Koalicioni për Kosovë të Re ka përmbyllur fushatën paraelektorale, duke i bërë thirrje qytetarëve të dalin sa më masovikisht më 12 dhjetor dhe të votojnë për këtë koalicion, i cili sipas drejtuesve të tij, do të sjellë ndryshime pozitive në jetën e qytetarëve dhe punësim më të madh.

 

 

“Treni i shpejtësive të mëdha, Koalicioni për Kosovë të re ndaloi në Prishtinë. Atje ku nisi. Unë jam i nderuar që i dhamë jetë këtij Koalicioni. Më i madhi. Më i ploti. Alternativa vërtet e re e Kosovës. Përgjigja më e mirë, ilaçi më i mirë kundër zhgënjimit popullor të këtyre 10 vjetëve pas çlirimit! Secili prej liderëve të koalicionit tonë mund të ishte fare mirë president dhe kryeministër i Kosovës! Secili prej nesh do t‘i bënte nder atdheut!

Sot më vijnë në mendje fjalët e atdhetarit tonë të madh, Hasan Prishtinës: Shteti nuk bëhet lehtë! Për ta bërë shtetin nuk ka përulje; as lëshime, shteti bëhet me popull, i ndihmuar dhe nga miqtë e vërtetë. Por shteti nuk bëhet duke marrë nga shteti, por duke shkrirë drejt dijen, pasurinë, dhe guximin për shtetin. Shtetin e mbajnë të diturit dhe guximtarët! Sakrifikuesit dhe atdhetarët!

Le ta bëjmë zotim këtë porosi të Hasan Prishtinës! Kosovës, pra, i duhen njerëz të papërlyer, që do të hapin një faqe të re në historinë e saj. Koalicioni Kosova e re i ka ata! Duke filluar nga Mimoza, kryeministrja jonë. Nuk shoh rrotull nesh, në rreshtat e epërm të partive të tjera, një kandidate si Mimoza: Kosova ka nevojë për vullnet, optimizmin, dhe shpirtin të rinjve. Të rinjtë janë pjesa më e mirë e këtij koalicioni! Ne kemi më shumë të rinj se të tjerët. Se cilado parti tjetër”, tha kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Ne përfaqësojmë dinjitetshëm tre fazat e shtetndërtimit të Kosovës, fazën paqësore të presidentit historik Rugova, dhe fazën e Luftës së UÇK-së, që përshpejtoi idenë e realizimit të shtetit të Kosovës, lirinë dhe pavarësinë! Tani jemi akterët kryesorë të fazës së tretë të ndërtimit të një shteti dinjitoz, për qytetarin e Kosovës. Do ta përmirësojmë jetën e qytetarit, tija kthejmë vlerat morale dhe etike që i takojnë; t’i garantojmë siguri dhe lëvizje të lirë në gjithë botën.

Unë jam si ju. Kudo që shkova nëpër botë, mbeta bir i këtij dheu. Sot dua votën tuaj për t’u bërë President i Kosovës. Për t’i dhënë dinjitet atij posti të lartë! Pa ma kërkuar kush, unë kam lobuar për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ne kemi arritur me lobimin tonë që Presidenti Bush të thotë në Tiranë: Kosovës i duhet pavarësia! Tani! Ani pse unë nuk jam mburrur kurrë më parë për këtë. Unë me ekipin tim e ngritëm numrin e njohjeve të Kosovës, nga 46 në 72. Me mandatin e drejtpërdrejtë nga populli, unë do jem president i fortë. Një president i fortë si unë frenon abuzimet e kryeministrave. Një president si unë shton numrin e njohjeve dhe anëtarëson Kosovën në OKB. Unë do t’i rrëzoj kufijtë e Kosovës dhe do t’i garantoj të rinjve tanë lëvizje të lirë në të gjithë botën! Lëvizje të lirë të njerëzve,bashkë me idetë dhe kapitalin e tyre”, tha Pacolli.

Tutje ai u shpreh se “Shpresën dhe besimin tek ne, për të mirën e Kosovës kthejeni në votë. Nuk do ju zhgënjejmë. Le ta kujtojmë dhe njëherë porosinë e Hasan Prishtinës që- Shtetin e mbajnë të diturit dhe guximtarët! Sakrifikuesit dhe atdhetarët! Këtu para jush betohem bashkë me përfaqësuesit e Koalicionit për Kosovë të re, se do të punojmë për ju, shumë, vetëm e vetëm për interesat tuaja, me profesionalizëm, përgjegjësi, me transparencë, me llogaridhënie dhe çka është më e rëndësishme, do të punojmë me shpirt! Kështu suksesi është i garantuar”, tha ndër të tjera në fjalimin e tij kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.

SHPËRNDAJE