Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe, 12 vjet më parë, ishte ngjarje e madhe historike që i hapi rrugë çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë të mërkurnë një deklaratë me rastin e 24 Marsit, 12 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe. Ai e ka vlerësuar 24 marsin e vitit 1999 si ngjarje të madhe historike që i hapi rrugë çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës. Realiteti i sotshëm në Kosovë, sipas presidentit Pacolli, i jep legjitimitet dhe të drejtë absolute vendimit ndërkombëtar për sulme ajrore kundër Serbisë më 1999.

“Fushata e bombardimeve të NATO-s që filloi më 24 mars 1999, ishte një akt i jashtëzakonshëm i humanizmit dhe mesazh i qartë i botës demokratike dërguar regjimit të Millosheviqit, se bota e civilizuar ishte e përcaktuar që me çdo kusht t’iu jepej fund krimeve të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë anekënd Kosovës”, thuhet në deklaratën e Presidentit të Kosovës.

“Në këtë ditë, ne qytetarët e Kosovës me dhimbje kujtojmë të gjitha viktimat civile që pësuan si pasojë e fushatës së terrorit të egër të Millosheviqit dhe bashkëndjejmë me vuajtjet e familjareve që ende sot e kësaj dite kërkojnë të zhdukurit e më të dashurit e tyre. Me gjithë dhimbjet e mëdha që lufta i shkaktoi Kosovës, kjo ditë simbolizon kthesën e madhe për vendin tonë drejt rrugës së paqes dhe prosperitetit”.

Sot, Kosova e Pavarur, tha presidenti Pacolli, është në rrugë të duhur të forcimit të shtetësisë së saj duke ndërtuar institucione kredibile mbi një platformë dhe vizion të qartë politik, i cili garanton zhvillimin e një shoqërie demokratike.

“Duke aspiruar në integrimet euroatlantike, populli i Kosovës dhe institucionet e saj do të punojnë intensivisht në krijimin e një shoqërie të zhvilluar ekonomikisht e stabile politikisht që garanton një jetë të barabartë dhe të lirë për të gjithë qytetarët e saj. Ndërtimi i një shoqërie me vlera demokratike që reflekton stabilitet politik në tërë rajonin është falënderimi i ynë më i madh për SHBA-në, për shtetet e BE-së dhe miqtë tanë të tjerë ndërkombëtarë të cilët përkrahen Kosovën në rrugën e saj të vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Presidentit të Kosovës.

SHPËRNDAJE