(AIK-Presheva Jone)

 

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni sot në sheshin “Skënderbeu” në Shkup nënshkruan peticionin kundër raportit të Dik Martit. Delegacioni i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Abdilaqim Ademi dhe nënkryetari i Parlamentit, Rafiz Haliti nënshkruan kundër raportit, i cili akuzon kreun e UÇK-së për trafikimin e organeve njerëzore dhe krime kundër serbëve pas luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Abdylaqim Ademi deklaroi se e mohojnë raportin e Dik Martit nga publikimi i tij dhe se ai përmban dezinformata.

“Për këtë arsye i mbështesim të gjithë organizatat joqeveritare të cilat dalin nga veteranët e UÇK-së dhe të cilët janë organizatorë të këtij peticioni. Konsiderojmë se me këtë do t’i japim një goditje të madhe jo vetëm këtij raporti, por gjithë atyre të cilët dëshirojnë ta likuidojnë edhe udhëheqësin e Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Do të vazhdojmë t’i mbështesim këto aktivitete me qëllim që raporti i Dik Martit të mos miratohet”, tha Ademi.

Në peticionin, mes tjerëve, janë nënshkruar edhe nënkryetari i BDI-së dhe kryetar i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ministrat Bujar Osmani, Xhelal Bajrami, Nexhati Jakupi, koordinatori i grupit parlamentar Tahir Hani, si dhe deputetë dhe funksionarë tjerë të BDI-së.

Pritet që peticionin ta nënshkruajë edhe një delegacion i Demokracisë së Re (DR) i udhëhequr nga nënkryetari Abedin Zymberi. Me grumbullimin e nënshkrimeve kundër raportit të Martit kanë nisur studentët e USHT-së dhe shoqatat e veteranëve të UÇK-së.

SHPËRNDAJE