Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të martën diskuton për zhvillimet në Kosovë, për periudhën tremujore 16 prill – 15 korrik, të këtij viti.

Në mbledhje merr pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Në raportin e gjerë të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që është publikuar në ueb-faqen në internet të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, theksohet se gjatë periudhës 16 prill – 15 korrik 2012, përgatitjet dhe mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale dhe procesi i formimit të Qeverisë në Serbi, ka çuar në një zbrazëti të vazhdueshme në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përderisa dallimet në interpretimin e marrëveshjeve të arritura më parë kanë krijuar tensione në rritje në terren.

Megjithëqë Qeveria e Serbisë është përmbajtur nga mbajtja e zgjedhjeve të saj lokale në Kosovë, komunat Zveçan dhe Zubin Potok, kanë vazhduar, pavarësisht vërejtjeve formale nga Beogradi, Prishtina dhe pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, me mbajtjen e zgjedhjeve të tyre të palejuara më 6 maj.

Në raport thuhet se Kosova Veriore tash është e dominuar nga Partia Demokratike e Serbisë dhe Partia Progresive.

Gjatë kësaj periudhe, autoritetet e Kosovës kanë vazhduar me përgatitjet, që ata i kanë përshkruar si “përfundim i mbikëqyrjes së pavarësisë”.

Rrjedhimisht, kjo nënkupton mbylljen e Zyrës Ndërkombëtare Civile, e krijuar për ta mbikëqyrur implementimin e parimeve të Propozimit për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse, të cilën autoritetet e Kosovës e kanë mbështetur.

Ato, po ashtu, kanë vazhduar me përgatitjet për miratimin e pakos së reformave juridike, që duket se nuk e prekin nivelin e mbrojtjes institucionale për komunitetet në Kosovë, me përjashtim të heqjes së propozimit të një neni në Kushtetutë, që u referohet refugjatëve dhe personave të zhvendosur.

Këto reforma, pritet ta heqin autoritetin ekzekutiv të organizatave ndërkombëtare në Kosovë, transmeton REL.

Më 2 korrik, Grupi Ndërkombëtar Drejtues, i përbërë nga 25 vende që e kanë njohur Kosovën, kanë konkluduar se mandati i Zyrës Ndërkombëtare Civile do të përfundojë më vonë në vitin 2012, shkruan në raportin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, që do të paraqitet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

Në raport vlerësohet se situata e sigurisë në Kosovën Veriore mbetet e ndjeshme. Tensionet shpërthyen kur KFOR-i ishte përpjekur ta largojë bllokadën e rrugës në komunën e Zveçanit.

Protestuesit lokalë dhunshëm u konfrontuan me KFOR-in, i cili u përgjigj me forcë. Rrjedhimisht, dy ushtarë të KFOR-it dhe pesë serbë të Kosovës morën plagë nga të shtënat.

Më 4 korrik, vazhdon raporti, Komiteti i Krizës i strukturës komunale në Mitrovicën Veriore, i sponsorizuar nga Beogradi, protestoi kundër aksionit të KFOR-it dhe shpalli se anëtarët e EULEX-it nuk do të lejohen të lëvizin lirisht nëpër Mitrovicën Veriore.

Gjatë javëve në vazhdim, tensionet në mënyrë graduale u zvogëluan dhe EULEX-i ishte në gjendje ta rimarrë qasjen në këtë hapësirë dhe t’i kryejë aktivitetet e veta normale.

Në kapitullin Observimet, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, pos tjerash, shkruan se me kënaqësi i shikon rezultatet konkrete që kanë dalë nga marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit deri tash. Megjithatë, “jam i shqetësuar me vështirësitë, në të cilat ka hasur implementimi i disa prej tyre”, thekson Ban Ki-mun.

Rrjedhimisht, ai i fton palët të demonstrojnë qëndrim konstruktiv në kapërcimin e problemeve të këtilla dhe u bën thirrje ndërmjetësuesve që t’i kushtojnë kujdes më të madh dhe burime detajizimit të çështjeve të implementimit.

Ban Ki-muni, në fund të raportit të tij të gjatë, i falënderon partnerët e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, KFOR-in, NATO-n, Bashkimin Evropian, OSBE-në dhe agjencitë e OKB-së, për mbështetjen e tyre dhe për bashkëpunimin me misionin e OKB-s në Kosovë, UNMIK./Indeksonline/

SHPËRNDAJE