Presidenti Behgjet Pacolli po qëndron në Shqipëri në vizitën e parë shtetërore jashtë vendit. Presidenti Pacolli takoi ndaras presidentin Topi e kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama. Mbajti një fjalim edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Autoritetet po i bëjnë pritje madhështore presidentit Pacolli, e në këtë vizitë po marrin pjesë ministra të qeverisë, asociacione ekonomike dhe afaristë kosovarë.

Presidenti i Kosovës Behxhet Pacolli dhe ai i Shqipërisë, Bamir Topi kanë zhvilluar sot një takim dhe më pas kanë dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp. Pacolli theksoi se vizita e tij e parë zyrtare që nga marrja e postit vjen në një moment shumë të rëndësishëm, kur Kosova sapo ka dalë nga një vakum i vështirë institucional.

“Jam i lumtur që ndodhem në Shqipëri, tek shteti amë, tek shteti mik, tek shteti vëlla, dhe kjo është një frymëzim i madh për mandatin tim” tha Pacolli.

Dialogu që sapo ka nisur mes Prishtinës dhe Beogradit është cilësuar si shumë i rëndësishëm nga kreu i shtetit të Kosovës. Pacolli ka nënvizuar se Kosova duhet të punojë për të ardhmen e saj dhe për përmirësimin e imazhit.

Homologu i tij Topi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit për shtimin e njohjeve për Kosovën. Topi ka kërkuar që Kosova të përfitojë sa më shpejt lirinë e lëvizjes, pasi nuk mund të mbetet e izoluar.

Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli ka mbajtur edhe një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.

“Duhet unifikimi i legjislacionit, komunikacionit, dhe dokumentacionit gjyqësor dhe të bizneseve. Lëvizje e lirë edhe të ideve, diturisë dhe kapitalit. Standardizimi i dijes, teksteve të reja shkollore dhe gjuha akademike. Duhet të filojme punën me energji pozitive. Askush nuk e fsheh idenë e një bashkimi, por duhet te ndjekim aspiratat tona brënda bashkesisë Europiane”, deklaroi presidenti i Kosovës gjatë fjalimit në Kuvendin e Shqipërisë.

Pacolli tha se puna për këto çështje duhet të fillojë menjëherë pasi të dyja vendet janë me vonesë në këtë drejtim.

Konkretisht për projektet e përbashkëta Kosovë-Shqipëri Pacolli foli me kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Pacolli e Berisha folën për ndërtimin e disa projekteve të infrastrukturës si dhe për fillimin e punimeve brenda të këtij viti të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë – Prishtinë.

Presidenti i Kosovës Pacolli pas takimit me homologun e tij Topi dhe me kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha eshte takuar edhe me kreun e Bashkisë së Tiranës, njëherësh kreu i opozitës Edi Rama.

Rama, me këtë rast, ia dorëzoi presidentit të Kosovës “Çelësin e Tiranës”, duke çmuar lart, siç tha ai, personalitetin e z.Pacolli.

SHPËRNDAJE