Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka kritikuar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, i cili nuk ia ka dhënë kurrë Turqisë të drejtën e organizimit të Olimpiadës. Ai përmend faktin se IOC nuk ia ka lejuar kurrë një vendi me shumicë myslimane ta organizojë këtë eveniment. Kreu i Qeverisë turke shpreson që kjo tabu të thyhet në Olimpiadën 2020, ku Stambolli është kandidat serioz.

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kërkuar sqarim se përse Lojërat Olimpike nuk janë organizuar kurrë nga një vend me shumicë myslimane.

“Asnjë vend me shumicë të popullatës myslimane nuk e ka organizuar kurrë Olimpiadën”, ka thënë Erdogan në Londër, pasi e përcolli ndeshjen e basketbollit të femrave, ku Turqia e mposhti Angolën me rezultat 72-50.

“Njerëzit do të pyesin: Përse? Çka u mungon këtyre vendeve?”, shtoi ai, që ishte i shoqëruar nga bashkëshortja Emine Erdogan dhe vajza e tyre Sumeyye. Erdogan po lobon që ta promovojë ofertën e Stambollit ta organizojë Olimpiadën e vitit 2020.

Erdogan është takuar edhe me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Jacques Rogge, më 27 korrik, para hapjes së ceremonisë zyrtare të ‘Londra 2012’.

“Ishte një takim i këndshëm. Vendimi do të merret nga ekipi i Rogges dhe shefi i Olimpiadës së ardhshme do na tregojë për përgatitjet që duhen bërë si një vend mikpritës i këtij evenimenti”, shtoi kryeministri turk.

Stambolli, Tokio dhe Madridi gjenden në listën e shkurtër për ta organizuar Olimpiadën 2020. Fituesi i kësaj të drejte do të dihet më 7 shtator të vitit 2013. Turqia po ashtu është kandidate për ta organizuar Kampionatin Evropian të futbollit më 2020, ndërsa IOC dhe UEFA kanë bërë të ditur se një vend nuk mund t’i organizojë të dyja evenimentet në të njëjtin vit.

Prania e Erdoganit në Londër e bëri të qartë se Turqia e ka prioritet organizimin e Olimpiadës. “Stambolli është qyteti ku takohen Evropa me Azinë, një gërshetim i civilizimeve të ndryshme. Të gjitha vendet evropiane po vuajnë nga turbullirat ekonomike, por Turqia është në një situatë ndryshe. Ne nuk kemi të meta për ta organizuar Olimpiadën”, shtoi Erdogan.

Kryeministri po ashtu bëri të ditur se rivalët e Stambollit për ta organizuar Olimpiadën 2020 tashmë e kanë organizuar së paku një herë në të kaluarën këtë ngjarje.

“Kjo është hera e tretë për Londrën, kurse Madridi e kishte organizuar dy herë. Tokio e kishte organizuar tri herë. Stambolli ishte kandidat pesë herë për Olimpiadë, por kurrë nuk e ka fituar të drejtën. Ky nuk është trajtim korrekt dhe këtë situatë e kam ndarë me Roggen”, përfundoi Erdogan. (Nga Expressi i Prishtinës)

SHPËRNDAJE