Vendimi i Gjykatës Speciale serbe, për dënimin e nëntë shqiptarëve të Preshevës, me gjithsej 101 vjet burgim, në janar të këtij viti, pati shkaktuar reagimin e faktorit politik dhe institucional shqiptar në këtë rajon.

Preshevë, 5 korrik / AIK-Presheva Jonë

Preshevë, 5 korrik – Lideri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Orhan Rexhepi, njëherësh dhe zv/kryetar i asamblesë komunale të Preshevës, ka deklaruar të martën,  për “Kohën ditore”, se ka marrë një shkresë nga Gjykata e Qarkut në Beograd, të nënshkruar nga kryetarja e Trupit Gjykues, Snezhana Nikoliq Garotiq, e bashkëshoqëruar me kërkesat me shkrim nga të burgosurit shqiptarë, drejtuar Rexhepit, për t`i vizituar ata në Burgun Qendror të Beogradit, pasi që ai, njëherësh ishte dhe personi i autorizuar nga familjarët  për të ndjekur procesin gjyqësor dhe për të përfaqësuar grupin e akuzuar.

Rexhepi, menjëherë, të hënën, me të marrë shkresën, ia ka kthyer përgjigjen kryetares së Trupit Gjykues, gjithashtu me shkrim, se këtë javë do të shkojë t`i vizitojë të burgosurit shqiptarë të Komunës së Preshevës, në Burgun e Beogradit.

Vendimi i Gjykatës Speciale serbe, për dënimin e nëntë shqiptarëve të Preshevës, me gjithsej 101 vjet burgim, në janar të këtij viti, pati shkaktuar reagimin e faktorit politik dhe institucional shqiptar në këtë rajon.

Në një seancë të jashtëzakonshme të tri KK-ve të Luginës së Preshevës, përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, aktgjykimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte të Beogradit, me gjithsej 101 vjet burgim për nëntë të arrestuarit shqiptarë të Preshevës, e patën vlerësuar të motivuar politikisht, dhe pa kurrfarë provash e dëshmish ligjore. Përfaqësuesit politikë patën shprehur zemërimin dhe reagimin e shqiptarëve të Luginës lidhur me vendimin e njëanshëm dhe jo të drejtë të Gjykatës në Beograd, duke shprehur indinjatën e thellë ndaj aktgjykimit, politikisht të motivuar.

Ata konsideronin se mungesa e provave relevante materiale, mbështetja e aktgjykimit pothuajse vetëm në deklaratat e dëshmitarit bashkëpunëtor dhe dëshmitarëve indirektë e bëjnë atë të papranueshëm dhe juridikisht të paqëndrueshëm. Ndaj, përfaqësuesit shqiptarë të Luginës në seancën e jashtëzakonshme të tri KK-ve të Luginës, menjëherë pas shpalljes së dënimit me gjithsej 101 vjet burgim, përmes një deklarate të përbashkët të miratuar kërkuan shfuqizimin e këtij aktgjykimi, duke shprehur njëkohësisht edhe mosbesim ndaj sistemit gjyqësor serb.

Nëntë nga shtatëmbëdhjetë të akuzuarit shqiptarë nga Presheva, akuzohen nga Gjykata për Krime Lufte në Beograd, për krime lufte, kinse të kryera ndaj serbëve, romëve dhe ndaj ndonjë shqiptari luajal (spiun), gjatë periudhës kohore, mesi i qershorit dhe fundi i tetorit të vitit 1999, sipas tyre krime këto të kryera në qytetin e Gjilanit dhe rrethinën e tij.

Arrestimi i nëntë të arrestuarve shqiptarë nga Presheva, qe bërë në një aksion tejet spektakular të forcave të shumta të kombinuara speciale serbe, të përcjellë edhe përmes edhe medieve të shumta serbe.

SHPËRNDAJE