Pacolli: Për mua ekziston vetem nje Mitrovicë dhe s ka terma veri apo jug

“Nuk ka as veri dhe as jug, ky është vetëm term gjeografik”, ka thënë Pacolli.

Nën masa të rrepta të sigurisë, ku ka pasur prani të shtuar të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, kanë vizituar të shtunën zonën e “Tre rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës, ku janë pritur nga banorët shqiptarë.

Kreu i vendit pas një shëtitje të shkurtër në jug, është nisur këmbë drejt veriut duke kaluar përmes urës mbi lumin Ibër. Banorët shqiptarë të zonës “Tre rrokaqiejt” me duartrokitje kanë pritur ardhjen e presidentit Pacolli dhe ministrit Rexhepi, duke iu dëshiruar atyre mirëseardhje.

Me këtë rast, presidenti Pacolli ka premtuar se do të luftojë grupet kriminale serbe në këtë pjesë të vendit dhe se qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës do të ndihen si qytetarë të Republikës së Kosovës. Sipas tij, ndarja veri-jug në Mitrovicë ekziston vetëm si term gjeografik dhe jo si problem politik.

“Për mua nuk ekziston termi veri apo jug, ekziston si term gjeografik dhe jo politik e administrativ. Ishim në këtë anë t’i kontaktojmë banorët e kësaj ane, pa marrë parasysh cilës kombësi apo fe i përkasin, t’u tregojmë se janë pjesë përbërëse e Kosovës, janë qytetarë të Kosovës, të ndihen mirë dhe të themi se edhe në këtë anë mbretëron ligji, dhe jam përkushtuar që t’ua përmirësojmë jetën edhe këtyre qytetarëve në këtë anë”, ka thënë Pacolli.

Në pyetjen e gazetarëve se a do të përfshihet veriu si temë e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, presidenti Pacolli ka thënë se grupi i bisedimeve është në përgatitje e sipër dhe ata kanë agjendën e vet.

Ndërsa sa i përket asaj se në ç’mënyrë do t’i luftojë grupet kriminale në veri, Pacolli ka thënë se sundimi i ligjit do të shtrihet edhe në këtë pjesë të vendit.

“Unë po ju premtoj se në këtë mandat pesë vjeçar, bashkë me njerëzit e Qeverisë së Kosovës, me njerëzit e Kosovës dhe që ia donë të mirën Kosovës, edhe në këtë anë do ta kthejmë rendin dhe ligjin. Ligji do të jetë mbi të gjithë dhe qytetarët e kësaj pjese do të ndihen si në pjesë plotësisht përbërëse të Kosovës”, tha Pacolli, duke premtuar se edhe shumë herë do ta kalojë këtë urë, sepse qytetarët e kësaj ane e meritojnë që institucionet e vendit të jenë pjesë e halleve të tyre këtu.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, ka thënë se zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit janë prioritete strategjike të institucioneve të Kosovës.

“Me një punë të përbashkët krejt territori i Kosovës do të jetë unik, ku do të vlejnë ligjet e Kosovës. Ky është një proces, ku me një përkushtim dhe ide që edhe presidenti i ka shpalosur dje në një bisedim të përbashkët. Këto janë dy çështje, në rend të parë sundimi i rendit dhe ligjit, dhe zhvillimi ekonomik dhe këto do të jenë si synime strategjike në të ardhmen që të bëhet integrimi i mirëfilltë edhe i qytetarëve, jo vetëm integrimi administrativ”, është shprehur Rexhepi.

Presidenti Pacolli ka vizituar edhe shtëpinë e ministrit Rexhepi që ndodhet në Suhadoll, me të cilin kanë biseduar pa praninë e medieve. Kjo është hera e parë që një president i Kosovës viziton Mitrovicën veriore, pas përfundimit të luftës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni