Osmani: Për regjistrimin do të angazhohen 15 mijë shqiptarë

Regjistrimi i popullsisë është një nga proceset statistikore më të ndërlikuar dhe më voluminoz në çdo vend të botës, por në Maqedoni ka një specifikë të veçantë, pasi i tërë sistemi politiko-juridik në vend korrespondon me rezultatet e këtij procesi të regjistrimit tha sot në konferencë për shtyp zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, sipas të cilit BDI-ja ka investuar vullnet të fuqishëm politik në krijimin e një fundamenti të shëndosh ligjor, i cili do të garanton cilësi, transparencë dhe objektivitet në procesin e regjistrimit.

Në këtë proces, tha Osmani, do të përfshihen edhe diku afro 15 mijë shqiptarë si regjistrues dhe instruktor.

“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi që në emër të BDI-së të përshëndes vendimin e KSHR-së, i cili i pranoj interpretimin e Qeverisë të ligjit për regjistrimin e popullatës, dhe definoj strukturën e regjistruesve me çka rreth 15 mijë shqiptarë do të jenë drejtpërdrejtë të angazhuar në terren për realizimin dhe mbarëvajtjen e regjistrimit. Dhe që nga sot ka filluar konkursi për regjistrues dhe instruktorë në tërë Republikën e Maqedonisë dhe dua që të apeloj tek të gjithë ata të cilët i plotësojnë kushtet që të jenë pjesë e këtij procesi dhe të japi kontributin e vetë personal në realizimin e suksesshëm të tij”, tha Osmani.

Zëdhënësi i BDI-së bëri thirrje që të mos shantazhohet, por përkundrazi të ndihmohet procesi i regjistrimit, meqë siç u shpreh ai, regjistrimi i suksesshëm është një test për demokracinë por edhe për kapacitetin e avancimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend.

“Ajo çfarë duam të vlerësojmë është se regjistrimi i tejkalon kornizat partiake, i tejkalon kornizat e interesave të politikës ditore dhe për shkak të konstolacioneve merr dimensionin e një misioni kombëtar, në të cilin duhet të angazhohet secili qytetar shqiptar dhe prandaj duam që ta shfrytëzojmë këtë mundësi që secili me kontributin e vetë personal të jetë pjesë e këtij procesi dhe të ndihmoj në mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm, i cili po merr karakteret e një misioni kombëtar. Çdo pengesë dhe çdo shantazh që mund t’i bëhet këtij procesi, në fakt drejtpërdrejtë kërcënon interesin vital shqiptar dhe historia do të gjykojë për të”, tha Osmani.

Sipas ligjit, regjistrimi i popullsisë do të mbahet nga 1 deri më 15 tetor të këtij viti.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni