PARADE USHTARAKE: Presidentja Jahjaga para trupave të Armatës së Republikës së Kosovës

Republika e Kosovës shënon sot katër-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Kjo është një nga datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të vendit.

Më 17 shkurt të vitit 2008, ligjvënësit kosovarë nënshkruan deklaratën e pavarësisë, gjë që do të shënonte dhe ndarjen de juro nga çdo kontekst me Serbinë. Por Pavarësia de fakto kishte ardhur shumë kohë më parë, që me nisjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila solli dhe ndërhyrjen e NATO-s. Sot Kosova ka siguruar njohje prej 87 shtetesh ndërkombëtare. Në ditët e para të lindjes, shtetësia e Kosovës është pranuar nga fuqitë e mëdha botërore, si Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania, Franca, Austria. Kosova është njohur edhe nga të gjitha shtetet përbërëse të ish-Jugosllavisë, përjashtuar këtu Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë. Por, pengesa të konsiderueshme për shkak të mosnjohjes vlerësohet se paraqesin pesë vendet e Bashkimit Evropian – Greqia, Spanja, Sllovakia, Qiproja dhe Rumania – që, sot e kësaj dite, nuk e kanë marrë ende një vendim të tillë. Mosunifikimi i bllokut 27-anëtarësh mbetet sfidë për Kosovën sa i përket integrimit, por jo vetëm.

Por gjurmët e para të përpjekjes së popullit të Kosovës për pavarësi do i gjejmë që në në vitet e para të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ajo Filloi me grevën e minatorëve të Trepçës, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës, për të vazhduar më pas me ndryshimin e Kushtetutës së vitit 1974, protestën e Lëvizjes Studentore, sulmet e forcave serbe në Prekaz e deri te ngjarja që vuri themelet e historisë së re – bombardimet e NATO-s.

Fushata e NATO-s, që nisi më 24 qershor të vitit 1999 dhe që zgjati për plot 78 ditë, u karakterizua me dëbimin masiv që u bënë forcat serbe shqiptarëve të Kosovës, ndërsa rezultoi me kapitullimin e autorit të luftës – Sllobodan Millosheviç. U deshën më shumë se tetë vjet që të miratohet shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të ish-presidentit finlandez, Marti Ahtisari.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni