Sipas disa burimeve nga selia e shenjtë, Papa është më i izoluar se kurrë

Mund ta quash qyteti i konspiracioneve, mund ta quash qyteti i skandaleve, ose qyteti i lajmeve që “rrjedhin”. Këto ditë, qyteti i shenjtë, Vatikani ka qenë në qendër të lajmeve të medias, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me shenjtërinë.

“Është një rrëmujë totale”, deklaroi një zyrtar i nivelit të lartë në Vatikan, i cili, si edhe shumë të tjerë, ka folur në kushtet e anonimatit. Makinacionet dhe manovrat makiavele që kanë dalë në dritë së fundi për atë që ndodh në Vatikan, janë të denja për një roman konspirativ. Zyrtarë të lartë të kishës, të intervistuar këtë muaj, kanë folur në mënyrë të përsëritur për situatën e rëndë që e ka vënë Vatikanin në pozita mbrojtëse, të cilat mund ta bëjnë Papën vetë që të veprojë për të pastruar imazhin e administratës së tij. Kjo, në një kohë kur kisha vetë është duke u përballur me një krizë shumë të rëndë autoriteti në të gjithë botën.

Materialet e “rrjedhura” të Vatikanit dhe ekzistenca e monsinjorëve rebelë

Disa nga burimet e sipërpërmendura thonë se rezultati i një lufte për pushtet brenda selisë së shenjtë mund të ketë efekte më afatgjata nga sa mendohet dhe në vetë zgjedhjet e njeriut që do të pasojnë Papën Benedikt 16, kur ai të ketë ndërruar jetë. Nga letrat e “rrjedhura” të një peshkopi që u transferua më pas, pasi nxori në dritë “të palarat” në lidhje me atë që ai e quante një rrjet korruptiv dhe nepotist, dalin në dritë të keqe shumë kardinalë, si dhe del në dritë dyshimi në lidhje me bankën e Vatikanit. Tërësia e materialeve “të rrjedhura” vjen në një moment shumë të vështirë – vetëm pak kohë para ceremonisë (zakonisht të gëzuar), që do të mbahet këtë javë kur Benedikti do të shpallë prelatë të rinj për Kolegjin e Kardinalëve, organizmin ekskluziv që një ditë do të zgjedhë nga radhët e tij edhe liderin e ardhshëm të Kishës Katolike. “Kjo ceremoni do të zhvillohet në një atmosferë që sigurisht nuk është shumë e lavdishme apo ekzaltuese”, ka deklaruar një peshkop me njohje e informacion të drejtpërdrejtë në Vatikan. Burimet besojnë se këto “rrjedhje” informacioni janë pjesë e një fushate ndërkombëtare, të një lloj rebelimi të monsinjorëve, kundër njeriut që konsiderohet si “krahu i djathtë” i Papës aktual, sekretari i shtetit, kardinali Tarcisio Bertone. Bertone 77-vjeçar, ka reputacionin e një administratori shumë të rreptë dhe negociatori, stili i të cilit i ka krijuar shumë kundërshtarë në Curia, organizmi burokratik që drejton administratën qendrore të Kishës Katolike Romane. Ai erdhi në këtë post, që tradicionalisht okupohej nga një diplomat karriere, në vitin 2006 me asnjë lloj përvoje në fushën diplomatike të kishës. Benedikti e zgjodhi sepse ai kishte punuar më parë me të kur ishte në krye të zyrës së doktrinave. Sipas një monsinjori në Vatikan, e gjithë kjo lëvizje ka për qëllim Bertonen dhe, sipas tij, është shumë e qartë se përse duan që ta heqin. Thuhet edhe se “rebelët” kanë mbështetjen e një ish-sekretari shteti, kardinalit Angelo Sodano, një njeri i fuqishëm dhe diplomat veteran që ka shërbyer nën Papën Gjon Pali II për 15 vjet. Ndërkohë as Sodano as Bertone nuk kanë bërë komente publike. Por ka edhe më. Javën e kaluar një gazetë italiane që publikoi disa nga materialet e “rrjedhura”, nxori edhe një memo të çuditshme të brendshme të Vatikanit, në të cilën përfshihej një kardinal që ankohej për një kardinal tjetër, që fliste për një tentativë të mundshme vrasjeje të Papës brenda këtyre 12 muajve dhe në mënyrë të hapur spekulonte se cili duhet të ishte papa tjetër. Kritikuesit e Bertones e akuzojnë se ai e ka mbushur Curian me miq të tij italianë. Disa e shohin këtë si një tentativë për të ndikuar në zgjedhjen e papës tjetër.

Ndërkohë, kabllograme sekrete të “Wikileaks” drejtuar Departamentit të Shtetit nga ambasada amerikane në Vatikan, e cilësojnë Bertonen si një njeri shumë servil, pa përvojë diplomatike dhe aftësi gjuhësore. Burimet e Vatikanit thonë se disa kardinalë i kanë kërkuar Papës që ta zëvendësojë Bertonen, për shkak të lapsuseve të shumta administrative, përfshi mungesën e paralajmërimit të Papës, se një peshkop renegat i ripranuar në kishë në vitin 2009 ishte një mohues i hapur i holokaustit. Por, po sipas tyre, Papa që është duke i shfaqur gjithnjë e më tepër shenjat e plakjes nuk duket se ka ndërmend që të lëvizë nga detyra njeriun që e cilëson si krahun e djathtë. Po sipas burimeve të ndryshme të larta, situata është e komplikuar në Vatikan dhe Papa nuk ka më fuqi. Sipas këtyre zërave, Papa është i izoluar dhe jeton në botën e tij dhe disa thonë se edhe informacionet nga jashtë që merr janë të filtruara dhe se ai interesohet vetëm te librat dhe lutjet. (SHQIP)

SHPËRNDAJE