KOMUNIKATË PËR OPINION

            Qytetarë të nderuar të Luginës së Preshevës, Iniciativën për ngritjen e Varrezave të Dëshmorëve si dhe Lapidarit  duhet të përkrahet dhe të mbështetet nga të gjithë, singa OVL-ja po ashtu edhe nga faktori politik dhe ai qytetetarë.

            Po ashtu, gatishmëria e individëve për të dhuruar vendin për Varrezat e Dëshmorëve dhe ngritjen e lapidarit, duhet të përshëndetet dhe duhet të konsiderohet human e solidarë për një çështje shumë të rëndësishme.

            Por të nderuar qytetarë një iniciativë e tillë dhe një projekt kaq madhorë kërkon një harmonizim po ashtu madhor e të gjithë anshëm mes aktorëve kryesorë siç janë: OVL, Familjet e Dëshmorëve, spektri politik e qytetarë bashkë me dhuruesit apo pronarët e vendit  ku mund të ndërtohet

            Kjo duhet të ndodhë kështu sepse ne sot mund të marrim shumë shembuj të mirë anekënd Kosovës, duke e parë me lakmi pamjen se ku janë bashkë varrosur Luftëtarët e Lirisë tani më Dëshmorë të Kombit.

            Prandaj në asnjë mënyrë nuk guxojmë të lejojmë që Dëshmorët ti rivarrosim nëpër vendet e fshehta e prapa shpine; në asnjë mënyrë nuk guxojmë që Dëshmorët ti injorojmë e ti nënçmojmë duke i rivarrosur në vende ku pamja e tyre nuk dominon aq më pak kur nuk e kemi pëlqimin e shumicës së Familjarëve të Dëshmorëve të Kombit.

            Mos të harrojmë se Dëshmorët janë në panteonin më të lartë të Lirisë. Ata janë shumë afër Zotit….sepse atë vend e kanë krijuar me sakrificën e tyre.

            E ne ku duam ti rivarrosim?!

            Ne jemi duke i nënçmuar duke dashur ti rivarrosim në një fushë gropë, prapa krahëve të njerëzisë, prapa shpine, në periferi ku shumë shpejt i kaplon faza e harresës.

 Ne përshëndesim Bashkësinë lokale të Rahovicës që ka shprehur gatishmëri për një akt të tillë. Por po ashtu ja përkujtojmë se pos Bashkësisë lokale të Rahovicës kemi edhe shumë Bashkësi tjera lokale  që po ashtu kanë mundësinë të marrin iniciativa të tilla… por nuk kanë të drejtë të veprojnë.

            OVL e UÇPMB-së është ajo që duhet të merr vendime të tilla dhe të tjerët duhet ta përkrahin.

Po sikur nesër të na lind një iniciativë e tillë nga Bashkësia lokale e Strezocit, Miratocit, Shoshajës, Norçës apo Bashkësive tjera lokale.

            Një ka qenë UÇPMB-ja, dhe pasardhëse e saj është OVL e UÇPMB-së, e cila duhet ta marrë primatin  për këto çështje, sepse po këtë çështje i kanë edhe në Programin e saj; pa harruar se bashkëpunimi me qytetarët e Bashkësive lokale është i patjetërsueshme.

            Nisur nga kjo, të nderuar qytetarë propozojmë që iniciativa e disa individëve të thirrur si Bashkësi lokale e Rahovicës të ndërpritet menjëherë me qëllim të hulumtimit dhe gjetjes së një vendi me të përshtatshëm dhe më të respektueshëm.

            Kjo iniciativë  duhet të ndërpritet për vet faktin që të ruhet uniteti mes nesh sepse tani për tani nuk jemi të gjithë të një mendje.

            Mos unitet ynë më së shumti po i shkon përshtati Beogradit i cili shlirshëm po e zbaton politikën antishqiptare .

            Të gjithë e dini se vendi po kalon nëpër një zhvillim politik shumë dinamik sa që kërkon domosdoshmërisht unitetin tonë dhe veprimet tona të përbashkëta.

            Mos të harrojmë se pikërisht më 21 Janar 2011,Beogradi dënoi me 101 vjet burg vëllezërit tanë vetëm se ata ishin Shqiptarë.

            Si kundër përgjigjje Kuvendarët Shqiptarë të tri Kuvendeve me datë 23 Janar 2011 kanë hartuar një Deklaratë të cilën ia kanë dhënë të gjitha institucioneve vendore, shtetërore dhe ndërkombëtare ku në atë Deklaratë shprehen decidivisht se nëse nuk përmbushen kërkesat do të përgjigjen me mos dëgjueshmëri qytetare.

            Prandaj ta keni parasysh se vetëm politika e Beogradit kërkon përçarjen tonë; E përçarjen tonë kësaj radhe po e kërkon nëpërmes elementit më të rrespektueshëm e më krenarë siç janë Dëshmorët e Kombit.

            Është mençuri e jona që mos të biem në grackë,  të bëhemi më unik ti lëmë teket tona dhe të gjejmë një vend  më të përshtatshëm për Dëshmorët.

Të jemi më të kujdesshëm e  më të arsyeshëm e të kuptojmë për kë bëhet fjalë e ku po e mbjellim historinë sepse Ata-Dëshmorët  janë gurëthemeli i lirisë dhe trashëgimi e pashterrshme e vlerave kombëtare, faqja më e shëndritur e historisë tonë kombëtare e që do të shërbejë si udhërrëfyese për brezat e rinj.

 
Kryetar -Nagip Bektashi
Preshevë,03.04.2011  Kryesia e OVL-së 

SHPËRNDAJE