Rifat Jashari falënderoi për vizitat dhe përkrahjen e gjithë popullit shqiptar dhe porositi që të lihen anash inatet personale në mënyrë që Kosova shkojë në binarë të duhur.

Nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, të shtunën ka nisur manifestimi treditor “Epopeja e UÇK-së”, me rastin e 13-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Me këtë rast Forca e Sigurisë së Kosovës organizoi manifestimin qendror me moton “Nderojmë Historinë- Ndërtojmë të Ardhmen”, në kazermën “Adem Jashari”, në të cilën morën pjesë drejtues të institucioneve shtetërore të Kosovës, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, anëtarë të familjes Jashari, përfaqësues të komuniteteve fetare etj.

 

 

Presidenti i Republikës së Kosovës z.Behgjet Pacolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi kanë bërë inspektimin e trupave dhe kapaciteteve të FSK-së. Me këtë rast, presidenti Pacolli ka thënë se themelet e shtetit tonë janë të forta falë gjakut të dëshmorëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë, ndërsa tash duhet të punojmë për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Jeta e një shteti të ri ka nevojë për simbole të forta, rreth tyre forcohet ndërgjegjja kombëtare, inspirimet e gjeneratës së re, ato shërbejnë si pyka referimi për klasën politike. Simbolit të lirisë sonë, komandantit legjendar, Adem Jasharit dhe heronjve tjerë Zahir Pajaziti, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Agim Ramadani, Fehmi dhe Xhevë Lladrofci e gjithë dëshmorët tjerë të kombit kanë vendos themelet e shtetit tonë”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se lufta heroike e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij bashkoi gjithë shqiptarët kudo që janë ata në luftën për liri.“13 vjet më parë familja Jashari, komandanti legjendar Adem Jashari, gjithë Kosova u zgjuan në një betejë për liri, për shtet, për bashkim. Atë ditë pushka e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, bashkëluftëtarëve të tij, bashkoi gjithë Kosovën, bashkoi gjithë shqiptarët kudo që jetonin, Shqipëri, Maqedoni, Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, Ulqin dhe kudo në diasporë, në Evropën Perëndimore dhe SHBA. Atë ditë u bashkua Kosova, u bashkuan shqiptarët, por edhe zgjuan gjithë komunitetin ndërkombëtar me vëmendjen për Kosovën si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e saj, prandaj 5 marsi është dita e gëzimit të madh dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve, por është edhe dita e zgjimit të ndërgjegjes ndërkombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ministri i Forcës së Sigurisë (MFSK), Agim Çeku, ka thënë se jemi krenar që jemi bashkëkombës të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, të cilët sakrifikuan jetën e tyre që Kosova sot të gëzojë lirinë.

“Në këtë ditë ne shohim lavdinë tonë, i shohim të arriturat tona dhe të ardhmen tonë. Është dashur të bëjmë sakrifica të ndryshme për të arritur qëllimin tonë, krijimin e shtetit, tani është koha ta çojmë përpara këtë qëllim. Dhe këtë qëllim mund ta çojmë përpara duke ndërtuar shtet dhe institucione të fuqishme dhe me kredibilitet”, ka thënë ai. Ministri Çeku është zotuar se do të vazhdohet me punën për krijimin e FSK-së si forcë profesionale, në përputhje me standardet më të larta të NATO-s, ndërkohë që do të punohet për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

SHPËRNDAJE