falë manipulimit, për të mos thënë vjedhjes së votave ndërmjet vetë kandidatëve të një partie politike.

Pra a janë deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës të zgjedhurit e votës së lirë të votuesve të Kosovës?

Përgjigja është sa spekulative aq edhe skeptike!

Deri dje ishin krejt larg politikës. Merreshin me “biznese” të tjera. E tash nga vendi 109 kanë kërcyer në vendin e 29 të rangimit në listën e deputetëve brenda rangimit partiak. Ky fakt është i mjaftueshëm për të konkluduar se disa prej deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës ose janë avancuar në kreun e listës partiake me insistimin ose me favorizimin e liderëve partiakë ose kanë kaluar pragun zgjedhor dhe janë bërë deputetë falë manipulimit të votave në “zonën” e tyre partiake pas disa raundeve të rivotimit në disa komuna që njihen si “bastione partiake”.

Fakti se një pjesë e mirë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë zënë ulëse në Kuvend, janë më tepër “partizanë partiakë” sesa përfaqësues të popullit është dëshmuar disa herë sidomos në seancat e fundit parlamentare. Këta deputetë më shumë janë marrë me biografitë e njëri-tjetrit gjatë luftës ose pas saj sesa me leximin dhe amendamentimin e ndonjë projektligji qeveritar. Këta deputetë më shumë kanë bërë zhurmë partiake sesa debate parlamentare. Kjo kategori e deputetëve më shumë ka shfrytëzuar tribunën parlamentare për të qëruar hesapet me njëri-tjetrin se kush është “patriot” e kush “tradhtar”, kush “i pastër” e kush është “hajn”, sesa që kanë shtruar hallet e votuesve të cilët u kanë dhënë votën e tyre.

Kjo kategori e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e ka ulur edhe nivelin e debateve parlamentare. Ata e kanë sjellë në foltoren e parlamentit fjalorin e tyre të rrugës. Aq më tepër ky “dialog i rrugës” zhvillohet nga disa deputetë që krenohen me angazhimin e tyre gjatë luftës, ndërsa akuzojnë njëri-tjetrin për veprimet ose joveprimet e tyre gjatë kohës së luftës. Kështu përderisa në vitet e para të paslftës krenoheshin me “uniformat” e tyre luftarake, tash kur janë “civilizuar” së paku në veshmbathje, tregohen edhe më të ashpër, por kësaj radhe jo ndaj armikut shekullor, por ndaj kolegëve të tyre deputetë që kanë libreza të ndryshme partiake.

Kuvendi i Kosovës ka filluar të shndërrohet në një arenë “gladiatorësh” ku secili deputet tenton t’i nxjerrë në plan të parë “muskujt” e zhvilluar sesa dijen dhe mendjen e fituar. Ndërkaq e keqja është se nëse u mungon dija, shkollimi dhe mendja, nuk u mungojnë muskujt!

Prandaj një pjesë e deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës më shumë sesa deputetë të Kosovës janë “partizanë” të partisë dhe më shumë sesa me Kosovën krenohen me partinë e tyre.

Shumë zhurmë në Kuvendin e Kosovës! Po flasin deputetët e Kuvendit me libreza partiake!

SHPËRNDAJE