Bashkimi kombëtar nëse jo në letër thuajse që ka marrë rrugën e vet në forma tjera, si ato në sport e kulturë. Këtë e dëshmon më së miri edhe fakti që në ceremoninë kur ekipi olimpik shqiptar mori flamurin e kuqezi për ta ngritur në “Londra 2012”, prezent ishin ministrat e Sportit të dyja vendeve, Aldo Bumçi, i Shqipërisë dhe Memli Krasniqi i Kosovës. Siç dihet flamurin kuqezi në këto lojëra olimpike do ta përfaqësoi edhe xhudistja pejane, Majlinda Kelmendi, e cila është ndër kandidatet kryesore për të fituar medaljen në këtë olimpiadë dhe njëkohësisht për ti sjellur Shqipërisë dhe Kosovës këtë çmim prestigjioz. Pos Bumçit e Krasniqit, në këtë ceremoni madhështore ishin të pranishëm edhe një numër i madh i sportistëve, punëtor sportiv e ambasadorë në Tiranë. Në fjalën e tij ministri Bumçi theksoi sakrificën e sportistëve tanë për të arritur deri këtu dhe arritjet që ata kanë bërë në arenën evropiane e botërorë në sportet respektive. Ndërkohë ministri Krasniqi, duke kujtuar edhe një herë sportisten kosovare Majlinda Kelmendin ka theksuar se kjo e jona është një përfaqësi kombëtare e një kombi, atij shqiptar. Ekipi olimpik shqiptar përbëhet nga 11 sportist, në peshëngritje Briken Calja, Daniel Godelli, Endri Karina, Hysen Pulaku dhe Romela Begaj, në not Sidni Hoxha Noel Borshi, në qitje Arben Kucana dhe në xhudo Majlinda Kelmendi, në atletikë Adriatik Hoxha dhe Klodiana Shala. Ndërkohë Luiza Gega, atletja tjetër, nuk do të marrë pjesë pas një mosnjohje të rezultatit nga Federata Botërore e atletikës. Sportistja shqiptare do të mbajë flamurin në parakalimin e ekipit tonë më 25 korrik në ceremoninë e hapjes së olimpiadës Londër 2012-të do të jetë Romela Begaj.

SHPËRNDAJE