Deklaroi në intervistën ekskluzive për agjencinë informative kombëtare « Presheva Jonë » z.Orhan Rexhepi, kryetar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Luginë të Preshevës. Rexhepi ishte i angazhuar nga prindërit dhe familjarët e të arrestuarve shqiptarë për mbrojtjen e tyre gjatë tërë gjykimit maratonik trevjeçar sa zgjati nga gjykata famëkeqe e Beogradit.

 

Preshevë,22 shtator

Presheva jonë: Z.Rexhepi,si e vlerëson procesin gjyqësor ndaj djemve shqiptarë nga Presheva  që përfundoi ditë më parë në Beograd ?

Orhan Rexhepi : Proces i montuar politik si edhe shumë të tjerë, në esencë proces anti-shqiptar i dalë nga  projektet e shumta serbe e sllave, të kurdisura kundër një populli të tërë dhe fare të pambrojtur.

 

Presheva jonë:  Sa kishin fakte gjykatësit serbë për dënimin me mbi një shekull burgim për 11 të akuzuarit shqiptarë ?

Orhan Rexhepi :   Një dhe i vetmi “fakt” ishte se ata, përkatësisht të gjithë ne jemi shqiptarë. Gjykata serbe i kishte në dispozicion 264 dëshmi-dokumente në favor të pafajsisë së qintëpërqintë të djemve tanë dhe vetëm 7 dokumente fund e krye të montuara të prokurorisë. Po kjo Gjykatë pati në dispozicion edhe 206 dëshmitarë, në këtë rast 7 të palës mbrojtëse dhe 199 të prokurorisë, dhe për bazë për Aktgjykimin e Rigjykimit u morën vetëm dy dëshmitaret e mbrojtura, kinse të përdhunuara, C1 dhe C2, të cilat për tri vite e gjysmë u prezantuan si të nacionalitetit rom nga Gjilani, kurse ditën e Aktgjykimit na i shndërruan të ishin të nacionalitetit serb. Bozhuri 50, në bazë të dokumenteve të EULEX-it u anashkalua  i tëri edhe pse Aktakuza ishte ngritur ekskluzivisht në bazë të “dëshmisë” së tij. Absurdi tjetër ishte  se, Trupi gjykues, gjashtë të akuzuarit e parë i nxori të jenë totalisht të fajshëm dhe i liroi nga aktakuza, pos Shefket Musliut, nga ana tjetër, derisa rreth dyzet minuta sqaroi për pavërtetësinë e argumenteve për dënimin e mundshëm e të 11 të tjerëve, në absurdin mbi absurdet, këta i dënoi me 116 vjet burg.

 

Presheva jonë: Cili është mesazhi i këtyre dënimeve drakonike për shqiptarët e akuzuar për krimet e pabëra,madje edhe për tërë shqiptarët e Luginës së Preshevës ?

Orhan Rexhepi :   Kushdo shqiptarë që i thotë vetit, e din fare mirë se cila është porosia e pjesës së projektit qintë-vjeçarë për zhdukjen dhe zhbërjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, sepse Serbia pardje në Beograd, nuk i dënoi vetëm 11 shqiptarë të Preshevës dhe Bujanocit, por e dënoi mbarë popullin shqiptar, jo vetëm të Luginës së Preshevës. E dënoi popullin tonë se na paska kryer krime lufte ndaj serbëve. Serbia e dënoi edhe UÇK-në se edhe ajo na paska  kryer krimet të njejta ndaj të njejtëve. E gjitha kjo montazhë perfide po ndodhë pikërisht para fillimit të bisedimeve të reja politike mes Kosovës dhe Serbisë, dhe paramendoni derisa Serbia po vepron antishqiptarshë Kosova dhe Lugina po heshtin proserbshëm. Nuk është i rastësishëm as dënimi i ish-Komandantit të UÇPMB-së Shefket Musliut, sepse atij duhet t’i ndalohet kthimin në Luginë, sepse ai nuk ka qenë kurrë dhe nuk është njëri i tyre, prandaj edhe duhej të dënohej.

 

Presheva jonë: Ju i keni përcjellë seancat e gjykimit që nga arrestimet famëkeqe e gjer në ditët e fundit,pse bëhen këto gjykime dhe a kishte fakte për këto dënime ?

Orhan Rexhepi :    Të më tregojë dikush, në të ketë ndodhur gjëkundi në Botë, po edhe në këtë Serbi më parë, të lirohen të akuzuarit e parë të ndonjë grupi dhe të dënohen ata të mëpasmit, kjo  tregon qartë gjithçka

Presheva jonë: A mund të na përshkruani vuajtjet e të arrestuarve shqiptarë në burgjet serbe ?

Orhan Rexhepi :     I kam thënë dhe kam sqaruar shumë e shumë herë vujatjet e tyre, i kanë treguar ato edhe familjarët e të burgosurve. Sa më i egër të jetë persekutimi aq më e madhe është vuajtja, dhe Serbia është e para në botë për këto gjëra.

Presheva jonë: Diçka që nuk ju pyeta,e që e shihni t’i sqaroni opinionit të gjer për këtë proces gjyqësor,çka kishit shtuar ?

Orhan Rexhepi :    Asnjë nga përfaqësuesit politik dhe institucional të Luginës së Preshevës, pos meje, nuk ishte prezent në shpalljen e aktgjykimit kundër djemve tanë, përkatësisht kundër gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dhe të gjithë dolën me deklarata “të forta” pasi kishin shikuar lajmet, dhe në këtë rast është gati qesharake të presësh ndonjë vendim apo akt politik nga ata. Institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe sidomos ato të Kosovës duhet të reagojnë në mënyre adekuate, edhe pse ndoshta kot së koti po i them gjitha këto, sepse as edhe deklarativisht nuk kanë reaguar.

 

                                              Avni Jusufi

SHPËRNDAJE