Ministria e Punëve të Jashtme ka nisur procedurat e emërimit të konsujve të nderit të Kosovës. KosovaTimes ka siguruar emrat e gjashtë konsujve që janë propozuar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Kosova shumë shpejt pritet të ketë konsuj nderi në shumë vende të botës. Krerët e institucioneve më të larta kanë bërë një listë të propozimeve për konsuj nderi, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme ka nisur procedurat për emërimin e tyre.

Propozime për konsuj nderi kanë bërë presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacollui, ministri Enver Hoxhaj, ambasadat e Kosovës etj. Emrat që i ka propozuar zëvendëskryeministri Behgjet Paqcolli, janë:

1. Mom Luang Rajadasari Jayankura – Mbretëria e Tailandës
2. Enrique Rais – Honduras
3. Ahmed Shaheed – Republika e Maldiveve
4. Samuel Peralta Sosa – Republika Dominikane
5. Olivier J. Nutsugan – Republika e Beninit
6. Fabien Xavier Baussart – Republika e Italisë.

Ka propozime të konsujve edhe për vendet të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli e ka konfirmuar për KosovaTimes listën e propozimeve nga shefi i tij, dhe ka thënë se këta emra e ndihmojnë qe një kohë të gjatë afirmimin e Kosovës.

“Janë figura të respektuara, në vendet e tyre, siç është rasti me princeshën e Tajlandës, e cila ka hapur edhe Zyrë të Republikës së Kosovës atje, dhe zhvillon një aktivitet të ngjeshur në atë pjesë të Azisë. Pastaj Enrique Rajs që është personalitet me ndikim në vendet e Caricomit dhe Amerikës Qendrore”, tha Zyberaj.

Nga lista e të propozuarve, bie në sy edhe emri i Samuel Peralta Sosa, një ish-bejsbollist i cili arriti famë të madhe në SHBA dhe i cili pritet të angazhohet për afirmimin e sportit kosovar.

Gjithashtu, në listën e konsujve të propozuar nga Pacolli, sipas Zyberajt, ka personalitete të shquara nga Afrika, dhe gjithë pjesët e botës ku Kosova ka nevojë për mbështetje. Sipas tij, konsujt e angazhuar do të punojnë falas dhe nuk do të marrin asnjë pagë apo mjete financiare nga buxheti i Kosovës.

Edhe Artan Behrami, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj e ka konfirmuar të martën listën e propozimeve për konsuj e ri të Kosovës. “Ministria e Jashtme ka përpiluar një listë shumë të gjatë të konsujve të nderit të cilët do të shërbejnë në shtete të ndryshme të botës të cilat e kanë njohur pavarësinë. Shumë shpejt do të emërohen edhe konsuj në SHBA, Francë, Itali, Gjermani dhe vende tjera pas procedurave që duhet të ndiqen. Ne kemi propozime për konsuj nga presidentja, kryeministri, zëvendëskryeministri Pacolli, ministri Hoxhaj dhe nga ambasadat”.

Deri tani Kosova ka të emëruar vetëm pesë konsuj nderi. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE